PJESË E KISHËS
Të përkasësh. Të rritesh. Të shërbesh.
Anëtarësia në kishë është një përkushtim për të ndjekur Krishtin së bashku: të njohësh njerëzit, të marrësh kujdes dhe të kontribuosh në jetën e bashkësisë.

LUTJE
Pjesmarrës në lutje do të thotë,
të ndash subjekte lutjesh
dhe të lutesh për të tjerët
DHURIM!
Si pjesë e kishës në anëtar
Dhuron nga
Koha, Financat, Dhuntitë apo talentin
PËRKUSHTIM!
Në Frekuentimin e takimeve,
në të shërbyerit në komunitet,
në të shpallurit të Krishtit
SHËRBIM!
Të jesh pjesë e kishës do të
thotë të shërbesh në kishë duke
vënë në praktikë dhuntitë e tua.
Çfarë do të thotë të jesh anëtar i kishës?
Shpëtimi është dhuratë e hirit të Perëndisë, nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin. Anëtarësia nuk e fiton shpëtimin; ajo shpreh në jetën e përditshme përkatësinë tonë ndaj Krishtit dhe përkushtimin ndaj një bashkësie lokale. Në Krishtin jemi pjesë e një trupi, ku çdo gjymtyrë ka vend dhe përgjegjësi (Efesianëve 2:8–10; 1 Korintasve 12:12–27).
Të jesh pjesë e Kishës Ungjillore Vlorë do të thotë të rritesh përmes Fjalës së Perëndisë, të marrësh pjesë në adhurim e lutje, të pranosh kujdesin baritor dhe t’u shërbesh të tjerëve. Përkushtimi ynë është të njohim Krishtin dhe ta bëjmë të njohur Atë.
Një përkushtim me rrënjë biblike
Besimtarët e parë që pranuan Ungjillin u pagëzuan dhe iu shtuan bashkësisë. Ata qëndronin në mësimin e apostujve, përbashkësi, thyerjen e bukës dhe lutje (Veprat 2:41–42). Kisha lokale është vendi ku besimi merr formë në marrëdhënie: mësojmë, kujdesemi, korrigjohemi me dashuri dhe mbajmë barrët e njëri-tjetrit.
Fjala e Perëndisë na nxit të mos lëmë pas dore të mbledhurit bashkë dhe të inkurajojmë njëri-tjetrin për dashuri dhe vepra të mira (Hebrenjve 10:24–25). Pagëzimi dhe Darka e Zotit janë pjesë e jetës së kishës dhe dëshmisë sonë për Krishtin (Mateu 28:19; 1 Korintasve 11:23–26).
Si duket kjo në jetën e përditshme?
Mblidhemi dhe mësojmë
I japim përparësi adhurimit, mësimit biblik dhe përbashkësisë. Kur puna, shëndeti apo rrethanat na pengojnë, kërkojmë mënyra për të qëndruar të lidhur.
Për shembull: Nëse një besimtar mungon për shkak të sëmundjes, e kontaktojmë, lutemi dhe pyesim si mund ta ndihmojmë.
Lutemi dhe mbajmë barrët
Ndajmë gëzimet e vështirësitë, dëgjojmë me kujdes dhe ofrojmë ndihmë konkrete (Romakëve 12:15; Galatasve 6:2).
Për shembull: Një familje kalon një periudhë të vështirë. Dikush mund të sjellë një vakt, një tjetër të ndihmojë me një nevojë praktike dhe të tjerë të luten.
Shërbejmë me dhuntitë tona
Çdo besimtar mund të kontribuojë sipas dhuntive, pjekurisë dhe mundësive që ka (1 Pjetrit 4:10–11).
Për shembull: Dikush mikpret vizitorët, dikush ndihmon me muzikën apo teknologjinë, ndërsa një tjetër inkurajon personalisht një besimtar të ri.
Dhurim me gëzim
Koha, talentet dhe financat vihen në shërbim të bashkësisë e misionit. Dhurimi bëhet me dëshirë dhe sipas mundësive, jo nën shtrëngim (2 Korintasve 9:7).
Për shembull: Edhe kur mundësitë financiare janë të vogla, mund të ofrosh kohë, një aftësi ose ndihmë për dikë në nevojë.
Ruajmë unitetin dhe falim
Flasim të vërtetën me dashuri, shmangim thashethemet dhe kërkojmë pajtim. Kur duhet ndihmë, kërkojmë kujdes baritor (Efesianëve 4:1–3, 15, 32).
Për shembull: Kur ka një keqkuptim, flasim me personin me përulësi, në vend që ta përhapim shqetësimin te të tjerët.
Dëshmojmë për Krishtin
E shpallim Ungjillin me fjalë dhe e tregojmë dashurinë e Krishtit me vepra, në familje, punë dhe komunitet (Mateu 28:18–20).
Për shembull: Dëgjo pyetjet e një miku për Zotin, ndaj me respekt besimin tënd dhe ftoje ta njohë bashkësinë.
Kujdes dhe përgjegjësi të ndërsjella
Pleqtë ndaj bashkësisë
Pleqtë thirren të mësojnë besnikërisht Shkrimin, të luten, të kujdesen për njerëzit dhe të japin shembull në jetë. Drejtimi duhet të jetë shërbim i përulur, nën autoritetin e Krishtit, me përgjegjësi para Perëndisë (1 Pjetrit 5:2–3; Titit 1:9).
Besimtarët ndaj njëri-tjetrit
Jemi thirrur të duam, të mirëpresim, të inkurajojmë, të falim dhe të këshillojmë njëri-tjetrin. Kujdesi nuk është vetëm detyra e pastorëve; çdo gjymtyrë kontribuon në ndërtimin e trupit të Krishtit (Gjoni 13:34; Efesianëve 4:16).
Besimtarët ndaj pleqve
Lutemi për drejtuesit, vlerësojmë punën e tyre dhe pranojmë mësimin e kujdesin e tyre biblik. Imitojmë besimin e tyre ndërsa ecin me Krishtin dhe i trajtojmë shqetësimet me të vërtetë e respekt (Hebrenjve 13:7, 17–18).
Këshillimi dhe korrigjimi biblik synojnë pendimin, restaurimin dhe të mirën e bashkësisë. Ato duhen ushtruar me butësi dhe përulësi, edhe kur kërkojnë biseda të vështira (Galatasve 6:1; Mateu 18:15–17).
Pyetje që mund të kesh
A duhet të jem i përsosur?
Jo. Kisha është një bashkësi besimtarësh që varen nga hiri i Krishtit dhe rriten së bashku. Përkushtimi përfshin gatishmëri për të mësuar, për t’u penduar dhe për të kërkuar ndihmë.
Nëse jam ende duke kërkuar përgjigje?
Je i mirëpritur të vish, të dëgjosh dhe të bësh pyetje. Të vizitosh kishën dhe të përkushtohesh si anëtar janë hapa të ndryshëm; mund t’i bisedosh me pleqtë pa presion.
Nëse dua të pagëzohem ose të përfshihem më shumë?
Bisedo me pleqtë për besimin tënd, pagëzimin dhe mënyrën si mund të rritesh e të shërbesh. Nëse vjen nga një kishë tjetër ose po zhvendosesh, fol hapur me drejtuesit për një kalim të përgjegjshëm.
Hapi i parë është një bisedë.
Na trego ku je në udhëtimin tënd të besimit. Le të flasim për përkatësinë, kujdesin dhe një vend ku mund të shërbesh.