Virusi korona dhe Krishti

“Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë”

Nuk ka shumë rëndësi se çfarë mendojmë për virusin korona. Por ka rëndësi të përjetshme se çfarë mendon Perëndia. Ai nuk është i heshtur rreth asaj që mendon. Zor se gjen edhe një faqe të vetme në Bibël që të mos ketë lidhje me këtë krizë.Zëri ynë është si bari.

Zëri i tij si shkëmb graniti. “Bari thahet dhe lulja bie, por fjala e Zotit mbetet përjetë” (1 Pjetri 1:24-25). Fjalët e tij në Shkrim “nuk mund të bien poshtë” (Gjoni 10:35). Ajo që ai thotë është “e vërtetë dhe plotësisht e drejtë” (Psalmi 19:9). Të dëgjosh Perëndinë, t’i besosh atij, është sikur ta ndërtosh shtëpinë tënde mbi një shkëmb dhe jo mbi rërë (Marteu 7:24).

Zëri i tij nuk është vetëm i vërtetë; zëri i tij është përsosmërisht i urtë në çdo situatë. “Zoti i ushtrive, që është i mrekullueshëm në këshillat e tij dhe i madh për nga dituria.” (Isaia 28:29). “Zgjuarsia e tij është e pafund” (Psalmi 147:5). Kur ai jep këshilla për virusin korona, ato janë të drejta, të palëkundshme dhe të përjetshme. “Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez” (Psalmi 33:11). “Udha e tij është e përsosur” (2 Samueli 22:31)

Fjalët e Perëndisë në këto kohëra nuk janë vetëm të vërteta dhe të urta; ato janë gjithashtu të çmuara dhe të ëmbla. “Janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë arë i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet” (Psalmi 19:10). Ato janë vetë ëmbëlsia e jetës: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68). Dhe me një jetë të pa shkatërrueshme vijnë edhe fjalët e paqes dhe gëzimit të palëkundur: “Me të gjetur fjalët e tua, i përpiva; fjala jote ka qenë për mua gëzimi dhe gazi i zemrës sime” (Jeremia 15:16).

Ëmbëlsia nuk humbet në këtë moment provanie të hidhur – jo nëse e kemi mësuar sekretin “si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar” (2 Korintasve 6:10). Sekreti është ky: Duke ditur që i njëjti sovranitet i cili mund ta ndalojë virusin korona dhe nuk e ndalon, është po ai sovranitet që e mbështet shpirtin në këtë situatë. Në të vërtetë bën më tepër sesa ta mbështetë – ëmbëlson me shpresën që, për ata që i besojnë atij, qëllimet e tij janë të mira, madje edhe në vdekje.”

Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë” (Romakëve 11:22). Provania e tij është e ëmbël dhe e hidhur. Naomi nuk mëkatoi kur tha: “I Plotfuqishmi më ka mbushur me hidhërim” (Ruthi 1:20). Kjo ishte e vërtetë dhe u shqiptua saktësisht në momentin kur gjithë fati i saj ishte gati të ndryshonte.Kjo nuk është një stinë për pikëpamje sentimentale rreth Perëndisë.

Kjo është një stinë e hidhur. Perëndia e dërgoi. E dimë këtë gjë për shkak se ai “vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efesianëve 1:11). Të gjitha gjërat. As edhe një harabel nuk bie përtokë pa lejen e Atit tuaj qiellor (Mateu 10:29).

Natyra nuk është sovrane. Satani nuk është sovran. Njeriu mëkatar nuk është sovran. Perëndia sundon mbi të gjitha (Luka 8:25; Jobi 1:12, 26, Veprat 4:27-28). Prandaj edhe themi bashkë me Jobin: “E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet” (Jobi 42:2).

Prandaj, Perëndia jo vetëm që e kupton plotësisht virusin korona; Ai ka qëllime me të. Perëndia nuk bën asgjë, nuk lejon asgjë, pa pasur qëllime të urta për Të. Asnjë gjë nuk ndodh nga vetja. Gjithçka rrjedh prej këshillave të përjetshme të Perëndisë (Efesianëve 1:11). E gjitha është urtësi. E gjitha ka një qëllim. Për ata që i besojnë Jezu Krishtit, gjithçka është mirësi. Për të tjerët, është një thirrje e mëshirshme për t’u zgjuar: “Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17).

Shpresa dhe lutja jonë në materialet që planifikojmë të botojmë çdo javë është që të mund t’ju ndihmojmë ta ankoroni shpirtin tuaj në fjalën e Perëndisë , në mënyrë që të mund të shihni madhështinë, bukurinë dhe vlerën e Jezu Krishtit (Filipianëve 3:8), që të mund ta çmoni Atë edhe më tepër se shëndetin dhe jetën tuaj (Psalmi 63:3) dhe që Perëndia të përlëvdohet në ju, ndërsa ju kënaqeni në Të.

Këtë dua ta sjell në mendje dhe prandaj dua të shpresoj.
Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht,
sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.
çdo mëngjes; e madhe është besnik
ëria jote.
“Zoti është pjesa ime”, thotë shpirti im,
“prandaj do të kem shpresë tek ai.
(Vajtimet 3:21-24)-

John Piper Botuar me leje nga: https://www.desiringgod.org/coronavirus
Përktheu: Asim Hamza

Shënim i përkthyesit: Provania = Sigurimet dhe parashikimet, mbajtja dhe mbrojtja e Perëndisë për krijimin dhe krijesat e Tij.