Kush tha Jezusi se ishte?

Jezus Krishti, i njohur ndryshe edhe si Mesia, është figura qëndrore e Dhjatës së Re. Në biblën Judaike (Dhjata e Vjetër), në mënyrë të vazhdueshme shpalosej plani i Perëndisë për të dërguar Mesian e Tij, me qëllim që të shpëtonte popullin e Izraelit dhe të mbretëronte mbi fronin e mbretit David.

Nga të dhënat historike Jezusi ka jetuar në Izrael gjatë shekullit të I-rë. Në fakt, ndarja kohore që ne kemi është bërë rreth jetës së këtij personi dhe ne sot referohmi ‘Para Krishtit’ ose ‘Pas Krishtit’. Besimi i Krishterë u themelua mbi jetën dhe veprën e këtij personi. Janë shkruar qindra libra dhe materiale për të, dhe sot e kësaj dite atë e adhurojnë si Perëndi miliarda njerëz.

Por kush është ky person? Nëse ne kemi materiale që kanë regjistruar jetën dhe veprën e Tij, kush tha Ai se ishte?

Historikisht bota është ndar për sa i përket qëndrimit ndaj Jezus Krishtit. Disa e quajnë mësues të madh, disa e quajnë profet, disa e quajnë të çmendur dhe gënjeshtar, disa thonë që nuk ka ekzistuar fare; e ndërkohë shumë të tjerë e adhurojnë si Perëndi.

Në baz të provave që ne kemi në dispozicion, ekzistenca e Tij historike nuk vihet në dyshim. Nuk do kemi mundësi ta zhvillojmë këtu këtë argument, por ka materiale pa fund që mund të lexoni në lidhje me këtë.

Nëse Ai ka ekzistuar vërtetë historikisht, a kemi materiale (biografi) që kanë regjistruar jetën dhe veprën e Tij? Përgjigja është Po. Në Dhjatën e Re, gjenden 4 libra që titullohen Ungjij. Dhe këto 4 libra, janë biografia e shkruar e jetës së Jezus Krishtit nga dëshmitarë okular që kanë jetuar me Jezusin për më shumë se 3 vjet dhe kanë parë e dëgjuar çdo gjë që Ai bëri dhe tha.

Edhe njerëzit që e takuan dhe e panë Jezusin gjatë jetës së tij, kishin qëndrime të ndryshme për identitetin e tij. Tek Ungjilli i Mateut 16:13-16 na jepet një pamje e këtij konfuzioni në lidhje me identitetin e Krishtit:

“Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: ”Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?”. Dhe ata thanë: ”Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët”. Ai u tha atyre: ”Po ju, kush thoni se jam unë?”. Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ”Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”. Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ”I lum je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.”

Njerëzit ishin duke folur, dhe disa mendonin se ishte Gjon Pagëzoi, disa thoshin që ishte profeti Elia, të tjerë profeti Jeremia, ose një nga profetët. Ky koment është interesant sepse njerëzit janë duke i veshur Krishtit identitete të profetëve të fuqishëm. Dhe kjo tregon se ata shikonin tek Krishti diçka jo të zakonshme, shikonin tek Ai një autoritet dhe pushtet që e kishin parë (deri në një farë mase) vetëm tek profetët e dërguar nga Perëndia.

Por asjë nga ato identitete nuk ishin mjaftueshëm për të përshkruar Krishtin. Dhe përgjigja e Pjetrit (një nga dishepujt e Krishtit) e nxjerr në pah këtë gjë. Ai i përgjigjet pyetjes së Jezusit, duke thënë: Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë. Ky është një identitet shumë më i madh se një profet, apo se një mësues, apo edhe se një mbret. Krishti është Biri i Perëndisë të Gjallë. Ky titull i referohet Mesias që Izraeli ishte duke pritur. Dhe Jezusi e aprovon këtë përgjigje të Pjetrit në vargun 17 duke thënë:  I lum je ti o Pjetër sepse këtë identitet që ti po më shpreh, ta ka zbuluar vetëm Ati që është në qiej dhe askush tjetër.

Dhe ky term, ‘Biri i Perëndisë’, keqinterpretohet shumë. Shumë persona e interpretojnë si një lidhje biologjike të një ati dhe biri, duke dalë në konluzion se biri (Jezusi) nuk është Perëndi sepse është krijuar nga Ati në një moment të caktuar. Por le të shikojmë se çfarë thotë Jezusi për këtë gjë.

Tek Ungjilli i Gjonit 5:17-18 Jezusi bën një deklarat të fortë:

“Por Jezusi u përgjigj atyre: ”Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj”. Për këtë judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.”

Vini re shprehjen e fundit: duke e barazuar veten me Perëndinë. Kur Jezusi përdor termin Bir i Perëndisë, nuk është duke e përdorur për të treguar se është më ulët në identitetin tij, por e përdor për të treguar rolin dhe pozicionin e tij në marrdhënie me Atin.

Gjoni që ka shkruar ungjillin, dhe që ka qënë dishepulli më i afërt i Jezusit, e kuptoi fare mirë këtë marrdhënie dhe e shpreh në këtë mënyrë në kapitullin e parë të ungjillit të tij:

“Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.”

Nëse lexon vazhdimin e kapitullit 1, shikon që ‘Fjala’ i referohet Jezusit. Dhe Jezusi ishte që në fillim (pra nuk u krijua në një moment të caktuar). Dhe që në fillim Jezusi ishte me Perëndinë, dhe vetë Jezusi ishte Perëndi. Pra, përpara se të krijohej çdo gjë që është krijuar, Jezusi ishte Perëndi.

Tek vargu 3 Gjoni vazhdon dhe thotë:

“Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.”

Cdo gjë që është krijuar, është krijuar me anë të Jezuist dhe asnjë gjë nuk është bërë pa prezencën dhe fuqinë e Tij. Vetëm Perëndia ka fuqi krijuese, dhe vetëm Atij i atribuohet krijimi i gjithësisë. Nëse Jezusi do të ishte thjesht një krijesë, atëherë Ai nuk do të kishte fare mundësinë që të krijonte gjithçka, sepse është thjesht e pamundur.

Tek Ungjilli i Gjonit 8:58 Jezusi bëri një deklarat akoma më shokuese. Ai i referohet vetes së vet me emrin që Jahve (Jahëe), emër me të cilin Zoti i Izraelit në Dhjatën e Vjetër iu referua vetes së vet. Dhe ky emër është “Unë Jam”, i cili shpalos vetëekzistencën e Perëndisë në përjetësi.

Jezusi u tha atyre: ”Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam”.

Dhe në mënyrë të vazhdueshme Jezusi do të fliste për veten e vet në këtë mënyre:

Gjoni 8:12, “Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: ”Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”.

Gjoni 8:18, “Unë jam ai që dëshmoj për vetvete dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua”

Gjoni 6:35, “Dhe Jezusi u tha atyre: ”Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.”

Gjoni 10:9, “Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.”

Gjoni 10:11, “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.

Gjoni 11:25, “Jezusi i tha: ”Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.”

Gjoni 14:6, “Jezusi i tha: ”Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.”

Kur lexojmë Ungjijtë, shikojmë se Jezusi i mbështese me prova dhe shenja deklaratat e Tij. Ai shëroi sakatë, u ktheu shikimin të verbërve, shëroi lebrozë, u ofroi miqësi atyre që shoqëria i kishte hedhur poshtë, u dha një shans të dytë hajdutëve dhe kriminelëve, i dha rëndësi figurës së gruas e cila ishte e nënvlerësuar në maksimum në atë kohë, ringjalli njerëz prej së vdekurish, mësoi njerëzit me një autoritet të madh, kishte pushtet mbi natyrën kur qortoi erën dhe bëri që dallgët e detit të shuheshin, kishte pushtet mbi frymërat e ndyra dhe demonët të cilët e kishin frikë dhe nihnin autoritetin dhe identitetin e Tij, përmbushi qindra profeci që ishin bërë për të në Dhjatën e Vjetër, vdiq në kryq për mëkatet e të gjithë botës dhe bibla thotë që u ringjall ditën e tretë për t’u ulur edhe njëherë në fronin e Tij në qiell.

Dhe me gjithë këto fakte dhe prova, dishepulli Thoma, që ishte një njeri shumë dyshues dhe nuk besonte pa parë prova me sytë e tij, shprehet kështu pasi pa Jezusin e ringjallur:

Gjoni 20:27-28 

Pastaj i tha Thomait: ”Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!”. Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: ”Zoti im dhe Perëndia im!”.

Thomai e adhuroi Jezusin si Zot, dishepujt e adhuruan Jezusin si Zot. Dhe për këtë të vërtetë shumica prej tyre dhanë jetën, me qëllim që të tjerët ta mësonin këtë të vërtetë dhe të bëheshin të lirë.

Gjoni 8:32, “…do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë” – Jezusi.

Jezusi është Zot, dhe bibla e bën të qartë se askush nuk mund të shpëtohet nga gjykimi i Perëndisë, nëse nuk beson se Jezusi vdiq në kryq për mëkatet e të gjithë botës (edhe për mëkatet e tua) dhe se u ringjall ditën e tretë për mos të vdekur më kurrë. Dhe të gjithë ata që besojnë në ermin e Tij si Zot dhe Shpëtimtar, nuk do të dënohen por do të ringjallen për të qenë bashkë me të në përjetësi. Por kjo zgjedhje është në dorën tënde.