MBRETI U RINGJALL!

HYRJE

“Nëse Jezui u ngjall prej të vdekurve, atëherë duhet të pranosh gjithçka që ka thënë; nëse ai nuk u ngjall prej të vdekurve, atëherë pse u dashka të shqetësohesh për ndonjë nga gjërat që ka thënë? Çështja mbi të cilën varet gjithçka nuk është nëse të pëlqen apo nuk të pëlqen mësimi i tij, por nëse ai u ngjall apo nuk u ngjall prej të vdekurve”. – Timothy Keller

Kjo do të jetë hera e dytë rresht që, për shkak të pandemisë, në të Dielën e Pashkës nuk do të jemi në gjendje të mblidhemi të gjithë së bashku fizikisht për të kremtuar ringjalljen e lavdishme të Jezuit. Nuk do të mundemi të shtrëngojmë duart dhe të shkëmbejmë në person përshëndetjet kuptimplote:
– “Krishti u ngjall!”
– “Me të vërtetë u ngjall!”

Megjithatë, kjo situatë nuk e zbeh aspak Lajmin e Mirë se Jezu Krishti jeton, Mbreti u ringjall!

Në fakt, ia vlen të kujtojmë se e Diela e Pashkës së parë të ringjalljes së Jezuit nuk filloi me kisha të mbushura me njerëz që festojnë. E Diela e Pashkës së parë të ringjalljes filloi herët në agim, para se dielli të dëbonte errësirën, me disa gra dhe një varr bosh.

E diela e Pashkës së parë të ringjalljes filloi me disa gra të frikësuara. Dhe nuk është se frika iku menjëherë, por ato “plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar” ngjarjen më madhështore dhe jetëndryshuese të ringjalljes së Jezuit.

Këtë lajm të gëzueshëm ato vrapuan për t’ua dhënë ndjekësve të Jezuit që ishin grumbulluar së bashku fshehurazi, të frikësuar e të dëshpëruar.

TEKSTI BIBLIK:

1 Pas së shtunës, në mëngjes herët, Maria Magdalena dhe Maria tjetër erdhën për të parë varrin.
2 Papritur ra një tërmet i fortë dhe një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, rrokullisi gurin dhe u ul mbi të.
3 Fytyra e engjëllit shndriste si vetëtima dhe rrobat i kishte të bardha si dëbora.
4 Rojat i zuri një frikë aq e madhe, saqë u drodhën dhe mbetën si të vdekur.
5 Engjëlli foli dhe u tha grave: «Mos kini frikë! E di se po kërkoni Jezuin, të kryqëzuarin.
6 Nuk është këtu, se ai u ngjall siç pati thënë. Ejani e shihni vendin ku qe vënë.
7 Shkoni shpejt dhe u thoni dishepujve të tij se ai u ngjall prej të vdekurve dhe se do të shkojë përpara jush në Galile. Atje do ta shihni. Këto kisha për t’ju thënë».
8 Ato u larguan me të shpejtë nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar dishepujt.
9 Dhe ja, Jezui u doli përpara e u tha: “Ju përshëndes!” Ato iu afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan.
10 Atëherë Jezui u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e u thoni vëllezërve të mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin” (Mateu‬ 28:1-10).

Sarah Shin, në librin e saj Përtej Daltonizmit (Beyond Colorblind), shkruan: “Si fëmijë të Perëndisë, vdesim me të në kryqëzim dhe ngjallemi me të në ringjallje. Ringjallja e Jezuit nuk i zhduku blanat e plagëve. Blanat e tij na kujtojnë historinë e thyer të njerëzimit dhe dashurinë e pathyeshme e të kushtueshme që erdhi për të na shpëtuar dhe për të na ngjitur”.

Blanat na kujtojnë se përballemi me rreziqe reale në këtë botë. Por blanat nuk penguan që varri të mbetej bosh: “Nuk është këtu, se ai u ngjall siç pati thënë!”

PROPOZIMI QENDROR

Ne nuk kemi frikë nga vdekja sepse Zoti ynë Jezu Krisht, që u flijua për shlyerjen e mëkateve tona, u ngjall prej të vdekurve.

Ne kemi shpresë sepse Zoti ynë Jezu Krisht e mposhti vdekjen. Ne kemi shpresë sepse Ai jeton.

Konteksti Historik

Të Dielën e Pashkës së parë të ringjalljes, rreth 2000 vjet më parë, dishepujt e Jezuit ishin fshehur në një dhomë të kyçur. Ata ishin pa shpresë. Ata kishin frikë të dilnin jashtë në rrugë.

Lajmi i ngjalljes së Jezuit u solli gëzim dhe shpresë. Ata u kujtuan për fjalët e tij se pasi ta vrisnin e ta varrosnin, ditën e tretë do të ngjallaj. Ky lajm i trimëroi për të dalë jashtë mureve dhe dyerve të mbyllura.

Mateu 28 regjistron Ringjalljen e Mbretit si pikën kulmore në historinë e Ungjillit.

RINGJALLJA E KRISHTIT ËSHTË PJESË THELBËSORE E UNGJILLIT

Tabloja e plotë që na jep Bibla tregon se Perëndia krijoi gjithçka shumë mirë.

“Perëndia pa gjithçka që kishte bërë e, ja, ishte shumë mirë” (Zanafilla 1:31a).

Krijesa e Perëndisë iu nënshtrua prishjes, kur njeriu, i tunduar prej Satanit, u rebelua kundër Perëndisë. Kur shpalli dënimin për këtë rebelim, Perëndia tha se toka dhe njeriu do të vuajnë pasojat:

“Gjemba e ferra do të prodhojë për ty e bimët e fushës do të hash. Me djersën e ballit do ta nxjerrësh bukën e gojës derisa të kthehesh në dhe, se prej tij u nxore, pluhur je e në pluhur do të kthehesh” (Zanafilla 3:18-19).

“Në të vërtetë, gjithçka e krijuar iu nënshtrua prishjes jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi …” (Romakëve‬ ‭8:20‬).

Drejtësia e Perëndisë kërkon ndëshkimin e këtij rebelimi.

“Sepse paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve‬ ‭6:23‬a).

Dashuria e Perëndisë shprehet në mishërimin e Perëndisë në personin e Jezu Krishtit i cili merr mbi vete në kryq dënimin që ne meritojmë.

“Por dhurata e hirit të Perëndisë është jeta e amshuar që kemi me Krishtin Jezu, Zotin tonë” (Romakëve‬ ‭6:23‬b).

Pushteti i Perëndisë demonstrohet në ngjalljen e Jezuit prej të vdekurve.

“Kjo fuqi është e njëjta forcë vepruese e pushtetit të Perëndisë, me të cilën ai ngjalli Krishtin prej të vdekurve dhe e uli në të djathtë të fronit të tij në qiej” (Efesianëve‬ ‭1:19b-20‬).

Premtimi i Perëndisë është se fitoren mbi vdekjen do ta gëzojnë të gjithë ata që besojnë se Jezui është Zoti dhe Shpëtimtari i tyre. Lajmi i mirë është se Perëndia u dhuron jetën e përjetshme atyre që besojnë. Pjesë thelbësore e këtij besimi shpëtues është besimi në ringjalljen e Krishtit.

“Nëse rrëfen me gojë se Jezui është Zot dhe nëse beson me zemër se Perëndia e ngjalli atë prej të vdekurve, ti do të shpëtohesh”
‭‭(Romakëve‬ ‭10:9‬).

“Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë edhe predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj është i kotë” (1 Korintasve 15:14).

“Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap dhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im” (Gjoni 10:17-18).

Jezui i paralajmëroi disa herë ndjekësit e tij se do të vdiste dhe do të ringjallej. Te Mateu 16:21 lexojmë:

“Që nga ajo kohë, Jezui filloi t’u tregonte dishepujve se duhej të shkonte në Jerusalem dhe të vuante shumë për shkak të pleqve, kryepriftërinjve dhe skribëve. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej” (cf. Marku 8:31, Luka 9:22).

Megjithëkëtë, dishepujt e Jezuit nuk e kuptuan dhe nuk e besuan çështjen e vdekjes dhe ringjalljes së tij derisa Jezui u ngjall. Në fakt, edhe pas ringjalljes disa dyshuan.

Njësoj, gratë te Mateu 28:1 shkuan te varri duke menduar se aty gjendej trupi i pajetë i Jezuit. U desh një seri ngjarjesh dramatike që ato të kuptonin dhe të besonin ngjalljen e Krishtit: një tërmet i fortë dhe një engjëll i Zotit sipas vargut 2, fjala e engjëllit sipas vargjeve 5-8, fakti i nënkuptuar se ato e panë me sytë e tyre varrin bosh dhe, më e lavdishmja nga të gjitha, shfaqja e vetë Jezuit të ringjallur, përshëndetja dhe porosia e tij sipas vargjeve 9-10.

Mateu 28:1-10 përmend fjalën “frikë” 4 herë.

Rojat e varrit, të cilëve u ishte ngarkuar misioni i pamundur për të ruajtur trupin e Jezuit, “i zuri një frikë aq e madhe saqë u drodhën dhe mbetën si të vdekur” (vargu 4).

Gratë u porositën nga engjëlli të mos kishin frikë, por mbi të gjitha u lajmëruan se Jezui “u ngjall siç pati thënë” (vargjet 5-6).

Pasi morën detyrën për të lajmëruar dishepujt se Jezui ishte ngjallur (vargu 7), gratë “u larguan me të shpejtë nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar dishepujt” (vargu 8). Plot frikë dhe gëzim të madh bashkë!

Por para se të mbërrinin te dishepujt me lajmin e mirë të ringjalljes, “Jezui u doli përpara” dhe i përshëndeti (vargu 9). Jezui u sigurua që frika e tyre t’ia linte vendin besimit dhe gëzimit të ringjalljes, prandaj u tha: “Mos kini frikë!” Dhe u përsëriti detyrën për dishepujt (vargu 10).

Diçka shumë e rëndësishme që nuk duhet të humbasim në këtë rrëfim të Mateut është fundi i vargut 9 që tregon se gratë “e adhuruan” Jezuin e ringjallur. Ato adhuruan Zotin e gjallë!

Dhe shkuan për të shpallur ngjalljen e Tij në mënyrë që të gjithë të besojnë, të marrin shpëtimin që Ai ofron dhe ta adhurojnë.

Ringjallja e Jezuit është pjesë thelbësore e Ungjillit. Pa ringjalljen nuk ka Ungjill. “Vdekja u përpi nga fitorja. O vdekje, ku është fitorja jote? O vdekje, ku është thumbi yt?” (1 Korintasve 15:54b-55).

PËRFUNDIMI

Lajmi i mirë i ngjalljes së Jezuit prej të vdekurve erdhi në botë në një kohë të frike, pasigurie, mosbesimi dhe dyshimi. Jezui i ringjallur vazhdon të depërtojë muret dhe dyert e zemrave të njerëzve që e dëgjojnë dhe e besojnë fjalën e Ungjillit.

Besimi se Jezui u ngjall prej të vdekurve siç pati thënë është një nga doktrinat më të lavdishme të besimit të krishterë.

Besimi ynë bazohet në varrin bosh.

Ky besim zëvendëson frikën, pasigurinë dhe dyshimin me siguri, gëzim dhe shpresë.

Ky besim na mbush me gëzim ndërsa urojmë njëri-tjetrin:

– Krishti u ngjall!
– Me të vërtetë u ngjall!