HYRJE
“Besimi është shpresa e gjërave që nuk shihen; shpërblimi i këtij besimi është të shohësh çfarë shpreson”.
– Shën Agustini
Në kohën kur Perëndia erdhi në këtë botë si njeri në personin e Jezu Krishtit, kombi i Izraelit, populli i zgjedhur i Zotit, nuk e njohu dhe as nuk e pranoi autoritetin e tij.
“Ai ishte në botë dhe bota u bë nëpërmjet tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në vendin e vet, por njerëzit e tij nuk e pranuan” (Gjoni 1:10-11).
Arsyeja e këtij refuzimi gjendej në korruptimin e besimit të tyre. Ata kishin anuluar të vërtetën e Shkrimit me traditat e spekulimet njerëzore duke bërë që adhurimi i tyre të ishte pa vlerë dhe besimi i tyre pa fryte.
“Por ai u tha: «Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju kur shkroi: Ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje. Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve. Ju lini pas dore urdhërimin e Perëndisë për t’iu përmbajtur traditës së njerëzve »” (Marku 7:6-8).
Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot, Jezui gjykon në mënyrë dramatike mungesën e fryteve të besimit të bashkëkombasve të tij dhe na mëson për rëndësinë e lutjes dhe besimit të vërtetë.
TEKSTI BIBLIK
18 Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria.
19 Ai pa një fik ndanë rrugës, iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve. Atëherë i tha fikut: «Mos dhënsh më kurrë fryt!». Dhe fiku u tha në çast.
20 Kur dishepujt e panë këtë gjë, u çuditën dhe pyetën: «Si u tha kaq shpejt fiku?».
21 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim dhe të mos ngurronit, do të bënit jo vetëm çfarë i bëra unë fikut, por do t’i thoshit këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe kjo do të ndodhte.
22 Çfarëdo që të kërkoni me besim përmes lutjes, do ta merrni».
(Mateu 21:18-22)
Konteksti Historik
Kur hyri në Jerusalem në fillim të javës së shenjtë të kremtimit të Pashkës, Jezui u brohorit si Mesia i Izraelit, Zoti dhe Shpëtimtari i botës.
Të nesërmen në mëngjes, para se të pastronte tempullin, Jezui mallkoi fikun pa fryte ndanë rrugës (cfr. Marku 11:14, 20). Megjithëse fiku u tha në çast, ndjekësit e Jezuit e vunë re këtë gjë një ditë më vonë.
Pra, biseda e Jezuit me ndjekësit e tij në lidhje me tharjen e pemës së fikut ndodhi një ditë pasi Jezui shpalli mallkimin e asaj peme.
Mallkimi i fikut dhe pastrimi i tempullit ishin dy gjykime që Jezui shpalli përkatësisht kundër adhurimit të korruptuar të Izraelit dhe mungesës së fryteve të besimit të Izraelit. Këto dy ngjarje ndodhën në të njëjtën ditë.
Ndonëse pastrimi i tempullit duket si ngjarje shumë më dramatike se mallkimi i fikut, të dyja ngjarjet janë barazisht domethënëse. Jezui e përdor autoritetin e tij hyjnor sipas planit të Perëndisë duke gjykuar dhe ndëshkuar papastërtinë dhe pafrytshmërinë e kombit të Izraelit dhe jo sipas planit njerëzor që do të zgjidhte gjykimin dhe ndëshkimin e pushtuesve romakë.
Jezui nuk erdhi si një shpëtimtar politik apo ushtarak, por erdhi si Shpëtimtari prej vdekjes e mëkatit dhe si Mbreti i një Mbretërie qiellore. Prandaj, krerët e Izraelit nuk do ta kenë të vështirë që t’i bëjnë për vete turmat e njerëzve në Jerusalem për të kërkuar në pak ditë kryqëzimin e Mesisë së Izraelit që gjykoi Izraelin.
PROPOZIMI QENDROR
BESIMI I PAVËRTETË DËNOHET DHE ËSHTË I PAFRYTSHËM, NDËRSA BESIMI I VËRTETË SHPËRBLEHET ME PËRGJIGJE NDAJ LUTJEVE.
I. Jezui Ndëshkon Besimin e Pavërtetë dhe Shterp të Izraelit (v. 18-20)
Mallkimi dhe tharja e fikut ndanë udhës për në Jerusalem përbëjnë një mjet audioviziv mësimdhënës, tejet efikas, për autoritetin hyjnor të Jezu Krishtit në ndëshkimin e kombit të Izraelit për korruptimin dhe shterpësinë e besimit. Fiku në fjalë është një monument i Izraelit të pabindur e të pafrytshëm.
Gjethet e fikut nuk mbulojnë dot realitetin e mungesës së fryteve. Ato thjesht ilustrojnë hipokrizinë e riteve fetare të Izraelit që nuk i beson Mbretit të vet. Mosbesimi i Izraelit dhe mosbindja ndaj të vërtetës së Krishtit marrin ndëshkimin e merituar dhe të paralajmëruar.
“Nëse nuk e dëgjon zërin e ZOTIT, Perëndisë tënd, dhe nuk i mban e nuk i zbaton të gjitha urdhërimet dhe rregullat e tij, të cilat po t’i urdhëroj sot, do të të mbulojnë e përcjellin të gjitha këto mallkime: i mallkuar do të jesh në qytet e i mallkuar në fushë … ZOTI do të lëshojë mbi ty e mbi çdo vepër të duarve të tua mallkim, çoroditje e mbrapshti. Kështu do të shkatërrohesh e zhbëhesh me të shpejtë, për shkak të ligësisë që bëre kur më harrove” (Ligji i përtërirë 28:15-16, 20).
Zëvendësimi i të vërtetës së Perëndisë të zbuluar në Shkrimin e shenjtë me rregullat e traditat njerëzore kishte sjellë korruptimin e besimit të Izraelit në atë masë sa nuk e njohu Mesinë e vet kur ai erdhi për ta shpëtuar.
“Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të e tha: «Ah sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu. Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty e fëmijët e tu dhe nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar»” (Luka 19:41-44).
Besimi i pavërtetë është i pafrytshëm. Izraeli ishte pema e Perëndisë e mbjellë në botë për të dhënë fryte të dashurisë, të paqes, të mirësisë dhe të drejtësisë. Por e shkëputur nga Krishti, larg burimit të jetës, kjo pemë nuk mund të jepte fryte dhe nuk mund të mos thahej.
Mallkimi dhe tharja e fikut tregojnë ndëshkimin e Zotit për pabesinë dhe pafrytshmërinë e Izraelit. Rreth dyzet vjet më vonë, romakët do të shkatërronin qytetin dhe tempullin dhe do të dëbonin njerëzit. Këto do të ishin pasojat e tmerrshme të mosbindjes ndaj thirrjes për pendim dhe besim në Mbretin Jezu Krisht.
II. Jezui Shpërblen Besimin e Vërtetë me Përgjigje për Lutjet (v. 21-22)
Jezui e përdori pyetjen e dishepujve të habitur nga tharja e fikut për t’iu mësuar atyre natyrën e besimit të vërtetë dhe fuqinë e lutjes. Besimi i vërtetë dhe lutja e sinqertë do të shpërblehen nga Zoti.
Besimi i vërtetë tregohet me vepra. Jezui u tha ndjekësve të tij: “Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim dhe të mos ngurronit, do të bënit jo vetëm çfarë i bëra unë fikut, por do t’i thoshit këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe kjo do të ndodhte” (v. 21).
Besimi i vërtetë nuk ngurron, por vepron. Besimi i vërtetë shprehet në vepra që kryhen në fuqinë e Zotit. Perëndia kërkon besim dhe bindje ndaj Fjalës së tij. Besimi dhe bindja ndaj Fjalës së Perëndisë sjellin edhe bekimin e Perëndisë në jetën tonë.
“Nëse vërtet e dëgjon zërin e ZOTIT, Perëndisë tënd, dhe i mban e i zbaton të gjitha urdhërimet e tij, që unë po të urdhëroj sot, ZOTI, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi çdo komb në tokë. Nëse e dëgjon zërin e ZOTIT, Perëndisë tënd, do të të mbulojnë të gjitha këto bekime: i bekuar do të jesh në qytet e i bekuar në fushë … ZOTI do ta dërgojë bekimin e tij mbi drithnikët e tu dhe gjithë punët e tua. Ai do të të bekojë në tokën që po të jep ZOTI, Perëndia yt” (Ligji i përtërirë 28:1-3, 8).
Besimtarët e vërtetë veprojnë në bazë të besimit në Zotin për qenë të frytshëm dhe luten me besim për të marrë përgjigje prej Zotit. Besimi i vërtetë përfshin veprimin dhe lutjen.
Jezui premton shpërblimin e lutjes me besim. Lutja me besim është lutja në përputhje me vullnetin dhe sovranitetin e Perëndisë. Lutja me besim është lutja e njeriut me zemër të pastër dhe me dëshirë për të përlëvduar Perëndinë. Lutja me besim është lutja në emrin e Jezuit që do të thotë lutja për çfarë Jezui lutet dhe për çfarë Jezui dëshiron.
Besimi i vërtetë lëviz malet. Kjo do të thotë se besimi i vërtetë na vendos në anën e Perëndisë së dashur dhe të gjithëfuqishëm që vepron në ne dhe për ne për të realizuar qëllimin e tij. Malet përfaqësojnë pengesat që na dalin përpara në realizimin e qëllimit të Perëndisë për jetën tonë.
Lutja me besim është lutje sipas vullnetit të Krishtit. Nuk është lutje me besimin në besim, as lutje me besimin tek vetja, por është lutje e informuar nga e vërteta e Perëndisë.
Përgjigjja ndaj lutjeve është shpërblimi që Jezui na premton nëse jemi penduar për mëkatin dhe jemi kthyer me besim te Perëndia. Besimi dhe bindja ndaj Perëndisë sigurojnë bekimet e Mbretit Jezu Krisht në jetën tonë.
PËRFUNDIMI
Jezui ushtroi autoritetin e tij hyjnor në mallkimin e fikut dhe pastrimin e tempullit për të gjykuar dhe dënuar adhurimin e pavërtetë dhe mungesën e fryteve të besimit në kombin e tij të Izraelit. Kështu ai na mësoi për nevojën e adhurimit dhe besimit të vërtetë.
Adhurimi që Jezui kërkon dhe pranon është adhurimi në shpirt dhe në të vërtetë. Besimi që Jezui shpërblen është rezultat i bindjes tonë për t’u penduar dhe për ta pranuar autoritetin e tij në jetën tonë. Ky besim shprehet në vepra dhe fryte në fuqinë e Perëndisë.
Të veprosh sipas Fjalës së Perëndisë do të thotë të bësh çfarë Perëndia dëshiron dhe të marrësh çfarë Perëndia premton. Malet që lëviz lutja janë pengesat për të bërë dhe për të marrë çfarë Perëndia dëshiron për ne. Këto male, këto pengesa, zhvendosen kur ne këmbëngulim në lutje me besim.
“Mos u shqetësoni për asgjë, po për çdo gjë drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë me lutje, me përgjërime dhe me falënderime. Paqja e Perëndisë, që shkon përtej zgjuarsisë së mendjes njerëzore, do të ruajë zemrat dhe mendimet tuaja, që të jenë pranë Krishtit Jezu”(Filipianëve 4:6-7).
nga Zef Nikolla