Çështja e autoritetit të Mbretit

HYRJE

“Jezui iu afrua dhe u tha: «Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë»” (Mateu‬ ‭28:18‬).

Autoriteti dhe fuqia janë dy gjëra të ndryshme. Autoriteti është e drejta dhe privilegji për të urdhëruar apo kërkuar bindje dhe besim. Fuqia është aftësia dhe mundësia për të imponuar bindje. Autoriteti ushtrohet në mënyrë të ligjshme duke përdorur fuqinë, ndërsa fuqia mund të ushtrohet edhe në mënyrë të jashtëligjshme e zhveshur nga autoriteti.

Jezu Krishti është Perëndia që erdhi në botë me trup njeriu. Duke qenë Zot e njeri bashkë, Jezui ka autoritet të plotë dhe fuqi të plotë. Pra, Jezui është i gjithëpushtetshëm dhe fuqiplotë. Ai ka të drejtën dhe fuqinë për të kërkuar bindje dhe besim.

Kundërshtarët e Jezuit, ata që e kishin ndarë mendjen për të mos iu binduar dhe për të mos e besuar, nuk mund të mohonin fuqinë e tij përballë realitetit të shenjave dhe mrekullive të shumta. Prandaj, ata u kapën pas çështjes së autoritetit, të drejtës apo ligjshmërisë së Jezuit për të vepruar me fuqi të mbinatyrshme.

Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot, Jezui i lë sërish pa fjalë kundërshtarët e tij duke i kapur në kurthin që ata vetë kishin ngritur në lidhje me çështjen e autoritetit.

TEKSTI BIBLIK

23 Jezui kishte hyrë në tempull dhe po mësonte njerëzit kur kryepriftërinjtë e pleqtë shkuan tek ai dhe e pyetën: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë autoritet?».
24 Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju. Nëse më përgjigjeni, atëherë edhe unë do t’ju tregoj me ç’autoritet i bëj këto gjëra.
25 Prej nga vinte pagëzimi i Gjonit? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”.
26 Po të themi “prej njerëzve”, kemi frikë nga turma, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet».
27 Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç’autoritet i bëj këto gjëra» (Mateu‬ ‭21:23-27‬).

Konteksti Historik

Janë ditët e fundit të shërbesës tokësore të Jezuit në javën e Pashkës së hebrenjve. Një ditë pasi ka pastruar tempullin dhe ka denoncuar e gjykuar korrupsionin e krerëve fetarë të Izraelit dhe pafrytshmërinë e judaizmit të larguar nga e vërteta e Shkrimit të Shenjtë, Jezui është rikthyer në tempull ku po u mëson njerëzve të vërtetën e Perëndisë.

Në kohën e Jezuit, sinedri, gjykata e lartë e hebrenjve, me qëllimin për të kontrolluar jetën shpirtërore të njerëzve, i kishte dhënë vetes fuqinë për të autorizuar rabinët ose mësuesit e Izraelit. Krerët fetarë të Izraelit e dinin që Jezui nuk kishte marrë lejen e tyre për të predikuar dhe për të shëruar. Jezui jo vetëm që nuk ishte pjesë e sistemit të tyre të korruptuar, por e kishte demaskuar rregullisht hipokrizinë dhe ligësinë e tyre.

Duket sikur krerët e Izraelit e kanë marrë veten pas tronditjes së gjykimit të një dite më parë, kur Jezui pastroi tempullin e keqadministruar prej tyre. Ata e dinë se Jezui e konsideron veten të autorizuar nga Perëndia dhe jo nga njerëzit. Ata e dinë se Jezui shpall se vepron me autoritetin e Mesisë, Mbretit dhe Zotit të Izraelit dhe mbarë botës. Prandaj, kanë ardhur për t’i kërkuar llogari me shpresën për ta zënë në kurthin e blasfemisë së supozuar prej tyre.

Jezui, që i kupton qëllimet e tyre djallëzore, iu përgjigjet duke mos u përgjigjur. Ai ua mbyll gojën krerëve të Izraelit, siç kishte bërë gjithmonë, duke i zënë në kurthin e tyre.

PROPOZIMI QENDROR

JEZUI ËSHTË MBRETI DHE ZOTI I GJITHËPUSHTETSHËM TË CILIT NE TË GJITHË DUHET T’I BINDEMI DHE T’I BESOJMË.

I. Krerët e Izraelit Sfidojnë Autoritetin Hyjnor të Mbretit dhe Zotit Jezu Krisht – v. 23

Pyetja e krerëve të Izraelit në lidhje me autoritetin e Jezuit është dashakeqe dhe e pasinqertë. Ata kërkojnë më kot ta diskreditojnë para njerëzve dhe ta dënojnë duke e akuzuar për blasfemi.

Nga njëra anë, duan t’i thonë popullit se Jezui nuk është rabin (mësues) i miratuar prej tyre dhe, nga ana tjetër, duan të kenë dëshmitarë për pohimin e Jezuit i cili, duke qenë njeri, e barazon veten me Perëndinë. Pyetja është një kurth i mirëpërgatitur sipas mendjes dhe planeve të tyre vrastare.

Por Jezui ka rreth tre vjet që rregullisht ka demonstruar me fjalë dhe me vepra të mbinatyrshme se është Perëndia Bir i mishëruar, që vepron në unison me Perëndinë Atë, që fuqizohet prej Perëndisë Shpirt i Shenjtë. Jezui jo vetëm që nuk e ka fshehur identitetin dhe burimin e autoritetit të tij hyjnor, por ka zbuluar dhe zgjeruar njohjen dhe të vërtetën e Perëndisë Trini për të gjithë ata që përmes besimit dhe bindjes kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.

Mosbesimi i krerëve të Izraelit i ka verbuar ata ndaj njohjes së të vërtetës së lavdishme të Mbretit dhe Zotit Jezu Krisht. Ata nuk e hetojnë Jezuin për t’i besuar, nuk vijnë tek ai për t’iu bindur, por kërkojnë t’i shkojnë deri në fund planit të tyre për ta vrarë. Ata që kanë ngritur kurthin e blasfemisë ndaj Jezuit, tashmë e kanë kryer vetë këtë mëkat të pafalshëm me akuzën se ai vepron me fuqinë e djallit (Mateu 12:24).

Pyetja e tyre për autoritetin do t’i japë Jezuit një rast tjetër për t’i ekspozuar si hipokritë, burracakë e të pabesë. Kjo pyetje do të bëhet shkak që Jezui të prezantojë edhe një sërë mësimesh e shëmbëlltyrash të tjera që do të ndriçojnë ndjekësit e tij. Ndërsa për krerët e Izraelit që nuk kanë parë asgjë nga drita e të vërtetës së tij deri më tani, drita do të fiket tërësisht.

II. Mbreti dhe Zoti Jezu Krisht Sfidon Autoritetin Njerëzor të Krerëve të Izraelit – v. 24-27

Jezui është drita që ka ardhur në botë për të ndriçuar ata që duan të ndriçohen. Mosbesimi dhe mosbindja e krerëve të Izraelit ndaj mësimit të Jezuit do u heqë atyre çdo mundësi për ndriçim të mëtejshëm.

Jezui i përgjigjet pyetjes për çështjen e autoritetit të tij me një pyetje si kusht për krerët e Izraelit që të marrin ndriçim të mëtejshëm. A do ta pranojnë apo do ta mohojnë ata autoritetin e Gjon Pagëzorit si profet?

Gjon Pagëzori erdhi si pararendës i Jezuit për të përgatitur udhën që Izraeli të pranonte Mesinë, Mbretin dhe Perëndinë e vet. Gjoni u bëri thirrje bashkëkombasve të tij që të pendoheshin për mëkatet dhe të ktheheshin te Perëndia me besim.

«Perëndia dërgoi një njeri që quhej Gjon. Ai erdhi të jepte dëshmi për dritën, që të gjithë të besojnë nëpërmjet tij. Ai nuk ishte drita, por dëshmitar i dritës» (Gjoni‬ ‭1:6-8‬).

«Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij dhe tha: «Ja Qengji i Perëndisë, që merr mbi vete mëkatin e botës! Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje”» (Gjoni‬ ‭1:29-30‬).

Krerët e Izraelit nuk ishin përgatitur të përballeshin me pyetjen e Jezuit për autoritetin e Gjon Pagëzorit. Kjo pyetje i zhyti ata në një dilemë të madhe.

Sigurisht ata nuk pranonin që Gjoni ishte profet sepse përndryshe do të ishin penduar për mëkatin dhe do të kishin besuar Jezuin. Por nëse do të përgjigjeshin se Gjoni nuk ishte profet, atëherë do të përballeshin me zemërimin e njerëzve që e mbanin Gjonin për të tillë.

Krerët e Izraelit e përndjekin Jezuin sepse nuk pranuan as dëshminë e tij dhe as dëshminë e Gjonit. Megjithatë, në përputhje me hipokrizinë dhe paburrërinë që i karakterizonte, ata i apelojnë injorancës si justifikim për të mos u përgjigjur.

Por Jezui nuk pranon t’i shfajësojë për injorancën që ata duan ta përdorin si hile për të fshehur të vërtetën. Dhe, në përputhje me fjalën që kishte thënë, Jezui refuzon t’u japë krerëve të Izraelit provën që kërkojnë për të mbështetur akuzën e pavërtetë për blasfemi. Ata ranë në kurthin e tyre.

PËRFUNDIMI

Jezu Krishti është Mbreti dhe Zoti i Izraelit. Ai është Mbreti i mbretërve dhe Zoti i gjithësisë. Ai është i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëfuqishëm. Kjo do të thotë se ai ka autoritetin për të urdhëruar dhe fuqinë për të bërë çfarë urdhëron.

«Ai ishte në botë dhe bota u bë nëpërmjet tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në vendin e vet, por njerëzit e tij nuk e pranuan. Atyre që e pranuan dhe besuan në emrin e tij, u dha të drejtën të bëhen bij të Perëndisë»
‭‭(Gjoni‬ ‭1:10-12‬).

“Të drejtën” është e njëjta fjalë që mund të ishte përkthyer autoritetin apo pushtetin.

«Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap dhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im»
‭‭(Gjoni‬ ‭10:17-18‬).

Fjala “pushtet” është e njëjta fjalë sërish që mund të ishte përkthyer “autoritet” apo “të drejtë”. Është e njëjta fjalë për të cilën krerët e Izraelit e pyetën Jezuin te Mateu 21:23.

Lum kush e pranon autoritetin hyjnor të Jezuit! Lum kush e ndjek Jezuin me besim si Mbret, Zot dhe Shpëtimtar! Atyre Jezui u jep jetë me tepri dhe dritë me tepri.

Por mjerë njeriu që këmbëngul në refuzimin e autoritetit hyjnor të Jezuit! Ky njeri nuk do të marrë pafundësisht të vërtetë dhe hir në këtë jetë dhe, për më tepër, do t’i duhet të përballet me dënimin e përhershëm në fund të kohës. Perëndia me të drejtë do të ndëshkojë njeriun që refuzon autoritetin, të vërtetën dhe hirin e tij.

«Sikurse thotë Shpirti i Shenjtë: Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në ditën e rebelimit gjatë tundimit në shkretëtirë, ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, ndonëse i kishin parë veprat e mia”
‭‭(Hebrenjve‬ ‭3:7-9).

Krerët e Izraelit që nuk besuan dhe nuk iu bindën autoritetit hyjnor të Jezuit nuk janë shembull i mirë për t’u ndjekur. Jezui është Mbreti dhe Zoti i gjithëpushtetshëm të cilit ne të gjithë duhet t’i besojmë dhe t’i bindemi.

Nga Zef Nikolla