1 Korintasve 11:17-34
17Megjithatë, për këto që do t’ju them tani, nuk mund t’ju përgëzoj. Kur mblidheni bashkë, është për më keq e jo për mirë. 18Së pari, dëgjova se kur mblidheni së bashku në kishë, mes jush ka përçarje dhe pjesërisht e besoj. 19Njëmend që duhet të ketë edhe ndasi ndër ju, që të dalin në pah të sprovuarit. 20Dëgjoj se kur mblidheni në një vend, nuk mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit. 21Secili nga ju ha më përpara darkën që ka sjellë me vete dhe, kështu, njëri mbetet i uritur, ndërsa tjetri dehet. 22A nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo doni të përbuzni kishën e Perëndisë e të turpëroni ata që nuk kanë? Çfarë t’ju them? T’ju përgëzoj? Për këtë nuk ju përgëzoj. Themelimi i Darkës së Zotit (Mt 26.26-29;Mk 14.22-25;Lk 22.14-20) 23Ajo që mora prej Zotit dhe jua dhashë edhe juve është kjo: Zoti Jezu atë natë që po tradhtohej mori bukën, 24tha lutjen e falënderimit, e theu e tha: «Ky është trupi im për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim». 25Po ashtu, pas darkës, mori edhe kupën dhe tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim. Sa herë që të pini prej saj, bëjeni këtë në përkujtimin tim». 26Sa herë që hani nga kjo bukë dhe pini nga kjo kupë, ju lajmëroni vdekjen e Zotit derisa të vijë ai. Padenjësisht në Darkën e Zotit 27Prandaj ai që ha bukën e Zotit, apo pi kupën e tij padenjësisht, është fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotit. 28Kështu, secili të shqyrtojë më parë veten dhe pastaj të hajë nga buka e të pijë nga kupa. 29Kush ha e kush pi pa e dalluar trupin e Zotit, ha e pi dënimin e vet. 30Për këtë arsye ka mes jush shumë të dobët, të sëmurë dhe mjaft kanë vdekur. 31Sepse po të shqyrtojmë veten, nuk do të dënohemi. 32Kur na gjykon Zoti, na gjykon për të na ndrequr e jo për të na dënuar bashkë me botën. 33Kështu, o vëllezër, kur të mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit, prisni njëri-tjetrin. 34Kush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për të marrë gjykimin e Zotit. Të tjerat do t’i rregulloj kur të vij vetë.
Ka vetëm dy sakramente, ose praktika të urdhëruara nga Zoti Jezus, të cilat kisha duhet ti bëj dhe zbatoj me devotshmëri: 1. Darka e Zotit dhe 2. Pagëzimi.
Të dyja këto praktika të shenjta, janë pjesë e pandashme e jetës së kishës sonë, dhe është e udhës, që për arsye të ndryshme, të rishikojmë rëndësinë e secilës prej tyre, kohë pas kohe me qëllim që mos të humbim fillin dhe arsyen përse i praktikojmë ato.
Sot do të shikojmë thellësisht praktikën e Darkës së Zotit. Pse e bëjmë ne atë? A ka udhëzim të qart në bibël se si duhet bërë ajo në praktik? Çfarë peshe mbart në vetvete?
Këto pyetje dhe disa aspekte të tjera do ti shikojmë sëbashku në Fjalën e Zotit tani.
Lexojmë 1 Korintasve 11:17-34
Do ta analizojamë pjesën dhe do të shikojmë 4 aspekte kyçe të Darkës së Zotit:
- Aspekti praktik
- Angazhimi fizik
- Angazhimi mendor
- Angazhimi Frymëror
- Serioziteti i shenjtë i kësaj praktike
- Angazhimi praktik
Praktika e darkës së Zotit është themeluar nga vetë Zoti Jezus, përpara kryqëzimit të Tij. Kjo ngarje është e dokumentuar tek 3 nga ungjijtë (Mateu, Marku dhe Luka), ndërsa Gjoni fokusohet tek ngjarjet e tjera që ndodhën gjatë asaj darke (larja e këmbëve të dishepujve, etj). Tek Luka 22:19 Krishti thotë që ‘bëjeni këtë në përkujtimin tim’. Dhe nga shkrimet e Palit, siç edhe e lexuam, shikojmë që kisha e parë e vë në zbatim këtë urdhërim të Krishtit, duke përsëritur në mënyrë të vazhdueshme thyerjen e bukës dhe pirjen nga kupa.
Dhe përsëri Pali e përforcon aplikimin e këtij sakramenti, ose praktike të shenjtë, në vargjet 23-25 duke thënë: “Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: ”Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim”. Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: ”Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim”.
Termi ‘Darka e Zotit’ është term totalisht biblik dhe jo i shtuar apo i përshtatur më vonë. Tek vargu 20 Pali e cilëson atë me këtë titull dhe jo më kotë. Ky titull mbart një domethënie shumë të madhe, të cilën do ta shikojmë në vazhdim.
Por në thelb Darka e Zotit e ka origjinën tek Krishti, dhe duhet që të ketë Krishtin në qëndër të vetë. I gjithë kuptimi i darkës së Zotit është i themeluar në atë çfarë bëri Krishti dhe në atë çfarë Ai tha, dhe ne duhet ta vëzhgojmë me kujdes këtë.
Darka e Zotit konsumohet në mënyrë korrekte vetëm në kontekstin e Kishës, dhe vetëm nga ata që e kanë pranuar Zotin Jezus si Zot dhe shpëtimtar duke e shpallur publikisht këtë besim me anë të pagëzimit. Por Darka e Zotit, nuk duhet të konsumohet nga ata që nuk e kanë shpallur Jezusin si Zot të tyrë me anë të pagëzimit. Por këta persona janë shumë të mirëpritur të marrin pjesë në Darkën e Zotit duke vëzhguar në heshtje dhe duke respektuar kohën e caktuar për të.
Në këtë pikë, vlen të theksohet se Darka e Zotit është një praktik adhurimi publike dhe jo një praktik e fshehtë kultiste. Darka e Zotit konsumohet publikisht sepse në vargun 26 Pali thotë “Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.” Duhet bërë publikisht, sepse në këtë mënyrë ne shpallim veprën që Zoti Jezus ka bërë.
Gjithashtu darka e Zotit, konsumohet vetëm në kontekstin e grumbullit të të gjithë kishës, me qëllimin e të pasurit përbashkësi. 5 herë e thekson Pali në këtë pjesë rëndësinë e këtij fakti: v.17; v18; v.20; v.33; v.34.
Si përfundim për pikën e parë, duhet sjellë në vëmendje edhe shpeshtia e bërjes së Darkës së Zotit. As për këtë nuk ka instruksione të përcaktuara, përveç faktit që Krishti thotë çdo herë që të hani nga buka dhe të pin inga kupa, bëjeni këtë në përkujtimin tim. Por në kontekstin e kapitullit që po vëzhgojmë, shikojmë se Darka e Zotit ishte një praktik që bëhej, çdo herë që ata mblidheshin si kishë dhe kjo duhet të ketë qënë çdo javë kur kisha mblidhej për adhurim. Prandaj edhe ne si kishë, i qëndrojmë kësaj shpeshtie për Darkën e Zotit.
2. Angazhimi fizik
Darka e Zotit ka dy element: Bukën edhe Kupën! Sipas analogjisë që vetë Krishti përdor, buka simbolizon trupin e Tij të bërë fli për ne, dhe kupa simbolizon gjakun e Tij të derdhur për beslidhjen e re. Por nuk ka asnjë instruksion se çfarë lloj buke duhet përdorur, prandaj në këtë pikë ne kemi lirinë të përdorim çfarë do lloj buke që është e përshtatshme në kontekstin tonë.
Kurse për kupën ka vetëm 1 informacion, se çfarë ka pasur. Tek të tre ungjijtë e parë citohet kjo gjë, kështu që po marrim si referencë Mateu 26:29 që thotë: “Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim”. Ne përdorim verën, si një nga frytet më të pranueshme të hardhisë në këtë aspek. Por ka disa kisha që përdorin lëngun e rrushit, dhe duke u nisur nga konteksti, mendoj që të dyja janë korrekte.
Angazhimi jonë fizik në Darkën e Zotit, është akti i të ngrënit dhe të pirit. Kjo është baza e pjesmarrjes sonë.
3. Angazhimi mendor
Nëse angazhimi jonë fizik në Darkën e Zotit është të ngrënit të bukës dhe të pirit nga kupa, angazhimi jonë mendor është të kujtuarit ose përkujtimi. Në vargjet 24 dhe 25 dëgjojmë Krishtin të thotë ‘bëjeni këtë në përkujtimin tim’.
Çfarë do të thotë kjo praktikisht? Kjo do të thotë që kur ti merr bukën, dhe kupën nuk duhet të përfshihesh në biseda nën zë me atë që ke ngjitur, nuk rri në telefon, nuk e mban mendjen tek ajo që duhet të gatuash për drekë, nuk e mban mendjen të zënë me të gjitha gjërat që po ndodhin në punë apo në shkollë apo në familje.
Por me të gjithë forcën e vullnetit tënd, ti angazhohesh që ta drejtosh mendjen dhe fokusin dhe kujtesën tënde, mbas në kohë. Dhe të kujtosh rrahjen që ju bë Krishtit, kryqëzimin dhe ringjalljen e Tij. Të kujtosh në mënyrë të përqëndruar dhe të qëllimshme, veprën që bëri Krishti në kryq. Dhe ky përkujtim që ti duhet të bësh është përkujtimi i një fakti historik, që ka ndodhur me të vërtet, dhe që në këtë mënyrë ti tregosh mendjes tënde dhe frymës tënde, që kjo ka ndodhur me të vërtet.
Nuk është aspak e pranueshme që gjatë Darkës së Zotit, ti që je shpenguar me gjakun e Krishtit të merresh me çdo gjë tjetër dhe jo me të përkujtuar veprën e Krishtit. Shepesh herë e kam gjetur veten duke e bërë në fraksionin e sekondit. Jo, nuk është e drejtë. Përkujtimi kërkon përqëndrim me vullnet dhe qëllim, duke hequr çdo shpërqëndrim në atë moment. Nëse është e nevojshme të mbyllësh sytë mbylli, nëse jo, mbaji hapur. Por ama përqëndrohu dhe angazhohu për të kujtuar Krishtin, sepse jeta jote varet pikërisht tek ai moment në histori.
Mos e merrni lehtë vëllezër dhe motra, mos e bëni si rit fetar sa për të kaluar radhën, sepse siç do ta shikojmë pak më vonë, për Zotin kjo darkë dhe koha që kalojmë në të ka një rëndësi të shenjtë që kurrsesi ne nuk duhet ta shkelim me këmbë.
4. Angazhimi Frymëror
Arsyeja pse unë do ti jap rëndësi kësaj pike, është sepse dy angazhimet e para mund të bëhen edhe nga jo-besimtarët, madje nëse djalli mund të kishte trup edhe ai mund ti bënte dy angazhimet e para: mund të haj, të pi dhe të kujtojë eventin historik të kryqëzimit.
A është vetëm kaq? Çfarë kuptimi ka në vetvete thënia e Krishtit ‘hani sepse është trupi im’ dhe ‘pini sepse është gjaku im’? Pali vendos një themel për këtë çështje tek kapitulli 10. Lexojmë 1 Korintasve 10:15-18 “Po ju flas si të mençur, gjykojeni ju atë që them: kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit? Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë. Shikoni Izraelin sipas mishit: ata që hanë flijimet a nuk janë pjesëmarrës të altarit?
Pali thotë se ‘a nuk marrim pjesë në gjakun e Krishtit kur pimë nga kupa’ dhe ‘a nuk marrim pjesë në trupin e Krishtit kur hamë nga buka’? Dhe në vargun 17 thotë ‘Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë.’ Është duke thënë, që ne vijmë në unitet, bëhemi 1 trup i vetëm, bashkohemi në një sepse marrim pjesë në të vetmen bukë.
Dhe vargu 18 është kyç. Ai po bën një analogji me atë që ndodhte në dhjatën e vjetër. Izraelitët, kur ofronin holokauste në altar, ata bëheshin pjesmarrës të altarit. Por nga Dhjata e Vjetër ne e dimë që askush nuk hante fizikisht mishin e djegur me zjarr dhe gjakun e spërkatur atje. Prandaj pjesmarrja në altar, gjithmonë ka pasur të bëjë me të marrit, atë që realizohet në altar: faljen e mëkateve dhe rregullimin e marrdhënies me Perëndinë.
Si aplikohet kjo për ne? Kur ne ham nga buka dhe pimë nga kupa, nëpërmjet besimit, edhe ne bëhemi pjesë të altarit ku Krishti u flijua. Nëpërmjet besimit ne ushqehemi, me atë çfarë ofrohet në trupin e Tij dhe në jgakun e Tij. Dhe në altarin e Krishtit, në kryqëzimin e Tij, ofrohet falja e mëkateve, dhe pajtimi me Perëndinë. Prandaj, me anë të besimit ne duhet ta përqafojmë, ta marrim të gjithën, ta hamë, të ushqehemi me të gjithën që Krishti ka bërë në Kryq.
Prandaj termi ‘Darka e Zotit’ ka rëndësi, sepse nëpërmjet besimit ne futemi në një gosti të bollshme për shpirtin tonë. Tek 2 Korintasve 1:20 Pali thotë se ‘Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe “amen” në Krishtin’. Krishti pagoi dhe hoqi çdo pengesë midis nesh dhe bekimeve të Perëndisë. Prandaj kur ne dalim nga darka e Zotit, çdo të dileë, duhet të dalim të ngopur me falje, hir, dashuri, mirëshirë, mirësi, gëzim, të pajtuar me Perëndinë dhe plotë me bekimet e pafunda qiellore.
Vini re, më lartë tham që Darka e Zotit merret vetëm nga ata që kanë vendosur besimin e tyre tek Krishti, sepse pikërisht këto bekime nuk merren nga ata që nuk e kanë vendosur besimin e tyre tek Krishti.
Pasi të kesh marr nga Darka e Zotit, dhe frymërisht të jesh ushqyer me bollëk, kjo duhet të rezultojë praktikisht në rregullimin e mardhënieve me njëri-tjetrin. Nëse për arsye të caktuara, ke problem me një vëlla apo me një motër, duhet zgjidhur menjëherë duke treguar frytin e angazhimit tënd korrekt në Darkën e Zotit.
Prandaj duhet ti kushtojmë mund këtij aspekti që të rritemi në mënyrën se si e praktikojmë angazhin tonë frymëror.
5. Rëndësia e shenjtë e Darkës së Zotit
Unë personalisht jam rritur si besimtar, me një ndjenjë frike dhe faji sa herë kam ngrënë nga buka dhe kam pirë nga kupa, sepse nuk e dija nëse kam marr prej tyre në mënyrë të denjë. Dhe ndoshta edhe shumë prej jush jeni ndjerë në të njëjtën mënyrë, sepse në vargun 28 Pali thotë që ‘secili të shqyrtoj veten dhe mos të marr pjesë padenjësisht’.
Por çfarë do të thotë kjo? A ka të bëjë shqyrtimi i vetes për mëkatet që ne mund të kemi bërë gjatë javës, a ka të bëjë shqyrtimi i vetes në lidhje me të qënit i pastër pa mëkat? Nëse do të ishte kështu, kush nga ne do të ishte ndonjëherë të vetme i denjë për të marr pjesë në Darkën e Zotit? Në fakt Darka e Zotit egziston pikërisht sepse ne nuk jemi të denjë.
Konteksti I padenjësisë dhe nevojës për të shqyrtuar veten ka lidhje vetëm me një gjë. Ka të bëjë me dallimin e trupit të Zotit (vargu 29). Besimtarët në kishën e Korintit ishin duke bërë shkelje të mëdha. Në radhë të parë ata kishin krijuar grupime, duke prishur unitetin e Kishës (të trupit). Së dyti ata përçmonin njëri-tjetrin në marrdhëniet mes tyre, duke ulur disa e duke ngritur disa të tjerë.
Askush nuk mundet dhe nuk duhet të cënoj trupin e Zotit, kishën e Tij për asnjëlloj arsye. Nuk duhet të trajtojmë njëri-tjetrin ca si të nënës e ca si të njerkës. Nuk duhet ta masim vlerën e njëri-tjetrit me s ana hahet muhabeti – me këtë shkoj mirë se më hahet muhabeti, kurse më këtë jo se nuk më lidh ndonjë gjë). Nuk duhet të përçmojmë njëri-tjetrin për kapacitetin e të menudarit dhe të vepruarit, sikur jemi më të mirë vetë. Nuk duhet të bëjmë thashetheme për njëri-tjetrin, sepse e zhveshim njëri-tjetrin nga vlera që ka në Zotin.
Prandaj vëllezër dhe motra, shqyrtimi I vetvetes ka të bëjë me këto dy aspekte: a. A është Krishti fokusi primar i jetës sime; b. Si po e trajtoj unë trupin e Zotit?.
Por shqyrëtimi nuk ka të bëjë me ndonjë mëkat që mund të kesh bërë ti gjatë javës apo gjatë ditës, sepse ashtu askush nuk duhet të haj nga buka dhe të pijë nga kupa. Por në Darkën e Zotit ka falje për ato mëkate, ka paqtim dhe pajtim me Zotin në mënyrë të vazhdueshme.
Dhe si përfundim një analiz të shkurtër të vargjeve 29-32. Në thelb Pali është duke thënë se kushdo angazhohet padenjësisht në Darkën e Zotit për arsyet që sapo shpjeguam, ha dhe pi një dënim për veten e vet. Dhe madje tregon se kjo gjë është e vërtetueshme në mes të kishës në Korint (vargu 30).
Për çfarë dënimi e ka fjalën Pali? Pali e jep përgjigjen në vargun 32: Kur ne gjykohemi për shkak se nuk dallojmë dhe dëmtojmë trupin e Zotit, disiplinohemi nga Zoti që të mos dënohemi bashk me botën. Pra, disiplinohemi me qëllim që mos të gjykohemi dhe dënohemi si bota, që është ndarja nga Perëndia.
Darka e Zotit ka një rëndësi kaq të madhe vëllezër dhe motra, saqë Zoti e merr shumë seriozisht duke sjell pasoja mfajt të rënda me qëllim disiplinimin.
A duhet ta marrim edhe ne seriozisht? Në këtë moment, do të ftoja të gjithë ata që e kanë dëshmuar me anë të pagëzimit se zoti Jezus është shpëtimtari i tyre, të marrin një kohë reflektimi përpara Zotit dhe pastaj të anagazhohen fizikisht duke ngrënë nga buka dhe pirë nga kupa, të angazhohen mendërisht duke kujtuar në mënyrë të përqëndruar veprën e Krishtit, të angazhohen në mënyrë frymërore me qëllim që të ushqehen në gostinë që ka siguruar Zoti në kryq, duke mbajtur një qëndrim serioz dhe drejtë ndaj trupit të Zotit, kishës së blerë me gjakun e Tij.
Nga Ermal Bimaj