HYRJE
Kur Perëndia erdhi në botë në personin e Jezuit, krerët fetarë të Izraelit ishin ndër kundërshtarët e tij më të flaktë. Ata nuk lanë rast pa shfrytëzuar dhe gjë pa sajuar për ta zënë në kurth Jezuin. Megjithatë, Zoti Jezu Krisht jo vetëm nuk ra asnjëherë në kurthet e tyre, por i la gjithmonë pa fjalë me përgjigjet e tij të shkëlqyera.
Pasazhi që do të shqyrtojmë sot tregon për një rast tjetër kur një studiues i Shkrimit të Shenjtë u përpoq ta zinte Jezuin në kurth duke e pyetur për urdhërimin më të rëndësishëm. Jezui iu përgjigj kësaj pyetjeje duke theksuar se dashuria për Perëndinë dhe dashuria për njeriun përmbledhin gjithë mësimin që gjendet në Shkrimin e Shenjtë.
TEKSTI BIBLIK
34 Kur dëgjuan se Jezui ua kishte mbyllur gojën saducenjve, farisenjtë u mblodhën
35 dhe njëri prej tyre, një mësues i ligjit të Moisiut, e pyeti për ta zënë në kurth:
36 «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit të Moisiut?».
37 Jezui i tha: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.
38 Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari.
39 Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: Duaje tjetrin si veten.
40 Nga këto dy urdhërime varen tërë ligji i Moisiut dhe profetët» (Mateu 22:34-40).
Konteksti Historik
Është java festive e Pashkës së judenjve dhe java e fundit e shërbesës tokësore të Jezuit.
Jezui është pritur si Mbret dhe Shpëtimtar nga ndjekësit e tij në Jerusalem. Ai ka pranuar adhurimin si Zot dhe ka vërtetuar autoritetin e tij hyjnor në gjykimet, mësimet dhe mrekullitë që ka bërë në sy të ndjekësve dhe përndjekësve të tij.
Ky pasazh përmban pyetjen e tretë dhe të fundit që i bënë Jezuit kundërshtarët e tij në përpjekjen e dështuar për ta zënë në kurth.
PROPOZIMI QENDROR
MËSIMI THELBËSOR I SHKRIMIT TË SHENJTË KA TË BËJË ME DASHURINË PËR PERËNDINË DHE DASHURINË PËR NJERIUN.
I. Urdhërimi Për Të Dashur Perëndinë Është Urdhërimi Më i Madh Dhe i Pari – v. 37-38.
Mësuesit e ligjit ishin studiues të kujdesshëm të Shkrimeve. Ndonëse përgjithësisht mbanin anën e kundërshtarëve të Jezuit, ata shpesh e kuptonin dhe ishin të detyruar ta pranonin se Jezui fliste drejt. Në v. 35-36 lexojmë: “Njëri prej tyre, një mësues i ligjit të Moisiut, e pyeti për ta zënë në kurth: «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit të Moisiut?»
Jezui sigurisht u përgjigj sërish drejt. Ai tha se urdhërimi i parë më i rëndësishëm është të duash Perëndinë e vetëm e të vërtetë me gjithçka.
Dashuria për Perëndinë fillon me besimin në Perëndinë.
“Besimi është siguria për gjërat që shpresohen dhe njohja e gjërave që nuk shihen. Pa besim është e pamundur t’i pëlqejë njeri Perëndisë, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ka Perëndi dhe se Perëndia i shpërblen ata që e kërkojnë” (Hebrenjve 11:1, 6).
Jezui na mëson se Perëndia meriton vendin e parë në jetën tonë. Ai meriton të jetë mendimi ynë i parë dhe dashuria më e madhe e jetës tonë. Në fakt, Jezui e tha troç: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari” (Mateu 22:37-38).
Si mund ta zbatojmë këtë urdhërim?
Zbatimi fillon me zhvillimin e marrëdhënies tonë të dashurisë me Perëndinë duke komunikuar me Perëndinë në lutje dhe leximin e Biblës. Pa komunikim nuk ka marrëdhënie. Perëndia na dëgjon kur i lutemi; Perëndia na flet në Fjalën e tij.
Marrëdhënia jonë e dashurisë me Perëndinë shprehet në zbatimin e urdhërimeve të tij. Jezui tha: “Kush i ka urdhërimet e mia dhe i zbaton ato, ai më do. Atë që më do mua, do ta dojë Ati im. Edhe unë do ta dua dhe do t’i shfaqem” (Gjoni 14:21).
Investimi në marrëdhënien tonë me Perëndinë është investimi më i dobishëm që mund të bëjmë. Marrëdhënia jonë me Perëndinë është marrëdhënia më e rëndësishme për të cilën jemi krijuar.
II. Urdhërimi Për Të Dashur Tjetrin Si Veten Është Urdhërimi i Dytë Më i Madh – v. 39.
Jezui nuk e ndau urdhërimin e parë më të rëndësishëm nga urdhërimi i dytë më i rëndësishëm. Ai e vazhdoi përgjigjen ndaj pyetjes duke thënë:
“Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: Duaje tjetrin si veten” (Mateu 22:39).
Sipas këtyre fjalëve të Jezuit ne nuk duhet ta ndajmë zhvillimin e marrëdhënies së dashurisë për Perëndinë nga zhvillimi i marrëdhënies së dashurisë për njerëzit. Dashuria për Perëndinë nuk ndahet nga dashuria për tjetrin sepse tjetri është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë njësoj si unë dhe ti. Në fakt, Jezui tha: “Nga këto dy urdhërime varen tërë ligji i Moisiut dhe profetët” (v. 40).
Si mund ta zbatojmë këtë urdhërim?
Dashuria për të tjerët e nënkupton dashurinë për veten. Jezui tha t’i duam të tjerët “si veten”. Dashuria e njeriut për veten përgjithësisht është e natyrshme. Megjithatë, kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë. Ia vlen të kujtojmë se dashuria për veten është tërthorazi pjesë e urdhërimit të dytë më të rëndësishëm.
Megjithatë, thelbi i urdhërimit të dytë më të rëndësishëm është dashuria që duhet të kemi për të tjerët. Cilësia e dashurisë për të tjerët duhet të jetë e njëjtë me dashurinë për veten. Kjo përputhet plotësisht me parashtrimin që Jezui i bëri Rregullit të Artë: “Bëjuni të tjerëve atë që dëshironi t’ju bëjnë ata juve. Në këtë përmblidhen ligji i Moisiut dhe profetët” (Mateu 7:12).
Ne jemi krijuar për Perëndinë. Ne jemi krijuar edhe për njëri-tjetrin. Ne jemi krijuar për marrëdhënie dashurie me Krijuesin dhe krijesën. Bindja ndaj mësimit të Shkrimit të Shenjtë kërkon të mos i neglizhojmë as të mos i ngatërrojmë këto marrëdhënie.
Problemi ynë përgjithësisht është përqendrimi te dashuria për veten. Egoizmi ynë është virusi vdekjeprurës i marrëdhënieve për të cilat jemi krijuar. Prandaj, rendi në të cilin Jezui i vendos këto marrëdhënie ka rëndësi: Ne do të dimë ta duam tjetrin dhe veten siç duhet vetëm kur së pari të duam Perëndinë me gjithçka. Është kështu sepse vetëm dashuria e Perëndisë mund të na dhurojë dashurinë e mjaftueshme dhe të nevojshme për të tjerët dhe veten.
Këto dashuri janë të lidhura fort. Jezui tha: “Po ju jap një urdhërim të ri: duajeni njëri-tjetrin sikurse ju kam dashur unë” (Gjoni 13:34).
Apostulli Gjon e përforcon këtë lidhje kur thotë:
“Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari. Po të thotë ndonjë: «Unë e dua Perëndinë», por urren vëllanë e vet, ai është gënjeshtar. Në fakt kush nuk do vëllanë të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e ka parë. Këtë urdhërim kemi prej tij: kush e do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet” (1 Gjonit 4:19-21).
Ja disa mënyra praktike për t’i dashur të tjerët si veten:
Mos neglizho komunikimin me të tjerët, sidomos në këtë kohë pandemie kur takimi me të tjerët është gati i pamundur.
Lutu për të tjerët siç lutesh edhe për veten.
Ndaj të mirat materiale me ata që janë në nevojë.
Mos bëj asgjë në dëm të askujt. Syno të jetosh në paqe me të gjithë. Tregoju për dashurinë e Perëndisë atyre që nuk besojnë ende.
Investimi në marrëdhënien tonë me njerëzit është investimi në marrëdhënien e dytë më të rëndësishme për të cilën jemi krijuar.
PËRFUNDIMI
Bibla na mëson se «Perëndia është dashuri» (1 Gjonit 4:8b). Mbretëria e Perëndisë është Mbretëri e dashurisë. Njeriu bëhet qytetar i kësaj Mbretërie kur pendohet dhe beson në Krishtin për shpëtimin nga gjoba e mëkatit. Shpëtimi shënon çastin kur dashuria e Perëndisë vjen në zemrën e njeriut.
Perëndia dëshiron një marrëdhënie dashurie me ne. Ai ka bërë gjithçka që nevojitet nga ana e tij për mundësimin e kësaj marrëdhënieje. “Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar” (Gjoni 3:16).
Perëndia dëshiron që ne të kemi një marrëdhënie dashurie me të tjerët. Jezui thotë se kur tregojmë dashuri për të tjerët po tregojmë dashuri për të: “Me të vërtetë po ju them se sa herë që e keni bërë këtë gjë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua” (Mateu 25:40).
Ne i dëshmojmë botës se jemi qytetarë të Mbretërisë së dashurisë hyjnore kur e duam Perëndinë me gjithë qenien tonë dhe i duam të tjerët si veten. Jezui tha: «Të gjithë do t’ju njohin që jeni dishepujt e mi nëse keni dashuri për njëri-tjetrin»(Gjoni 13:35).
Nga Zef Nikolla