Disiplina e fëmijëve të Perëndisë

HYRJE

“Besnike janë plagët e një miku, por të rreme të puthurat e një armiku” ‭- Fjalët e Urta‬ ‭27:6‬

Fëmijët e Mbretërisë janë të dashur dhe të rëndësishëm për Perëndinë. Meqenëse janë fëmijë, ata kanë ende nevojë për përkujdesje, mbrojtje, inkurajim dhe disiplinë.

Disiplina biblike synon shpëtimin, korrigjimin apo ndreqjen e personit që nuk po vepron siç duhet. Procesi i disiplinës është i domosdoshëm, megjithëse i dhimbshëm.

“Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të saj”‭ Hebrenjve‬ ‭12:11‬.

Teksti biblik që do të shqyrtojmë sot flet për procesin dhe premtimin e disiplinës së fëmijëve të Mbretërisë.

TEKSTI BIBLIK

15 «Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm. Po të dëgjoi, e ke fituar vëllanë tënd.
16 Por, nëse nuk të dëgjon, merr edhe një ose dy të tjerë me vete, që çdo fjalë të mund të mbështetet me dëshminë e dy ose tre dëshmitarëve.
17 Nëse nuk pranon t’i dëgjojë, tregoja kishës dhe, po nuk pranoi të dëgjojë as kishën, le të jetë për ty si një pagan dhe tagrambledhës».
18 «Me të vërtetë po ju them: çfarëdo që të lidhni në tokë, do të jetë e lidhur në qiell dhe çfarëdo të zgjidhni në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiell.
19 Përsëri po ju them se nëse dy prej jush bien në një mendje për diçka që duan të kërkojnë, Ati im në qiell do t’ua japë.
20 Sepse atje ku janë të mbledhur dy a tre veta në emrin tim, unë jam aty, mes tyre» (Mateu‬ ‭18:15-20‬).

Konteksti Historik

Në kontekstin e mësimit për madhështinë e vërtetë në Mbretërinë e Perëndisë, Jezui vazhdon të flasë për fëmijët e Mbretërisë. Pikat kryesore të mësimit deri më tani përfshijnë:

Madhështia matet me përuljen! Mbretëria u takon atyre që bëhen si fëmijë!
Mos guxoni të pengoni as të përçmoni asnjërin “prej këtyre të vegjëlve!”
Mbani mend: Ati nuk dëshiron të humbasë asnjëri prej tyre!

Prandaj, fëmijët e Mbretërisë duhet të disiplinohen dhe të dijnë si të disiplinojnë në mënyrë që askush prej tyre të mos humbasë. Ky është konteksti i mësimit të Jezuit këtu.

PROPOZIMI QENDROR

DISIPLINA E KISHËS ËSHTË MËNYRA SI PERËNDIA RUAN FËMIJËT E MBRETËRISË.

1.  Jezui Përshkroi Procedurën Për Disiplinën E Fëmijëve Të Mbretërisë  v. 15-17

Kur një besimtar vepron në një mënyrë të tillë që dhunon standardet e Mbretërisë në marrëdhënie me të tjerët, lind nevoja që të disiplinohet. Jezui përshkroi katër hapa të procesit të disiplinës në bashkësinë e ndjekësve të tij.

Secili hap ndërmerret me synimin e ndreqjes së personit që ka gabuar. Gjithë procesi zhvillohet në kontekstin e thënies së të vërtetës në dashuri. Pavarësisht qëndrimit të personit që disiplinohet, ata që zbatojnë disiplinën kërkohet të jenë të përulur, të duruar dhe të dhembshur.

Hapi i parë në procesin e disiplinës është shumë privat dhe përfshin vetëm dy persona. Personi i dëmtuar e qorton fajtorin vetëm për vetëm me shpresën që gjithçka të shkojë në vendin e duhur pa qenë e nevojshme të përfshihen persona të tjerë (v. 15).

Në këtë mënyrë synohet zgjidhja sa më e shpejtë e konfliktit, korrigjimi sa më i shpejtë i personit që ka gabuar, ndërgjegjësimi i fajtorit nëse ka gabuar pa vetëdije, si dhe shmangia e rrezikut të përgojimit dhe dëmtimit të reputacionit të fajtorit.

Lum personi që përulësisht e pranon qortimin në këtë fazë të procesit!

Hapi i dytë në procesin e disiplinës bëhet i nevojshëm nëse fajtori nuk e pranon qortimin ose nuk dëgjon të korrigjohet në ballafaqimin vetëm për vetëm. Në këtë rast fatkeq Jezui na mëson të marrim edhe një ose dy persona të tjerë me vete në mënyrë që gjithçka të bisedohet në praninë e dy ose tre dëshmitarëve (v. 16).

Në këtë mënyrë synohet ndihma e një ose dy besimtarëve të tjerë që të dëgjohen të dy palët. Dy besimtarët e përfshirë në konflikt kanë mundësinë të dëgjohen nga një palë e tretë që mund të jetë më objektive duke mos qenë e prekur drejtpërsëdrejti. Kështu rritet edhe më shumë mundësia që fajtori të bindet e të pranojë qortimin. Për më tepër, kështu realizohet edhe kushti për të patur dëshmitarë para kalimit në hapin tjetër në rastin shumë fatkeq kur fajtori prapë nuk pranon të dëgjojë (cfr. L. i Për. 19:15 dhe 2 Kor. 13:1 “Çdo padi duhet të jetë e mbështetur në fjalën e dy apo tre dëshmitarëve”).

Sa mirë kur personi përulësisht e pranon qortimin në këtë hap të procesit!

Hapi i tretë në procesin e disiplinës bëhet i nevojshëm kur fajtori refuzon të dëgjojë edhe në prani të dy ose tre dëshmitarëve. Në këtë rast shumë fatkeq Jezui na mëson të përfshijmë të gjithë bashkësinë e besimtarëve (v. 17a). Mbani mend, qëllimi nuk është aspak turpërimi apo ndëshkimi i fajtorit, por ndreqja e tij ndërsa përballet me të vërtetën në dashuri.

Lavdi Zotit kur fajtori pendohet dhe korrigjohet si rezultat i përkujdesjes së gjithë kishës për të!

Hapi i katërt dhe i fundit në procesin e disiplinës bëhet i nevojshëm vetëm kur tre hapat e parë nuk kanë dhënë rezultat. Ky është rasti më fatkeq në të cilin Jezui na mëson ta trajtojmë sikur të ishte jobesimtar fajtorin që nuk pranon të dëgjojë as kishën (v. 17b). Kjo do të thotë se fajtori nuk lejohet të jetë pjesë e atyre gjërave që i takojnë vetëm jetës së bashkësisë së besimtarëve.

Kujdes! Jezui nuk po thotë se ky person është jobesimtar, por do të trajtohet “si një pagan dhe tagrambledhës”. Të tillëve ne u dëshmojmë për dashurinë e Krishtit. Të tillëve u flasim me durim, butësi dhe dhembshuri. Qëllimi është gjithmonë që ata të kthehen e të shpëtohen. Konteksti i ndërmarrjes së këtij hapi të fundit është konteksti i “dashurisë së rreptë”.

Larg qoftë që dikush të mos dëgjojë të korrigjohet edhe pas këtij hapi në procesin e disiplinës!

2. Jezui Paratha Premtimin Për Disiplinën E Fëmijëve Të Mbretërisë  v. 18-20

Mëkati, shkelja e ligjit të përsosur të Perëndisë, dhunimi i standardeve të larta të Mbretërisë dhe prishja e marrëdhënieve ndërmjet fëmijëve të Mbretërisë janë gjëra shumë serioze për Perëndinë. Prandaj, Jezui jo vetëm përshkroi procesin e disiplinës në kishë si mënyrën e Perëndisë për të ruajtuar fëmijët e tij, por shpalli edhe premtimin e mbështetjes së këtij procesi nga vetë Perëndia i qiellit. Ky është mësimi i vargjeve 18-20.

Disiplina në kishën e Jezu Krishtit, e ushtruar sipas procedurës dhe për qëllimin e përshkruar nga Bibla, ka bekimin e Perëndisë. Perëndia i do fëmijët e tij, prandaj i disiplinon. Disiplina është mënyra si Perëndia i ruan fëmijët e Mbretërisë. Perëndia përdor kishën e Jezu Krishtit për të disiplinuar fëmijët e tij.

Vargu 18 në njëfarë mënyre thotë se kisha bën me autoritetin e Perëndisë për anëtarët e saj atë që Apostulli Pal thotë se bën për të gjithë njerëzit kur shpall lajmin e mirë të pajtimit me Perëndinë përmes Krishtit:

“Kështu ne jemi përfaqësues të Krishtit, dhe, kur ju flasim ne, është si t’ju fliste Perëndia. Ju përgjërohemi që për hir të Krishtit të pajtoheni me Perëndinë” (2 Korintasve‬ ‭5:20‬).

Kisha sipas mësimit të Jezuit ka bekimin e Perëndisë në ushtrimin e disiplinës për anëtarët e saj kur vepron në unitet në lutje para Perëndisë (v. 19), jo kur vepron me dashakeqësi apo sipas tekave të njërit apo tjetrit.

Sa tragjike dhe e pafalshme të abuzosh me autoritetin kishtar për të lidhur dhe për të zgjidhur pa pasur parasysh qëllimin e disiplinës, pa qenë në një mendje me vëllezërit dhe motrat e bashkësisë dhe pa dalluar në lutje vullnetin e Perëndisë!

Perëndia vepron përmes disiplinës së ushtruar sipas tij. Jezui premton se do të jetë aty ku edhe dy apo tre veta mblidhen në emrin e tij (v. 20). Të mblidhedh në emrin e Jezuit do të thotë të mblidhesh me lejen e tij, sipas mësimit të tij, në bindje të urdhërimeve të tij dhe për qëllimet e tij. Shprehja “në emër të Jezuit” nuk është një formulë magjike që duhet artikuluar lehtë nga kushdo dhe për çfarëdo qëllimi. Sa fatkeqësi kur “në emër të Jezuit” keqpërdoret njësoj si “në emër të popullit!”

Premtimet e Perëndisë janë “Po!” dhe “Amen!” për fëmijët e Mbretërisë që përulësisht thonë dhe pranojnë të vërtetën e Perëndisë në dashurinë e Perëndisë sipas qëllimit të Perëndisë.

PËRFUNDIMI

Disiplina në kishë është mënyra si Perëndia kujdeset për fëmijët e tij. Qëllimi i kësaj disipline është gjithmonë në të mirën e personit që disiplinohet. Ata që disiplinojnë duhet ta bëjnë këtë me përulje, me dashuri dhe me durim.

Disiplina do të japë fryte drejtësie kur zbatohet sipas mësimit biblik. Jezui premton se Ati do të dëgjojë lutjet tona dhe ai vetë do të jetë me ne kur ushtrojmë disiplinën sipas vullnetit të tij. Disiplina e Perëndisë nuk synon të dënojë, por vetëm të shpëtojë. Disiplina e Perëndisë nuk është e njëjta gjë me gjykimin e Perëndisë.

Lum kush i shpëton gjykimit të Perëndisë duke dëgjuar kur Zoti disiplinon!

Nga Zef Nikolla