HYRJE
“Të falësh do të thotë të lirosh një të burgosur dhe të zbulosh se i burgosuri ishe ti”.
Lewis. B. Smedes
Falja është një ndër virtytet më të larta të besimtarit në Krishtin sepse reflekton, ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, karakterin e Krishtit.
Jezui i mësoi ndjekësit e tij të luten duke thënë: “Na i fal fajet tona, siç ua falim ne fajtorëve tanë” (Mateu 6:12). Pastaj u tha: “Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve” (Mateu 6:14). Për më tepër, ndërsa vuante në kryq, Jezui u lut: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë» (Luka 23:34a).
Pasazhi që do të shqyrtojmë sot përmban mësimin e Jezuit për faljen mes fëmijëve të Mbretërisë.
TEKSTI BIBLIK
21 Atëherë Pjetri erdhi te Jezui e i tha: «Zot, sa herë duhet ta fal vëllain që mëkaton kundë meje? Deri në shtatë herë?».
22 Jezui i tha: «Jo deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë.
23 Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.
24 Kur filloi, i sollën njërin që i detyrohej dhjetë mijë talenta
25 dhe meqenëse ky nuk kishte të paguante, i zoti urdhëroi që të shitej së bashku me gruan, fëmijët dhe gjithçka që kishte, që të shlyhej detyrimi.
26 Atëherë shërbëtori i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të paguaj gjithçka!”.
27 I zoti i këtij shërbëtori, i shtyrë nga dhembshuria që pati për të, e liroi dhe ia fali detyrimin.
28 Por, po ai shërbëtor, kur doli jashtë, takoi njërin prej shërbëtorëve të tjerë si ai, i cili i detyrohej njëqind denarë. E kapi për gryke dhe i tha: “Më kthe atë që më detyrohesh!”.
29 Atëherë ky shërbëtor i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të ta kthej detyrimin!”.
30 Ai nuk pranoi, por shkoi dhe e futi në burg derisa t’i paguante detyrimin.
31 Kur e panë çfarë ndodhi, shërbëtorët e tjerë u pikëlluan shumë dhe shkuan e i treguan të zotit gjithçka që kishte ndodhur.
32 Atëherë i zoti e thirri shërbëtorin dhe i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë! Unë ta fala tërë detyrimin se ti m’u përgjërove.
33 A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shërbëtorin tjetër, siç pata unë mëshirë për ty?”.
34 I zoti ua dorëzoi me zemërim rojave të burgut, derisa të shlyente tërë detyrimin e tij.
35 Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor nëse nuk i falni vëllezërit tuaj me gjithë zemër».
Mateu 18:21-35
KONTEKSTI HISTORIK
Në fillim të Mateut 18 ndjekësit e Jezuit pyesin se kush është më i madhi në Mbretërinë e Perëndisë. Ai e ilustroi madhështinë e vërtetë me një fëmijë të vogël që beson çiltërsisht, jeton përulësisht, ka nevojë për mbrojtje, përkujdesje dhe disiplinë.
Në fund të këtij kapitulli Pjetri e pyet Jezuin në lidhje me faljen mes fëmijëve të Mbretërisë. Me sa duket pyetja e Pjetrit merr shkas nga udhëzimi i Jezuit në vargun 15 për nevojën e ruajtjes së marrëdhënieve të shëndetshme mes besimtarëve.
Jezui i përgjigjet pyetjes së Pjetrit me një shëmbëlltyrë që përfundon me paralajmërimin e mospranimit në Mbretëri të atyre që nuk e bëjnë faljen mënyrë të jetesës njësoj si përuljen dhe ndershmërinë.
PROPOZIMI QENDROR
FËMIJËT E MBRETËRISË E FALIN NJËRI-TJETRIN GJITHMONË SEPSE JANË TË FALUR PREJ PERËNDISË PËRGJITHMONË.
I. Fëmijë të Mbretërisë Janë Ata që Falin Gjithmonë – v. 21-22.
Pyetja e Pjetrit në vargun 21 tregon se ky pasazh trajton temën e faljes mes besimtarëve. Ai pyet: “Sa herë duhet ta fal vëllain që mëkaton kundër meje?” Pyetja nënkupton se do të kemi nevojë për faljen e njëri-tjetrit.
Megjithëse hamendësimi i Pjetrit se ndoshta duhet të falë “deri në shtatë herë” e rrit më shumë se dyfish standardin e fesë së hebrenjve, Jezui përcakton një standard krejt të ri. Standardi i Jezuit nuk shkon nga tre deri në shtatë herë, “por deri në shtatëdhjetë herë shtatë” (v. 22), që do të thotë gjithmonë.
Jezui nuk po thotë se duhet ta falim njëri-tjetrin 490 herë, por po na mëson të falim pambarim. Ashtu si Zoti na ka falur ne përgjithmonë, ne duhet të falim njëri-tjetrin gjithmonë. Fëmijët e Mbretërisë nuk i llogarisin fajet kundër tyre, por falin gjithmonë ashtu si Perëndia nuk i llogarit fajet e tyre dhe i ka falur përgjithmonë.
Falja është e vështirë sepse natyra njerëzore priret për hakmarrje. Njeriu i lënduar priret të lëndojë i gënjyer nga ideja se vuajtja e tij do të zvogëlohet ose do të mbarojë kur edhe tjetri të vuajë njësoj në mos më shumë. Por mosfalja është një rreth vicioz që thjesht e shumëfishon vuajtjen përmes urrejtjes dhe hakmarrjes.
Mosfalja ushqehet edhe nga një keqkuptim i drejtësisë. Hakmarrja njerëzore që synon mosfalja nuk mund të përmbushë drejtësinë e pretenduar. Vetëm Perëndia që është përsosmërisht i drejtë mund të bëjë drejtësi. Dhe mënyra e Perëndisë për të drejtësuar është përmes faljes.
Njeriu i falur është në gjendje të falë. Në fakt, një ndër mënyrat më domethënëse si dikush demonstron se është i falur është kur fal të tjerët. Prandaj Jezui e vazhdon shpjegimin e faljes me një shëmbëlltyrë që tregon se fëmijët e Mbretërisë që janë falur përgjithmonë falin gjithmonë, kurse ata që nuk falin nuk e kanë kuptuar kurrë faljen e Perëndisë dhe për rrjedhojë nuk i përkasin Mbretërisë.
II. Fëmijët e Mbretërisë Janë të Falur Përgjithmonë – v. 23-35.
Shëmbëlltyra që tregoi Jezui ngjan me tre skena të një drame. Bëhet fjalë për një dramë sepse njëri nga personazhet kryesorë nuk e ka kuptuar kurrë natyrën e faljes së Perëndisë dhe, për rrjedhojë, as nuk mund të falë të tjerët, as nuk mund të jetë i falur nga Perëndia.
Në skenën e parë, v. 23-27, një shërbëtor i zhytur në një borxh të stërmadh ndaj mbretit rrezikon dhe meriton të shitet “së bashku me gruan, fëmijët dhe gjithçka që kishte, që të shlyhej detyrimi”. Ai bie në gjunjë dhe i përgjërohet të zotit të tij për durim duke i premtuar se do t’ia shlyejë borxhin. I zoti i tij, i shtyrë nga dhembshuria, e liroi e ia fali borxhin.
Në skenën e dytë, v. 28-30, po ky shërbëtor takon një shërbëtor tjetër i cili i detyrohej atij një borxh shumë më të vogël se borxhi që mbreti sapo i kishte falur. Në vend që të vepronte siç veproi i zoti i tij me të, pavarësisht se shërbëtori tjetër iu përgjërua në gjunjë për durim, ky nuk e fali, por e plasi në burg derisa t’i shlyente detyrimin.
Në skenën e tretë, v. 31-35, i zoti i shërbëtorit të liruar nga detyrimi i stërmadh njoftohet për mosfaljen e këtij shërbëtori ndaj borxhliut të tij. I zoti i këtij shërbëtori të “mbrapshtë” i kërkon llogari dhe ua dorëzon “me zemërim rojave të burgut”. Në fund Jezui paralajmëron se njësoj Ati i tij do të veprojë me ata që nuk i falin vëllezërit e tyre me gjithë zemër.
Jezui ilustroi me shembullin negativ të shërbëtorit të mbrapshtë shëmtinë e mosfaljes dhe pasojat e saj tragjike. Në Mbretërinë e Perëndisë, mes fëmijëve të Mbretërisë, nuk mund të ndodhë kështu. Ne kemi nevojë të na falin dhe kemi nevojë të falim.
Mësimi i Jezuit përmes kësaj shëmbëlltyre është se kush nuk fal nuk është i falur me të vërtetë. Fëmijët e vërtetë të Perëndisë tregojnë dhembshurinë dhe mëshirën që kanë marrë nga Ati i tyre duke treguar dhembshuri dhe mëshirë për të tjerët.
Falja e të tjerëve gjithmonë është shenjë se je i falur nga Perëndia përgjithmonë. Lirimi i tjetrit përmes faljes është prova e pranisë së Perëndisë në jetën e tënde. Falja është bërë e mundur për shkak të flijimit të Jezuit në kryq për fajet tona. Kush e ka përjetuar faljen e Perëndisë në jetën e vet do të lejojë që kjo falje të rrjedhë prej tij/ saj tek të tjerët.
PËRFUNDIMI
Fëmijët e Mbretërisë kanë marrë faljen e Perëndisë për shkak të dhembshurisë dhe mëshirës së Perëndisë. Siç kanë nevojë për përulësi, ndershmëri dhe falje në marrëdhënien e tyre me Perëndinë, ata kanë nevojë për këto cilësi në marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin.
Mosfalja në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve tregon mosnjohjen e faljes së Perëndisë. Borxhi i njeriut ndaj Perëndisë është aq i madh sa njeriu nuk mund ta shlyejë kurrë. Por edhe dhembshuria e mëshira e Perëndisë janë aq të mëdha sa të falin çdo njeri që përulësisht dhe ndershmërisht vjen tek froni i hirit për të marrë faljen.
Lysa Terkeurst thotë: “Zemra e njeriut nuk është bërë për të mbartur peshën e mosfaljes. Shtegu i vërtetë i faljes është se ti meriton të mos vuash më për shkak të dëmit që të kanë bërë të tjerët. Prandaj, shkëmbe pikëllimin me perspektivēn, shkëmbe mjerimin me mençurinë”. Perspektiva e Perëndisë është të çlirosh tjetrin dhe veten duke falur. Mençuria e Perëndisë është të dalësh nga burgu yt i mosfaljes.
Falja jo vetëm liron të tjerët, por zbukuron karakterin tënd duke të bërë më të ngjashëm me Krishtin, çliron potencialin tënd për arritje më të mëdha në çdo drejtim dhe hap rrugën e shërimit të marrëdhënieve.
Merr faljen e Perëndisë ofruar në Krishtin dhe ofro faljen tënde ndaj të tjerëve si Krishti! Kjo u ka hije fëmijëve të Mbretërisë; kjo është mënyra e të jetuarit e fëmijëve të Mbretërisë.
Nga Zef Nikolla