HYRJE
«Nëse shpresojmë në Krishtin vetëm për këtë jetë, atëherë jemi njerëzit më të mjerë» (1 Korintasve 15:19).
Pyetjes ironike të ateistëve dhe skeptikëve se “çfarë bënte Perëndia para se krijoi universin”, Shën Agustini iu përgjigj se “Perëndia ishte duke përgatitur ferrin për ata që bëjnë pyetje të tilla” pa kuptuar as Perëndinë, as kohën, as krijimin.
Gjatë shërbesës së tij tokësore, Jezuit iu bënë disa pyetje të mira nga njerëzit e zakonshëm, por edhe disa pyetje dashakeqe nga kundërshtarët e tij. Qëllimi i të dytëve nuk ishte të mësonin prej Jezuit, por ta zinin në kurth, ta testonin për ta zënë në gabim dhe për ta akuzuar si fajtor.
Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot Jezui na mëson se ngjallja duhet besuar si një doktrinë e shëndoshë e bazuar në të vërtetën e Shkrimit të Shenjtë që e zbulon Perëndinë si Perëndi i të gjallëve.
TEKSTI BIBLIK
23 Po atë ditë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën:
24 «Mësues, Moisiu ka thënë: Nëse një njeri vdes pa lënë fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t’i dhënë trashëgimtarë të vëllait.
25 Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, vdiq pa lënë fëmijë dhe i la të venë vëllait të vet.
26 Kështu ndodhi me të dytin, të tretin, e deri te i shtati.
27 Pas të gjithë atyre vdiq edhe gruaja.
28 Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?».
29 Por Jezui u përgjigj: «Gaboheni, sepse nuk njihni as Shkrimet e shenjta, as fuqinë e Perëndisë.
30 Pas ngjalljes njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell.
31 Për sa i përket ngjalljes së të vdekurve, a nuk e keni lexuar çfarë ju ka thënë Perëndia:
32 Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve».
33 Dhe turmat mahniteshin kur dëgjonin mësimin e tij» (Mateu 22:23-33).
Konteksti Historik
Java e fundit e shërbesës tokësore të Jezuit zë një vend të rëndësishëm në mësimin e Ungjijve. Pak ditë para se të kryqëzohej, të varrosej e të ngjallej prej së vdekurve, Jezui u brohorit si Mbret i Izraelit dhe Perëndia që shpëton njerëzit prej mëkatit. Ai u përball me krerët e Izraelit ndërsa dënoi korrupsionin dhe padobinë e sistemit të tyre fetar të shmangur nga e vërteta e Fjalës së Perëndisë.
Kur krerët e Izraelit e sfiduan autoritetin e tij hyjnor, Jezui i demaskoi edhe më shumë përmes tre shëmbëlltyrave që tregoi kundër tyre. Më vonë, ata erdhën te Jezui me tre pyetje të menduara mirë për ta zënë në kurth. Kjo është pyetja e dytë nga këto tre pyetje që ata i bënë Jezuit.
Këtë herë Jezui përballet me pyetjen e saducenjve në lidhje me doktrinën e ngjalljes prej të vdekurve.
Saducenjtë përbënin aristokracinë e popullit të Izraelit në kohën e Jezuit. Ata caktonin kryepriftin, kontrollonin tempullin dhe sinedrin, kishin pushtet ekonomik dhe fetar, kështu që u interesonte miqësia me romakët.
Ndryshe nga rivalët e tyre farisenjtë, saducenjtë pranonin vetëm pesë librat e parë të Biblës. Ata mohonin pavdekësinë e shpirtit, ngjalljen trupore pas vdekjes dhe ekzistencën e shpirtrave engjëllorë.
Kur Jezui i la pa fjalë farisenjtë dhe herodianët që ngritën pyetjen në lidhje me taksat e Cezarit, saducenjtë menduan të tregojnë epërsinë e tyre dhe sajuan një histori të pamundur në lidhje me ngjalljen e të vdekurve.
Jezui në përgjigjje ndaj pyetjes së tyre i akuzon për mosnjohje të Shkrimit të Shenjtë dhe për mosbesim në fuqinë e Perëndisë. Jezui pohoi vërtetësinë e doktrinës së ngjalljes sipas Shkrimeve dhe korrigjoi konceptet e gabuara të njerëzve për jetën përtej varrit.
PROPOZIMI QENDROR
E VËRTETA E FJALËS DHE FUQISË SË PERËNDISË NA SIGURON PËR NGJALLJEN PËR JETËN E PASOSUR.
I. Ngjallja për Jetën e Pasosur Mësohet në Fjalën e Perëndisë.
Në kohë dhe kultura të ndryshme, në mënyra të ndryshme njerëzit kanë dëshiruar, kërkuar, besuar dhe pohuar ekzistencën e jetës së përjetshme. Kjo gjë është krejt e natyrshme kur mendon për faktin se “Ai ka bërë bukur gjithçka në kohën e vet. U ka vënë në zemër edhe përjetësinë, megjithëse njerëzit nuk e pikasin dot veprën që Perëndia e ka kryer nga fillimi në fund” (Kuvendari 3:11).
Ngjallja për jetën e pasosur mësohet në Fjalën e Perëndisë në Dhiatën e Vjetër dhe në Dhiatën e Re. Sigurisht kjo doktrinë është shumë më e theksuar në Dhiatën e Re, por gjendet qartësisht edhe në Dhiatën e Vjetër.
Disa nga pasazhet kryesore në Dhiatën e Vjetër që na mësojnë doktrinën e ngjalljes përfshijnë:
“Unë e di se gjallë është shpëtimtari im, se, në fund, nga pluhuri do të ngrihet e, pasi të ma kenë rrjepur lëkurën dhe mishin, unë do të shoh Perëndinë. Unë vetë do ta shoh, sytë e mi do ta kundrojnë e jo një tjetër. Zemra po më digjet” (Jobi 19:25-27).
“Shpirtin tim nuk do ta lësh në skëterrë, dhe besnikët e tu nuk do t’i lësh të shkojnë në gropë” (Psalmi 16:10).
“Pas dy ditëve do të na ngjallë, ditën e tretë do të na ngrejë, që para tij të jetojmë” (Hosea 6:2).
“A t’i shpaguaj nga dora e skëterrës? Nga vdekja a t’i shpengoj? Ku është, o vdekje, murtaja jote? Ku është, o skëterrë, shkatërrimi yt? …” (Hosea 13:14).
“Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, ZOTI Perëndi do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë. …” (Isaia 25:8).
“Por të vdekurit e tu do të jetojnë sërish, kufomat do të ringjallen. Ngrihuni e brohoritni, o ju që dergjeni në pluhur! Se vesa jote është vesë drite dhe tokēn e hijeve ti e sjell në jetë” (Isaia 26:19).
“Shumë prej atyre që flenë nën baltën e tokës do të zgjohen, disa për jetën e amshuar, disa për turpin dhe tmerrin e amshuar” (Danieli 12:2).
Këto janë vetëm disa nga vargjet në Dhiatën e Vjetër që në mënyrë të drejtpërdrejtë shpalosin doktrinën e guximshme dhe të lavdishme të jetës përtej varrit. Po atëherë, çfarë problemi kishin saducenjtë që nuk besonin në doktrinën e gjalljes?
Problemi i saducenjve dhe problemi i atyre që nuk besojnë në doktrinën e ngjalljes është se ata nuk besonin në gjithë zbulesën e Perëndisë. Ata besonin vetëm pesë librat e parë të Biblës dhe nuk arrinin të kuptonin mësimin e kësaj doktrine nga Moisiu.
Prandaj, pyetjes së tyre të stërholluar se gruaja e kujt do të ishte në ngjalljen e të vdekurve vejusha që u martua me shtatë vëllezër që vdiqën njëri pas tjetrit (cfr. Ligji i përtërirë 25:5-10), Jezui iu përgjigj duke iu referuar një pasazhi nga pesë librat e parë të Biblës. Në fakt, para se Jezui t’u jepte shpjegimin bazuar te Dalja 3:6, u tha hapur se ata gabohen dhe nuk i njohin Shkrimet siç pretendojnë.
Jezui vërteton nga Shkrimi i Shenjtë se doktrina e ngjalljes është e vërtetë sepse Perëndia është Perëndi i të gjallëve. Në të kundërt, mësimi i Moisiut, që saducenjtë pretendojnë se e besojnë, nuk do të kishte kuptim. Pse duhej të shprehej Perëndia “Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit” në kohën e tashme, nëse nuk do të nënkuptohej ngjallja e këtyre patriarkëve?
II. Ngjallja për Jetën e Pasosur Mbështetet në Fuqinë e Perëndisë.
Jezui foli për një gabim dyfish të saducenjve, kur bëri mbrojtjen e doktrinës shpresëdhënëse të ngjalljes. Saducenjtë e mohonin ngjalljen, jo vetëm sepse nuk kuptonin Shkrimin e Shenjtë, por edhe sepse nuk besonin në fuqinë e Perëndisë.
Do të shohim disa pasazhe nga Dhiata e Re që na tregojnë për fuqinë e Perëndisë si garanci për të vërtetën e doktrinës së ngjalljes.
«Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap dhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im» (Gjoni 10:17-18).
“Jezui i tha: «Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në mua do të jetojë, edhe nëse vdes» (Gjoni 11:25).
«Këtë Jezu, Perëndia e ngjalli dhe për këtë gjë ne të gjithë jemi dëshmitarë»
(Veprat 2:32).
«Nëse Shpirti i atij që e ngjalli Jezuin prej të vdekurve banon në ju, atëherë Perëndia që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë përmes Shpirtit të tij që banon në ju»
(Romakëve 8:11).
«Ai ju ndriçoftë sytë e zemrave tuaja, që të njihni se cila është shpresa për të cilën ju thirri, sesa e pasur dhe e lavdishme është trashëgimia e tij për të shenjtët dhe sesa madhështore dhe e pashoqe është fuqia e tij ndaj nesh që besojmë në të. Kjo fuqi është e njëjta forcë vepruese e pushtetit të Perëndisë, me të cilën ai ngjalli Krishtin prej të vdekurve dhe e uli në të djathtë të fronit të tij në qiej, duke e vënë përmbi çdo sundim e autoritet, përmbi çdo fuqi e zotërim dhe mbi çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme» (Efesianëve 1:18-21).
«Unë dua të njoh Krishtin dhe fuqinë e ngjalljes së tij, të marr pjesë në vuajtjet e tij dhe të bashkohem me të në vdekjen e tij, me shpresën që të arrij të ngjallem prej të vdekurve»
(Filipianëve 3:10-11).
Në të vërtetë, vargjet që pohojnë doktrinën e ngjalljes bazuar në fuqinë e Perëndisë përshkojnë gjithë Dhiatën e Re nga fillimi deri në fund. Ngjallja e Jezuit është dëshmia e fuqisë së Perëndisë dhe shpresa jonë për jetën e përjetshme.
«Por tani Krishti është ngjallur prej të vdekurve dhe u bë risia e ngjalljes së të vdekurve. Ashtu siç erdhi vdekja nëpërmjet një njeriu, ashtu erdhi edhe ngjallja e të vdekurve nëpërmjet një njeriu. Ashtu siç vdesin të gjithë njerëzit për shkak të lidhjes me Adamin, ashtu do të marrin jetë të gjithë për shkak të lidhjes me Krishtin» (1 Korintasve 15:20-22).
PËRFUNDIMI
Saducenjtë, njësoj si farisenjtë dhe herodianët para tyre, njësoj si njëri nga mësuesit e ligjit pas tyre, nuk arritën ta kapnin në gabim Jezuin përmes pyetjeve të tyre dinake. Në fakt, saducenjtë humbën pikë edhe para farisenjve në debatin për doktrinën e ngjalljes.
Po ne, çfarë mësojmë nga ky debat?
Ne mësojmë se duhet të besojmë dhe të kërkojmë të kuptojmë gjithçka që Perëndia na ka zbuluar në Bibël. Në lidhje me doktrinën e ngjalljes Bibla na mëson se në fundin e kësaj epoke, kur Krishti të kthehet përsëri, të gjithë të vdekurit do të ngjallen. Besimtarët në Krishtin do të ngjallen për jetën e përjetshme, ndërsa jobesimtarët do të ngjallen për dënimin e përjetshëm.
Mosbesimi në doktrinën e ngjalljes është gabimi i atyre që nuk e njohin Biblën dhe nuk besojnë në fuqinë e Perëndisë. Ftesa e Ungjillit për këta njerëz është të pendohen për mëkatin që sjell vdekjen dhe të besojnë në Jezuin që e mposhti vdekjen. Ungjilli është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që beson.
Le të shërbejnë fjalët e mëposhtme të Jezuit për Martën, motrën e Llazarit, si inkurajim për besimin tonë:
«A nuk të thashë se po të besosh do të shohësh lavdinë e Perëndisë?» (Gjoni 11:40).