PËRFILL PUSHTETIN, PËRLËVDO PERËNDINË!

HYRJE

“Më kap tmerri për vendin tim kur mendoj se Perëndia është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë përgjithmonë”. Thomas Jefferson
Në javën e fundit të shërbesës së tij tokësore, pak para se të kryqëzohet gjatë Pashkës së hebrenjve, Jezui ndodhet në Jerusalem. Ai mëson popullin dhe qorton udhëheqësit e korruptuar të Izraelit. Këta të fundit, kryepriftërinjtë, skribët dhe pleqtë, pasi ishin përballur me Jezuin në tempull, u detyruan të heshtnin para arsyetimit të tij.
Të provokuar prej shëmbëlltyrave që u tha, ata u larguan prej Jezuit dhe shkuan për të menduar se si mund ta fusnin në dorë për t’u hakmarrë kundër tij. Pasi u këshilluan, vepruan sipas asaj që është shkruar te Mateu 22:15-22.
Pas përcaktimit të kontekstit të këtij pasazhi përmes një komenti varg për varg, do të shohim detyrimet ndaj autoritetit njerëzor, detyrimet ndaj autoritetit hyjnor, dhe domethënien praktike të këtyre detyrimeve.

TEKSTI BIBLIK

15 Pastaj farisenjtë shkuan e u këshilluan si ta zinin Jezuin në kurth për ndonjë fjalë.
16 Kështu dërguan te Jezui dishepujt e tyre dhe disa herodianë, që i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë, pa pyetur për njeri dhe pa u ndikuar nga askush.
17 Na thuaj, pra, çfarë mendon, a është e lejueshme t’i paguhen taksat Cezarit, apo jo?».
18 Por Jezui, duke e njohur ligësinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë?
19 Ma tregoni monedhën e taksës». Ata i sollën një monedhë.
20 Jezui u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?».
21 Ata i thanë: «Të Cezarit». Atëherë Jezui u tha: «Jepini, pra, Cezarit ç’është e Cezarit dhe Perëndisë ç’është e Perëndisë».
22 Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej (Mateu‬ ‭22:15-22‬).
Konteksti Historik.
V. 15 -16. Farisenjtë dhe herodianët normalisht nuk bënin aleanca ndërmjet tyre. Farisenjtë ishin një sekt fetar i madh dhe nuk e honepsnin pushtetin romak; ata dëshironin çlirimin e Izraelit nga Roma. Herodianët ishin më shumë një parti politike që mbështesnin interesat e familjes së Herodit; ata ishin dashamirës të pushtetit romak.
Aleanca e tyre në këtë rast përputhet me moton “Armiku i armikut tim, është miku im”. Ata i bashkon në këtë aleancë korrupsioni, ligësia, hipokrizia, dinakëria dhe urrejtja e përbashkët ndaj Jezuit. Kjo aleancë e panatyrshme (si një aleancë republikanësh dhe legalistësh!) ka dalë për gjueti duke ngritur kurthe për të delegjitimuar Jezuin dhe mësimin e tij.
Armiqtë e Jezuit përdorin dinakërinë e lajkave në përpjekjen djallëzore për ta shpërqendruar atë. Taktika e tyre është një shembull i keqpërdorimit të të vërtetës. Të vërtetat që ata pohojnë në lajkat e tyre synojnë të rrisin efektshmërinë e kurthit të tyre.
V. 17. Këto fjalë rrisin pritshmërinë e këtyre kundërshtarëve të Jezuit, por edhe të popullit të pranishëm, se Jezui do të japë një përgjigje të tillë që në mënyrë kategorike do të zhgënjejë herodianët dhe do të kënaqë farisenjtë dhe popullin, ose do të zhgënjejë këta të fundit dhe do të kënaqë herodianët.
Sipas mendjes së tyre nuk kishte kurth më të përkryer dhe nuk kishte asnjë zgjedhje që mund të bënte Jezui pa fyer njërën palë ose tjetrën. Nëse Jezui do të mësonte kundër dhënies së taksave Cezarit, atëherë do të binte në kurth duke u dhënë mundësi herodianëve ta akuzonin për rebelim kundër autoritetit romak. Nëse Jezui do të mësonte pro dhënies së taksave Cezarit, atëherë do të binte në kurth duke u dhënë mundësi farisenjve ta akuzonin se po mohonte që Perëndia është mbreti i popullit të Izraelit dhe se efektivisht po dilte pro pushtuesit e kundër lirisë së popullit të tij.
Kurthi duket i menduar jashtëzakonisht mirë. Të japim a të mos japim? – kjo është çështja. Kjo ishte pyetja e tyre bombë – eksplozivi i përgatitur me një përzierje vdekjeprurëse të fesë me politikën – që sigurisht ata prisnin të rezultonte fatale për Jezuin mm.
V. 18-19. Nëse kombinojmë rrëfimin e kësaj historie në të tre Ungjijtë Sinoptikë, pamja e plotë e kësaj historie tregon se kjo dërgatë e dishepujve të farisenjve dhe herodianëve (Marku 12:13-17; Mateu 22:15-22) erdhën te Jezui si spiunë që e mbanin veten për të drejtë (Luka 20:20-26), por Jezui i pa ashtu siç ishin në të vërtetë: të ligj, hipokritë dhe dinakë. Duke ju kërkuar t’i tregonin një monedhë, Jezui u bëri një pyetje retorike: “Përse më vini në provë, o hipokritë?”
V. 20-21. Jezui i detyron ata të pohojnë se paraja e taksës në fjalë ishte e Cezarit – ajo kishte imazhin dhe mbishkrimin e Cezarit. Tërthorazi Jezui i bën ata të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ishin – pranimi i kësaj monedhe prej tyre ishte njohje me apo pa dëshirë e sundimit romak.
Pasi ata vetë kanë pranuar se paraja e taksës në fjalë i përkiste Cezarit, Jezui jep një ndër përgjigjet e tij më brilante dhe njëkohësisht ç’aktivizuese të bombës më të pistë që ishte hedhur kundër tij. Krishti në urtësinë e përkryer, në mënyrë koncize u jep fund debateve të pafundme për politikën dhe fenë, për Perandorin dhe Perëndinë, dhe u thotë: mos jini të padrejtë, por i jepni atij që keni për sundimtar atë që ju vetë e pranoni se i takon sundimtarit, dhe, në të njëjtën kohë, mos jini të pafe, por i jepni Perëndisë atë që i takon Perëndisë.
Me këtë përgjigje, Jezui provoi edhe një herë se si rregull, kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda. Por kjo përgjigje është shumë më e zgjuar se kaq. Me këto fjalë, që jo më kot janë bërë proverbiale, Jezui përcaktoi kufinjtë, themeloi të drejtat dhe bëri ndarjen e pushteteve të qiellit dhe tokës.
Imazhi i perandorëve i stampuar në monedhën e tyre tregon se gjërat e përkohshme u takojnë atyre. Imazhi i Perëndisë i stampuar në shpirtin e njeriut tregon se njeriu vetë i takon Perëndisë.

PROPOZIMI QENDROR

NJERIU KA DETYRIME TË CAKTUARA NDAJ AUTORITETIT NJERËZOR, D.M.TH., QEVERISË, DHE DETYRIME TË CAKTUARA NDAJ AUTORITETIT HYJNOR, D.M.TH., PERËNDISË.
Le të shohim tani detyrimet specifike nën secilin juridiksion autoriteti dhe domethënien praktike të këtyre detyrimeve për besimtarin e krishterë.
I. DETYRIMET NDAJ AUTORITETIT NJERËZOR
Çfarë i takon specifikisht Cezarit na thuhet shumë qartë nga apostulli Pal te Romakëve 13:1-7.
1 Çdo njeri t’u nënshtrohet autoriteteve që ka mbi vete. Sepse nuk ka autoritet që nuk është nga Perëndia. Të gjitha autoritetet janë caktuar nga Perëndia.
2 Pra, kush kundërshton autoritetin, i kundërvihet Perëndisë që e ka caktuar atë. Ata që e kundërshtojnë, i pret gjykimi i Perëndisë.
3 Nuk ka pse ta ketë frikë eprorin ai që bën të mirën, por ai që bën të keqen. A dëshiron të mos kesh frikë nga autoriteti? Bëj të mirën dhe do të marrësh lavdërime prej tij.
4 Sepse ai është shërbëtor i Perëndisë për të mirën. Por nëse ti bën të keqen, duhet të kesh frikë sepse ai nuk e mban më kot shpatën. Ai është shërbëtor i Perëndisë dhe hakmerret e ndëshkon keqbërësit.
5 Kështu duhet të nënshtroheni jo vetëm për shkak të ndëshkimit, por edhe për shkak të ndërgjegjes.
6 Prandaj i paguani edhe taksat, sepse autoritetet që merren me këtë punë janë shërbëtorë të Perëndisë.
7 Jepuni të gjithëve çfarë u takon: taksën atij që i takon taksa, taksën e doganës atij që i takon taksa e doganës, frikën atij që i takon t’i frikësoheni, nderimin atij që i takon nderimi» (Romakëve‬ ‭13:1-7‬).
1. Autoritetit njerëzor i takon nderimi, por jo adhurimi, cfr. Romakëve 13:7. Në fakt, besimtari duhet të nderojë gjithkënd, por të adhurojë vetëm Perëndinë. Të nderosh dikë nuk do të thotë të jesh dakord me të as të pranosh si të drejtë apo të vërtetë çdo gjë. Të nderosh do të thotë të trajtosh me respekt, të njohësh pozitën apo gradën e dikujt, të përfillësh dikë.
2. Autoritetit njerëzor i takon bindja në përgjithësi, por jo bindja absolute, cfr. Romakëve 13:1, 5. Perëndia është themelues i autoritetit njerëzor. Besimtari duhet t’i bindet autoritetit njerëzor për aq sa ky autoritet bën vullnetin e Perëndisë. Autoriteti njerëzor është përgjegjës para Perëndisë. Besimtari nuk është i detyruar t’i bindet asnjë autoriteti që shkon kundër Fjalës së Perëndisë.
3. Autoritetit njerëzor i takon taksa, por jo gjthçka, cfr. Romakëve 13:6, 7. Besimtari duhet të jetë një qytetar i përgjegjshëm. Në fakt, besimtari ka mundësinë të dëshmojë për qytetarinë e tij në qiell duke qenë qytetar model në tokë.
II. DETYRIMET NDAJ AUTORITETIT HYJNOR
Çfarë i takon specifikisht Perëndisë? Gjithçka! Te 1 Korintasve 10:26, apostulli Pal e pohon këtë duke cituar Psalmin 24:1 që thotë tekstualisht:
«Psalm i Davidit. E Zotit është toka dhe gjithçka gjendet në të, bota me gjithë banorët e saj” (Psalmet‬ ‭24:1‬).
1. Perëndisë dhe vetëm atij i takon adhurimi ekskluziv. Jezui i bën jehonë kësaj të vërtete që përshkon tërë mësimin biblik kur i përgjigjet tundimit të Satanit në shkretëtirë tek Mateu 4:10 duke thënë:
«Adhuro Zotin, Perëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij» (Mateu‬ ‭4:10‬).
2. Perëndisë i takon dashuria më e madhe. Jezui e cilësoi si urdhërimin më të madh Ligjin e Përtërirë 6:4-5.
«Urdhërimi më i rëndësishëm është: Dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot dhe ti duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde» (Marku‬ ‭12:29-30‬).
3. Perëndisë dhe vetëm atij i takon bindja absolute. Te Veprat e Apostujve 5:29 gjejmë përgjigjen për pyetjen se kujt e kemi me detyrim t’i bindemi në mënyrë absolute:
«Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve» (Veprat‬ ‭5:29‬).
III. DOMETHËNIA PRAKTIKE E KËTYRE DETYRIMEVE
1. Si besimtarë ne jetojmë në paqe me të gjithë për aq sa varet prej nesh – qytetarë të dobishëm, cfr. Romakëve 12:18.
«Nëse është e mundur, për aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit»‭‭ (Romakëve‬ ‭12:18‬).
2. Si besimtarë ne lutemi për autoritetet njerëzorë, cfr. 1 Timoteut 2:1-3.
«Para së gjithash, të bëj thirrje që të bëhen përgjërime, lutje, ndërmjetësime dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit dhe për të gjithë ata që kanë pushtet, që të mund të bëjmë një jetë me paqe e qetësi, plot përkushtim ndaj Perëndisë dhe dinjitet. Kjo gjë është e mirë dhe e pranueshme para Perëndisë, Shpëtimtarit tonë»
‭‭(1 Timoteut‬ ‭2:1-3‬).
3. Si besimtarë ne i japim lavdinë që i takon Perëndisë duke nderuar ata që i shërbejnë atij, përfshi qeverinë. Kjo është sidomos e vështirë kur në pushtet janë ata për të cilët ti nuk ke votuar. Çfarë do të thotë ky mësim për këtë rast? Njësoj, mos fol për autoritetet pa respekt; jepi secilit nderimin që i takon!
PËRFUNDIMI
Bibla na mëson t’i japim secilit atë që i takon. Besimtari ka disa detyrime të caktuara ndaj autoritetit njerëzor dhe ka detyrime të qarta ndaj autoritetit hyjnor. Autoritetit njerëzor i takojnë disa gjëra, ndërsa autoritetit hyjnor i takon gjithçka.
Perëndia është burimi i çdo autoriteti.
Perëndia e ushtron autoritetin e tij hyjnor edhe përmes autoritetit njerëzor. Çdo autoritet është përgjegjës dhe do të japë llogari para Perëndisë.
Besimtari duhet të përfillë pushtetin dhe të përlëvdojë Perëndinë! Nganjëherë kjo nënkupton vuajtjen në duart e një pushteti të korruptuar dhe të padrejtë që nuk bën vullnetin e Perëndisë për të cilin është caktuar.
Njeriu mëkatar nuk e ka të lehtë dhe nuk ka as dëshirë t’i japë Cezarit atë që i takon Cezarit dhe Perëndisë atë që i takon Perëndisë. Kur dikush pendohet për mëkatin dhe kthehet në besim në Krishtin, kupton se bindja ndaj Fjalës së Perëndisë kërkon t’i japësh secilit atë që i takon.
Nga Zef Nikolla