KONVENTA E LOZANËS

Hyrja

Ne, anëtarë të kishës së Jezu Krishtit, nga më shumë se 150 kombe, pjesëmarrës në Kongresin Ndërkombëtar të Lozanës, lavdërojmë Perëndinë për shpëtimin e madh dhe ngazëllehemi për miqësinë që na ka dhuruar me Atë Vetë si dhe me njëri-tjetrin. Ne jemi shumë të entuziazmuar nga ajo që Perëndia po bën në jetën tonë, të prekur deri në pendim për dështimet tona dhe të sfiduar nga detyra e pambaruar e ungjillizimit. Ne besojmë se ungjilli është lajmi i mirë i Perëndisë për mbarë botën, dhe ne jemi të vendosur që me anën e hirit të Tij të zbatojmë porosinë e Krishtit për t’ia shpallur atë të gjithë njerëzimit dhe për të bërë dishepuj nga çdo komb.

Prandaj ne dëshirojmë ta pohojmë besimin dhe vendosmërinë tonë dhe ta bëjmë publike konventën tonë.

1.  Qëllimi i Perëndisë

Ne shpallim besimin në Perëndinë tonë të vetëm të përjetshëm, Krijuesi dhe Zoti i botës, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë, që drejton të gjitha gjërat sipas qëllimit të vullnetit të Tij. Ai thërret nga bota njerëz për veten e Tij; dhe i dërgon ata përsëri në botë për të qënë shërbëtorë dhe dëshmitarë të Tij, për zgjerimin e mbretërisë së Tij, ndërtimin e trupit të Krishtit dhe lavdinë e emrit të Tij. Ne pohojmë me turp që shpesh nuk i jemi përgjigjur thirrjes së Tij dhe kemi dështuar në misionin tonë, duke u pajtuar me botën ose duke u tërhequr prej saj. Megjithatë, ne gëzohemi që, edhe pse i mbartur nga enë prej balte, ungjilli është një thesar i çmuar. Ne dëshirojmë që, me fuqinë e Frymës së Shenjtë t’i kushtohemi sërish detyrës për ta bërë këtë thesar të njohur.

(Isa 40:28; Mt. 28:19; Ef. 1:11; Vep. 15:14; Gjo. 17:6,18; Ef. 4:12; I Kor 5:10; Rom.12:2; II Kor 4:7)

2.  Autoriteti dhe pushteti i Biblës

Ne shpallim frymëzimin hyjnor, vërtetësinë dhe autoritetin e Dhjatës së Vjetër dhe të Re në përjetësinë e tyre si e vetmja fjalë e shkruar e Perëndisë, pa asnjë gabim në tërë atë që konfirmon, dhe i vetmi rregull i përkryer i besimit dhe i praktikës. Ne gjithashtu shpallim pushtetin e fjalës së Perëndisë për të përmbushur qëllimin e Tij të shpëtimit. Mesazhi i Biblës i drejtohet gjithë njerëzimit pasi zbulimi i Perëndisë në Krishtin dhe në Shkrimin e Shenjtë është i pandryshueshëm. Përmes Tij, Fryma e Shenjtë vazhdon të flasë edhe sot, Ai ndriçon mendjet e njerëzve të Perëndisë në çdo kulture për të perceptuar të vërtetën e Tij rishtazi përmes syve të tyre dhe kështu t’i zbulojë tërë kishës gjithnjë e më shumë diturinë e shumëllojshme të Perëndisë.

(II Tim 3:16; II Pj. 1:21; Gjo. 10:35: Isa. 55:11; I Kor. 1:21; Rom 1:16; Mt. 5:17,18;Jud. 3, Ef. 1:17, 18; 3:10,18)

3.  Unikaliteti dhe universaliteti i Krishtit

Ne shpallim se ka vetëm një Shpëtimtar dhe vetëm një ungjill, megjithë diversitetin e gjërë të qëndrimeve ungjillore. Ne e pohojmë që të gjithë njerëzit kanë dijeni për Perëndinë përmes zbulimit të Tij të përgjithshëm në natyre. Por e mohojmë që kjo zbulesë mund t’i shpëtojë pasi njerëzit i kundërvihen   të vërtetës me padrejtësinë e tyre.

Ne gjithashtu hedhim poshtë si përçmuese ndaj Krishtit dhe ungjillit çdo lloj sinkretizmi dhe dialogu i cili nënkupton që Krishti flet në mënyrë të barabartë përmes të gjitha besimeve dhe ideologjive. Jezu Krishti, duke qënë i vetmi Zot-njeri që dha veten si shpengim për mëkatarët, është i vetmi ndërmjetësues mes Perëndisë dhe njeriut.

Nuk ka asnjë emër tjetër nëpërmjet të cilit mund të shpëtohemi. Të gjithë njerëzit po humbasin për shkak të mëkatit, megjithatë Perëndia i do të gjithë dhe nuk do që askush të humbasë por të gjithë të pendohen. Sidoqoftë ata që nuk e pranojnë Krishtin e mohojnë gëzimin e shpëtimit dhe e dënojnë veten me ndarjen e përjetëshme nga Perëndia.

Ta shpallësh Jezusin si “shpëtimtar të botës” nuk do të thotë të pohosh që të gjithë njerëzit janë automatikisht ose përfundimisht të shpëtuar, akoma më pak të pohosh që të gjitha besimet ofrojnë shpëtimin në Krisht. Përkundrazi, do të thotë ta shpallësh dashurinë e Perëndisë për një botë mëkatarësh dhe të ftosh të gjithë njerëzit t’i përgjigjen atij si Shpëtimtar dhe si Zot me përkushtim personal e me gjithë zemër në pendese dhe në besim. Jezu Krishti lartësohet mbi çdo emër tjetër; ne e presim me shumë dëshirë ditën kur çdo gju do të përkulet para Tij dhe çdo gjuhë do të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot.

(Gal 1:6-9; Rom 1:18-32; I Tim 2:5,6; Vep. 4:12; Gjo. 3:16-19; II Pj. 3:9; II The. 1:7-9; Gjo. 4:42; Mt. 11:28; Ef 1:20,21; Fil 2:9-11)

4.  Natyra e ungjillizimit 

Të ungjillizosh do të thotë të përhapësh lajmin e mirë që Jezu Krishti vdiq për mëkatet tona dhe u ngrit prej së vdekurish sipas Shkrimit të Shenjtë dhe që si Zot që mbretëron, Ai u ofron faljen për mëkatet dhe dhuntinë e çlirimit përmes Frymës, të gjithë atyre që pendohen dhe besojnë.

Prania jonë kristiane në botë është e domosdoshme për ungjillizim, dhe i tillë është edhe lloji i dialogut, arsyeja e të cilit është të dëgjosh me vëmendje e dhemshuri me qëllim që ta kuptosh ç’të kumtohet. Por ungjillizimi në vetvete është shpallja e Krishtit biblik dhe historik si Shpëtimtar dhe si Zot, me pikësynimin për të bindur njerëzit që të vijnë tek Ai personalisht dhe kështu të pajtohen me Perëndinë.

Duke shpallur ftesën ungjillore ne nuk kemi të drejtë të fshehim sakrificat që kërkon dishepullizimi. Jezusi vazhdon

t’ iu bëjë thirrje të gjithë atyre që do t’i shkojnë pas, të mohojnë vetveten, të marrin kryqin e tyre dhe ta konsiderojnë veten pjesë e bashkësisë së Tij. Që ungjillizimi të ketë rezultat duhet që të përfshihen në të bindja ndaj Krishtit, pjesëmarrja në kishën e Tij dhe shërbimi i përgjegjshëm ndaj botës.

(I Kor. 15:3,4; Vep. 2:32-39; Gjo. 20:21; I Kor. 1:23; II Kor. 4:5,5:11,20 Lu. 14:25-33; Mr. 8:34; Vep. 2:40,47; Mr. 10:43-45.)

5.  Përgjegjësia shoqërore e kristianëve

Ne shpallim se Perëndia është Krijuesi dhe Gjykatësi i të gjithë njerëzve. Prandaj ne duhet të marrim pjesë në shqetësimin e Tij për drejtësi dhe për pajtim në tërë shoqërinë njerëzore, si dhe për çlirimin e njerëzve nga çdo lloj shtypjeje. Duke qënë se njeriu është bërë sipas shembëlltyrës së Perëndisë, çdo person pavarësisht nga raca, besimi, ngjyra, klasa, seksi apo mosha, ka dinjitetin e vet prandaj ai nuk duhet të shfrytëzohet por duhet të respektohet e t’i shërbehet. Këtu ne gjithashtu shprehim pendesë sepse nganjëherë i kemi neglizhuar ungjillizimin dhe veprimtarinë shoqërore dhe i kemi konsideruar ato si gjëra që përjashtojnë njëra tjetrën.

Ashtu sikurse pajtimi me njeriun nuk është pajtim me Perëndimë, as veprimtaria shoqërore nuk është ungjillizim, dhe as çlirimi politik nuk është shpëtim. Megjithatë, ne shpallim se ungjillizimi dhe veprimtaria social-politike janë pjesë e detyrës sonë kristiane pasi që të dyja janë shprehje e nevojshme e doktrinave tona për Perëndinë dhe njeriun, e dashurisë sonë për të afërmin dhe e bindjes sonë ndaj Jezu Krishtit. Mesazhi i shpëtimit nënkupton edhe mesazhin e gjykimit ndaj çdo forme të armiqësisë, shtypjes apo diskriminimit dhe që ne nuk duhet të kemi frikë të denoncojmë çdo të keqe e padrejtësi kudo që të shfaqet. Kur njerëzit pranojnë Krishtin ata rilindin në mbretërinë e Tij dhe duhet të kërkojnë jo vetëm ta shfaqin, por edhe ta përhapin drejtësinë e Tij në mes të një bote të padrejtë. Shpëtimi që ne marrim duhet të na transformojë në tërësinë e përgjegjësive tona personale e shoqërore. Besimi pa vepra është i vdekur.

(Vep. 17:26,31; Zan.18:25; Isa. 1:17; Psa. 45:7; Zan. 1:26,27; Jak. 3:9; Lev. 19:18; Luk. 6:27,35; Jak. 2:14-26; Gjoni 3:3,5; Mt 5:20;6:33; II Kor 3:18; Jak. 2:20)

6.  Kisha dhe ungjillizimi

Ne shpallim që Krishti i dërgoi njerëzit e Tij të shpenguar në botë ashtu si Ati e dërgoi Atë, dhe kjo kërkon depërtim të njëjtë e të thellë në botë, paçka se kushton shtrenjtë. Ne duhet të dalim nga getot tona klerikale dhe të depërtojmë në shoqërinë jo-kristiane. Në misionin e kishës për shërbimin vetmohues, ungjillizimi është parësor. Ungjillizimi i njerëzimit kërkon që e gjithë kisha ta çojë ungjillin nëpër tërë botën. Kisha është pikërisht në qendër të qëllimit universal të Perëndisë dhe mjeti i caktuar prej Tij për përhapjen e ungjillit. Por një kishë që predikon kryqin duhet që të mbajë në vetvete vulën e kryqit. Ajo bëhet pengesë për ungjillizim kur tradhton ungjillin apo i mungon besimi i gjallë në Perëndinë, dashuria e vërtetë për njerëzit, apo ndershmëria skrupuloze ndaj çdo gjëje, duke përfshirë hierarkinë dhe financën.

Kisha është bashkësia e njerëzve të Perëndisë dhe jo një institucion, prandaj nuk duhet të identifikohet me një kulturë të veçantë, sistem politik apo shoqëror ose ideologji njerëzore.

(Gjo. 17:18; 20:21; Mt. 28:19,20; Vep.1:8; 20:27; Ef.1:9,10; 3:9-11; Gal. 6:14,17; II Kor. 6:3,4; II Tim.2:19-21; Fil. 1:27)

7.  Bashkëveprimi në ungjillizim

Ne shpallim se uniteti i dukshëm i kishës me të vërtetën është qëllim i Perëndisë. Ungjillizimi gjithashtu na thërret të bashkohemi sepse duke qënë një, ne fuqizojmë dëshminë tonë, ndërsa mungesa e unitetit minon ungjillin tonë të pajtimit. Sidoqoftë, ne e pohojmë, se uniteti organizativ mund të marrë shumë forma dhe nuk do të thotë se e çon medoemos ungjillizimin përpara. Megjithatë, ne që kemi të njëjtin besim biblik duhet të jemi të lidhur ngushtë në bashkësi, punë dhe dëshmi. Ne e pranojmë se dëshmia jonë është dëmtuar nga individualizmi mëkatar dhe dublimi i pavenojshëm. Ne zotohemi se do të kërkojmë një unitetet më të thellë me të vërtetën, adhurimin, shenjtërimin dhe misionin.

Ne nxisim zhvillimin e bashkëveprimit funksional për çuarjen përpara të misionit të kishës, për planifikimin strategjik, për inkurajimin e dyanshëm dhe për shkëmbimin e përvojës apo përdorimin e përbashkët të burimeve.

(Gjo. 17:21,23: Ef. 4:3,4; Gjo. 13:35; Fil. 1:27; Gjo 17:11-23)

8.  Kishat në partneritet ungjillizimi

Kjo epokë e re misionarësh që tashmë ka filluar na entuziazmon. Roli dominues i misioneve në Perëndim po zbehet shpejt. Perëndia po rrit në kishat e reja një burim të ri e të madh për ungjillizim botëror duke treguar kështu se përgjegjësia ndaj ungjillizimit i takon të gjithë trupit të Krishtit. Të gjitha kishat duhet të pyesin veten dhe Perëndinë se çfarë po bëjnë për të shpëtuar njerëzit në zonën e tyre dhe për të dërguar misionarë në pjesët e tjera të botës. Ri-vlerësimi i përgjegjësisë dhe i rolit tonë në dërgimin e misionarëve duhet të jetë i vazhdueshëm. Në këtë mënyrë do të zhvillohet partneriteti në rritje i kishave dhe do të shfaqet më qartë karakteri universal i kishës së Krishtit.

Ne gjithashtu falënderojmë Perëndinë për agjensitë që merren me përkthimin e Biblës, me edukimin teologjik, me mjetet e komunikimit masiv, me literaturën kristiane, me ungjillizimin, me misionet, ripërtëritjen e kishave si dhe fusha të tjera specifike. Edhe ata duhet të angazhohen më analizën e vazhdueshme për vlerësimin e efektivitetit të tyre si pjesë e misionit të Kishës.

(Rom. 1:8; Fil. 1:5; 4:15; Vep.13:1-3; I The. 1:6-8)

9.  DETYRA E UNGJILLIZIMIT NA THERRET TE SHPEJTOJME

Më shumë se 2 miliardë e 700 milionë njerëz, të cilët përbëjnë dy të tretat e njerëzimit, nuk janë ungjillizuar ende. Ne na vjen turp që kaq shumë njerëz janë lënë pas dore; kjo është një vërejtje që qëndron, si për ne ashtu edhe për kishën në tërësi. Megjithatë në shumë pjesë të botës tashmë ka një numër të paparë ndonjëherë njerëzish që kanë pranuar Zotin Jezu Krisht. Ne jemi të bindur se është koha që kishat dhe agjensitë pranë kishave të luten seriozisht për shpëtimin e atyre që janë ende të pashpëtuar dhe të fillojnë me përpjekje të reja të realizojnë ungjillizimin botëror. Pakësimi i numrit të misionarëve të huaj dhe të fondeve për vendet e ungjillizuara, nganjëherë mund të jetë i nevojshëm për rritjen e vetë-mbështetjes së kishës kombëtare dhe për të siguruar kështu burime për zonat që ende nuk janë ungjillizuar. Misionarët duhet të lëvizin gjithnjë e më lirshëm nëpër të gjashtë kontinentet me frymën e përulësisë në misionin e tyre. Me çdo mjet që kemi dhe sa më shpejt, të realizojmë synimin që çdo njeriu t’i jepet mundësia të dëgjojë, të kuptojë dhe të marrë lajmin e mirë.

Ne nuk mund të shpresojmë ta realizojmë këtë synim pa sakrifica. Të gjithë ne tronditemi nga varfëria e milionave dhe shqetësohemi nga padrejtësitë që e shkaktojnë atë. Të gjithë ne që jetojmë në bollëk, të pranojmë detyrën për të bërë një jetë të thjeshtë dhe kështu të mund të kontribuojmë më me bujari, si për dhënien e ndihmave, ashtu edhe për ungjillizim.

(Gjo. 9:4; Mt. 9:35-38; Rom. 9:1-3; I Kor. 9:19-23; Mr. 16:15; Isa. 58:6,7: Jak. 1:27;2:1-9; Mt. 25:31-46; Vep. 2:44,45; 4:34,35)

10 UNGJILLIZIMI DHE KULTURA

Zhvillimi i strategjive për ungjillizimin e botës kërkon metoda të reja dhe plot imagjinatë. Nën Perëndinë, rezultati do të jetë ngritja e kishave të rrënjosura thellë në Krisht dhe të lidhura ngushtë me kulturën e tyre. Kultura gjithmonë duhet testuar dhe gjykuar në bazë të Shkrimit të Shenjtë. Meqënëse njeriu është krijesë e Perëndisë një pjesë e kulturës së tij është e pasur me bukuri dhe mirësi. Por, për shkak të rënies së tij nga lavdia e Perëndisë, ajo është e njollosur nga mëkati dhe madje, një pjesë e saj, është djallëzore. Ungjilli nuk nënkupton superioritetin e një kulture ndaj tjetrës, por i vlerëson të gjitha kulturat sipas kritereve të tij të së vërtetës apo të drejtësisë dhe ngulmon në pushtetin absolut të moralit në çdo kulturë.

Shpesh misionarët bashkë me ungjillin kanë eksportuar kulturën e huaj dhe kishat nganjëherë janë bërë më shumë robër të kulturës, se sa të Shkrimit të Shenjtë. Ungjillorët e Krishtit duhet të kërkojnë me përulje ta zbrazin veten nga çdo gjë, përveçse nga autenticiteti personal, për t’u bërë shërbëtorët e të tjerëve dhe kishat duhet të transformojnë dhe të pasurojnë kulturën, gjithçka për lavdinë e Perëndisë. (Mr 7:8,9,13; Zan. 4:21,22; I Kor. 9:19-23; Fl.2:5-7; II Kor. 4:5)

11.  EDUKIMI DHE UDHËHEQJA

Ne e pohojmë se nganjëherë kemi patur si objektiv rritjen e kishës në dëm të punës intensive brenda në kishë, si dhe e kemi ndarë ungjillizimin nga edukimi kristian. Ne gjithashtu pranojmë se disa nga misionet tona kanë qenë tepër të ngadalshme në pajisjen dhe në inkurajimin e udhëheqësve vendas, për të marrë përsipër përgjegjësitë që u takojnë. Megjithatë, ne i respektojmë parimet e çdo vendi dhe dëshirojmë që çdo kishë të ketë drejtuesit vendas, të cilët të manifestojnë një mënyrë kristiane të udhëheqjes jo për të mbizotëruar, por për të shërbyer.

Ne e kuptojmë se është shumë e nevojshme të përmirësohet edukimi teologjik, veçanërisht për drejtuesit e kishave. Në çdo komb dhe, në çdo kulturë duhet të ketë një program kualifikimi efektiv për pastorët dhe anëtarët e thjeshtë të kishave mbi doktrinën, dishepullizimin, ungjillizimin, edukimin dhe shërbesën. Këto programe kualifikimi nuk duhen mbështetur në një metodologji stereotipe por duhet të zhvillohen nga iniciativa lokale krijuese sipas standarteve biblike.

(Kol. 1:27,28; Vep 14:23; Tit. 1:5,9; Mr.10:42-45; Ef. 4:11,12)

12.  KONFLIKT I FRYMEROR

Ne besojmë se po bëjmë një luftë shpirtërore të vazhdueshme me principatat dhe pushtetet e frymërave të mbrapshta që kërkojnë të përmbysin kishën dhe të pengojnë punën e saj për ungjillizimin e botës. Ne e ndjejmë nevojën për t’u pajisur me armaturën e Perëndisë dhe të luftojmë në këtë betejë me armët frymërore të së vërtetës dhe të lutjes, pasi ne zbulojmë veprimtarinë e armikut tonë, jo vetëm në ideologjitë e rreme jashtë kishe, por edhe brenda saj në ungjijtë e rremë, të cilët e shtrëmbërojnë Shkrimin e Shenjtë dhe e venë njeriun në vendin që i takon Perëndisë.

Ne kemi nevojë për vigjilencë dhe për mendjemprehtësi me qëllim që të ruhet ungjilli biblik. Ne e pohojmë se nuk jemi të imunizuar ndaj natyrës materialiste të mendimit dhe të veprimit, d.m.th. ndaj rënies pre e koncepteve laike. Për shembull, megjithëse studimet e kujdesshme për rritjen e kishës nga ana numerike dhe shpirtërore, janë të drejta dhe me vlerë, ngandonjëherë ne i kemi neglizhuar ato. Herë të tjera duke dëshiruar të siguronim një përgjigje ndaj ungjillit, ne kemi bërë kompromise përmes mesazhit tonë, kemi manipuluar dëgjuesit përmes presionit, dhe jemi preokupuar padrejtësisht për statistikat apo i kemi përdorur ato në mënyrë të pandershme. E gjithë kjo është mendësi tokësore që dëshmon se në vend që kisha të hyjë në botë përmes qellores së saj, është bota që hyn në kishë përmes materializmit gjë që na apelon se duhet të ndodhë e kundërta.

(Ef 6:12; II Kor 4:3,4; Ef. 6:11,13-18; II Kor. 10:3-5; I Gjo. 2:18-26; 4:1-3; Gal. 1:6-9;II Kor. 2:17; 4:2; Gjo 17:15)

13.  LIRIA DHE PERSEKUTIMI

Është detyrë e dhënë nga Perëndia që çdo qeveri të sigurojë kushtet e paqes, të drejtësisë dhe të lirisë në të cilën kisha mund t’i bindet Perëndisë, t’i shërbejë Zotit Krisht, dhe të predikojë ungjillin pa ndërhyrje. Prandaj ne lutemi për udhëheqësit e kombeve dhe i bëjmë thirrje atyre të garantojnë lirinë e mendimit dhe të ndërgjegjes, si dhe lirinë për të ushtruar e propaganduar besimin në përputhje me vullnetin e Perëndisë dhe siç është parashtruar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ne gjithashtu shprehim shqetësimin tonë të thellë për të gjithë ata që janë burgosur padrejtësisht, dhe veçanërisht për vëllezërit tanë , të cilët po vuajnë për shkak të dëshmisë së tyrë si besimtarë të Zotit Jezus.

Ne premtojmë se do të lutemi dhe do të punojmë për lirinë e tyre. Në të njëjtën kohë, ne nuk duhet të trembemi nga fati i tyre. Perëndia po na ndihmon prandaj ne do të kërkojmë t’i kundërvihemi padrejtësisë dhe t’i qëndrojmë besnik ungjillit me çdo kusht. Ne nuk e harrojmë paralajmërimin e Jezusit se persekutimi është i pashmangshëm.

(1 Tim. 1:1-4; Vep 4:19; 5:29; Kol.3:24; Heb.13:1-3; Luk. 4:18; Gal. 5:11; 6:12; Mt. 5:10-12; Gjo.15:18-21)

14.  PUSHTETI I FRYMES SE SHENJTE

Ne besojmë në pushtetin e Frymës së Shenjtë. Ati dërgoi Frymën e Tij për të dëshmuar për Birin e Tij; pa dëshminë e Tij, dëshmia jonë do të ishte e pavlerë.

Bindja për mëkatin, besimi tek Krishti, rilindja dhe rritja kristiane janë puna jonë. Më tej, Fryma e Shenjtë është një frymë misionare, dhe si pasojë ungjillizimi duhet të rrjedhë në mënyrë të vetvetishme nga kisha e mbushur me Frymë. Një kishë që nuk është kishë misionare, i kundërvihet vetes dhe e shuan Frymën.

Ungjillizimi mbarëbotëror do të bëhet një mundësi reale vetëm kur Fryma të ripërtërijë kishën me të vërtetën, urtësinë, besimin, shenjtërinë, dashurinë dhe pushtetin. Prandaj ne ju bëjmë thirrje të gjithë kristianëve të luten për ardhjen tek njerëzit të Frymës sovrane të Perëndisë dhe që i gjithë fryti i Tij të shfaqet tek të gjithë njerëzit e Tij dhe që të gjithë dhuntitë e Tij të mund të pasurojnë trupin e Krishtit. Vetëm atëhere e tërë kisha do të bëhet një mjet i përshtatshëm në duart e Tij, dhe e tërë bota do të mund të dëgjojë zërin e Tij.

(I Kor. 2:4; Gjo. 15:26, 27; 16:8-11; I Kor. 12:3; Gjo 3:6-8; II Kor. 3:18; Gjo. 7:37-39; I The. 5:19; Vep. 1:8; Psa. 85:4-7; 67:1-3; Gal. 5:22,23; I Kor. 12:4-31; Rom.12:3-8)

15.  KTHIMI I KRISHTIT

Ne besojmë se Jezu Krishti do të kthehet personalisht dhe në mënyrë të dukshme, me pushtet dhe me lavdi, për të përmbushur shpëtimin dhe gjykimin. Ky premtim për ardhjen e Tij është një nxitje tjetër për ungjillizimin tonë, prandaj ne i kujtojmë fjalët

e Tij që ungjilli duhet së pari t’ju predikohet të gjithë kombeve. Ne besojmë se periudha e përkohëshme ndërmjet ngjitjes së Jezusit në qiell dhe e kthimit të Tij duhet të mbushet me misionin e njerëzve të Perëndisë, të cilët nuk kanë të drejtë ta ndërpresim këtë shërbesë deri sa të vijë koha e Fundit. Ne gjithashtu kujtojmë paralajmërimin e Tij se krishtër të rremë dhe profetë të rremë do të ngrihen si pararendës të Antikrishtit të fundit.

Ne gjithashtu e hedhim poshtë si një ëndërr vetëkënaqësie dhe krenarie, nocionin që njeriu mund të ndërtojë ndonjëherë një utopi në tokë. Ne kristianët kemi besim që Perëndia do ta përsosë mbretërinë e Tij, dhe ne e presim me dëshirë dhe me padurim ardhjen e asaj dite, dhe të qiellit e tokës së re në të cilën drejtësia do të jetojë dhe Perëndia do të mbretërojë përjetë. Ndërkohë, ne do t’i përkushtohemi sërish shërbesës ndaj Krishtit dhe njerëzve duke iu nënshtruar me gëzim autoritetit të Tij gjatë gjithë jetës sonë.

(Mr. 14:62; Heb. 9:28; Mr. 13:10; Vep. 1:8-11; Mt. 28:20; Mr. !3:21-23; Gjo. 2:18; 4:1-3; Luk. 12:32; Zbu. 21:1-5; II Pj.3:13; Mt. 28:18)

KONKLUZIONI

Për këtë arsye nën dritën e besimit dhe të vendosmërisë sonë, ne hyjmë në një besëlidhje solemne me Perëndinë dhe njëri- tjetrin, për t’u lutur, për të planifikuar dhe për të punuar së bashku për ungjillizimin e tërë botës. Ne i bëjmë thirrje të tjerëve të bashkohen me ne. Paçim ndihmën e Perëndisë përmes hirit të Tij dhe për lavdinë e Tij, që të jemi besnikë ndaj besëlidhjes sonë! Amen, Aleluia!

(Kongresi Ndërkombëtar për ungjillizimin e botës, Lozanë, Zvicër, Korrik 1974, Konventa e Lozanës)