HYRJE
“Nga të gjitha veprat e njeriut, pendesa është më hyjnorja. Më i madhi nga të gjithë fajet është mospranimi i asnjë faji”. Thomas Carlyle
Pendimi mund të përkufizohet si pranimi i fajit, gabimit dhe prirjes ndaj ligësisë; largimi nga mëkati dhe mosbesimi; ndryshimi i kursit të veprimit; ndryshimi i mendjes dhe mënyrës së të jetuarit; përkushtimi për të jetuar si duhet; pikëllimi për të keqen.
Bibla na mëson se Perëndia dëshiron që të gjithë njerëzit të pendohen dhe të kthehen me besim te Krishti. «Zoti nuk e vonon premtimin, siç mendojnë disa, por është i duruar me ju, sepse nuk dëshiron që ndokush të humbasë, por dëshiron që të gjithë të kthehen në pendim» (2 Pjetrit 3:9).
Gjon Pagëzori erdhi duke predikuar dhe pagëzuar me qëllim që njerëzit të pendoheshin dhe të besonin në Krishtin. «Unë po ju pagëzoj me ujë, që të pendoheni, por pas meje vjen një që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t’i zgjidh sandalet. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë dhe me zjarr» (Mateu 3:11).
Jezui e nisi predikimin e tij me thirrjen që njerëzit të pendohen. «Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër»» (Mateu 4:17).
Po kush e dëgjoi mësimin e Gjonit? Kush iu bind predikimit dhe thirrjes së Jezuit për të cilin Gjoni dëshmoi?
Pasazhi që do të shqyrtojmë sot tregon se ata që e mbanin veten për të drejtë, njerëzit hipokritë dhe fetarë, në përgjithësi nuk u penduan, nuk u bindën dhe nuk besuan Ungjillin. Nga ana tjetër, ishin njerëzit e vetëdijshëm për mëkatin e tyre ata që u penduan, u bindën, besuan dhe morën shpëtimin.
Jezui la të kuptohet se nuk kishte si të ndodhte ndryshe: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët që të pendohen» (Luka 5:31-32). Jezui na mëson se vetëm ata që pendohen për mëkatin e tyre, besojnë dhe i binden mësimit të Ungjillit i përkasin Mbretërisë së tij.
TEKSTI BIBLIK
28 «Më thoni, si e mendoni këtë gjë: Një njeri kishte dy djem. Shkoi tek i pari e i tha: “Bir, shko e puno në vresht sot.”
29 Ai iu përgjigj: “Nuk dua.” Por më vonë u pendua dhe shkoi.
30 Shkoi te djali tjetër dhe i tha të njëjtën gjë. Ai iu përgjigj: “Po, imzot”, por nuk shkoi.
31 Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?». Ata iu përgjigjën: «I pari». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit dhe laviret do të shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë.
32 Gjoni erdhi te ju në udhën e drejtësisë dhe ju nuk i besuat, por tagrambledhësit dhe laviret i besuan. Ndërsa ju, edhe pasi e patë këtë gjë, nuk ndërruat mendje dhe nuk besuat» (Mateu 21:28-32).
Konteksti Historik.
Krerët e Izraelit janë tërbuar nga veprimet e Jezuit në Jerusalem në javën e Pashkës së tyre. Kur hyri në Jerusalem, Jezui pranoi ta adhuronin si Perëndi dhe tregoi qartë se është Mesia i parathënë prej profetëve.
Në këto ditë të fundit të shërbesës së tij, Jezui vazhdoi të demonstrojë autoritetin e tij hyjnor duke dënuar korrupsionin dhe pafrytshmërinë e sistemit fetar të Izraelit, duke shëruar të sëmurët dhe duke u mësuar njerëzve Ungjillin e Mbretërisë.
Kur krerët e Izraelit e pyetën se kush e kishte autorizuar për t’i bërë të gjitha këto, ndërsa kërkonin prova për ta akuzuar për blasfemi, Jezui i sfidoi ata duke i pyetur se nga vinte pagëzimi i Gjonit. Përderisa ata nuk donin të pranonin dhe kishin frikë të mohonin se Gjon Pagëzori ishte profet, Jezui refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së tyre.
Pasi i ka lënë pa fjalë, Jezui u tregon atyre një shëmbëlltyrë duke i cilësuar si njerëz që nuk i binden vullnetit të Perëndisë. Në kontrast me krerët e Izraelit, Jezui tregon se mëkatarët që pendohen dhe besojnë Ungjillin bëjnë vullnetin e Perëndisë.
Në fund, Jezui e lidh mosbindjen e krerëve të Izraelit ndaj vullnetit të Perëndisë me mosbindjen e tyre ndaj mesazhit të Gjon Pagëzorit. Jezui i përgjigjet kështu pyetjes që ata patën frikë t’i përgjigjen: Gjoni erdhi nga Perëndia. Sepse ata refuzuan Gjonin, ata refuzojnë edhe Krishtin. Ndërsa njerëzit e thjeshtë, ata që pranuan thirrjen e Gjonit për t’u penduar për mëkatin, bëjnë vullnetin e Perëndisë duke besuar Ungjillin e Krishtit.
PROPOZIMI QENDROR
Bindja ndaj vullnetit të Perëndisë kërkon që të pendohemi për mëkatin dhe të besojmë Ungjillin për t’u bërë bij e bija të Mbretërisë.
I. Kush Pendohet Bën Vullnetin e Perëndisë – v. 28-31a
Atyre që kishin sfiduar autoritetin e tij për të dhënë mësim, për të bërë mrekulli dhe për të shpallur gjykime, Jezui u përgjigjet në mënyrën më të shkëlqyer të mësimdhënies sipas traditës rabinike të të folurit më shëmbëlltyra. Historia e shkurtër e një babai që u kërkon dy bijve të tij të shkojnë për të punuar në vresht ka për qëllim të tregojë se kush bën dhe kush nuk bën vullnetin e Perëndisë.
Jezui ua bën të qartë krerëve të Izraelit se nuk mjafton thjesht të themi gjënë e duhur, por duhet të bëjmë gjënë e duhur për të qenë në rregull me Perëndinë. Djali i parë as nuk thotë gjënë e duhur fillimisht, por në fund bën atë që duhet. Djali i dytë vërtet thotë gjënë e duhur fillimisht, por në fund nuk bën atë që duhet.
Pasi i ka detyruar të pohojnë se i pari bëri vullnetin e atit të tij, Jezui i befason krerët e Izraelit duke identifikuar njerëzit e thjeshtë e mëkatarë që pendohen si ata që përfaqëson djali i parë. Djali i dytë që vetëm përgjigjet drejt, por nuk bën vullnetin e atit të tij përfaqëson fetarët hipokritë që e mbajnë veten për të drejtë dhe gabimisht mendojnë se nuk kanë për çfarë të pendohen.
Djali i parë bëri gjënë e duhur pikërisht pse u pendua. Ai e kuptoi gabimin. Ai e pranoi gabimin. Ai e ndryshoi mendjen. Ai ndryshoi mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit. Ai e shprehu pendimin me vepra drejtësie. Ai që ishte rebel, u pendua, u bind dhe kështu bëri vullnetin e të atit.
Jezui po u thoshte krerëve të Izraelit, që merakoseshin për të thënë gjënë e duhur, por nuk bënin gjënë e duhur, se ndjekësit e tij po bënin vullnetin e Perëndisë duke i besuar dhe duke iu bindur sepse ata e kishin pranuar mësimin e Gjon Pagëzorit për t’u penduar për mëkatet.
Gjon Pagëzori i kishte paralajmëruar krerët fetarë të Izraelit që të bënin vullnetin e Perëndisë me vepra dhe jo vetëm me fjalë siç veproi djali i dytë në shëmbëlltyrë. «Kur pa Gjoni se shumë farisenj dhe saducenj vinin për t’u pagëzuar tek ai, u tha: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Tregojeni me vepra se jeni penduar dhe mos mendoni se do t’i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t’i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë» (Mateu 3:7-9).
Kthimi i mëkatarëve të penduar te Perëndia përmes bindjes dhe besimit në Ungjillin e Jezu Krishtit është njësoj si Perëndia t’i ketë dhënë “bij Abrahamit … nga këta gurë”. Ndërsa ata që e mbanin veten për bij të Abrahamit, por nuk u penduan, nuk iu bindën dhe nuk i besuan as predikimit të Gjon Pagëzorit dhe as Ungjillit të Jezu Krishtit, u gjykuan dhe u dënuan njësoj si Perëndia t’i nguroste.
II. Kush Bën Vullnetin e Perëndisë i Përket Mbretërisë – v. 31b-32
Pasi i ka identifikuar ata që e bëjnë vullnetin e Perëndisë dhe ata që nuk e bëjnë vullnetin e Perëndisë, Jezui bën lidhjen e shëmbëlltyrës me çështjen e autoritetit të Gjon Pagëzorit dhe autoritetit të tij. Jezui tregon dallimin ndërmjet atyre që vërtet i përkasin Mbretërisë dhe atyre që gabimisht mendojnë se janë dikush në këtë Mbretëri duke mos qenë fare në të.
Përmes frazës “me të vërtetë po ju them”, Jezui po thekson faktin se “tagrambledhësit dhe laviret”, njerëzit më mëkatarë, më të përçmuar, ata që nuk ishin aspak të përshpirtshëm apo fetarë, për shkak se pendohen, binden dhe besojnë Ungjillin, do të marrin faljen, do të mëshirohen, do të hyjnë të parët në Mbretërinë e tij.
Si ka mundësi që njerëz të tillë t’i përkasin Mbretërisë së Perëndisë? Sepse ata janë penduar për mëkatin e tyre. Sepse ata kanë ndërruar mendje. Sepse ata janë kthyer me besim nga ligësitë e tyre te Perëndia. Sepse ata tani ndjekin me bindje udhën e Zotit.
Si ka mundësi që krerët e Izraelit nuk do të mund të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë? Sepse ata nuk janë penduar. Sepse ata nuk kanë pranuar asnjë faj. Sepse ata kanë parë, por nuk kanë besuar. Sepse ata e kanë ditur se cili është vullneti i Zotit, madje i kanë urdhëruar të tjerët të bëjnë vullnetin e Zotit, por vetë nuk e kanë bërë.
Prandaj Jezui tha për ta: «Skribët dhe farisenjtë kanë për detyrë t’ju mësojnë ligjin e Moisiut. Bëni dhe zbatoni gjithçka që ju thonë ata, por mos veproni sipas veprave të tyre, sepse ata nuk veprojnë ashtu siç thonë. Lidhin barrë të rënda që mbahen me vështirësi dhe ua vënë njerëzve mbi shpatulla, por vetë nuk duan t’i lëvizin as me gisht» (Mateu 23:2-4). Për më tepër: «Mjerë ju, o skribë e farisenj hipokritë, që u mbyllni njerëzve mbretërinë e qiellit! As vetë nuk hyni brenda dhe as nuk lejoni të hyjnë ata që duan të hyjnë»
(Mateu 23:13-14).
Jezui i qorton krerët e Izraelit për mospranimin e fajeve të tyre. Ata nuk ndërruan mendje, nuk u penduan edhe kur panë se si u penduan tagrambledhësit dhe laviret. Jezui i qorton ata për mosbesimin e tyre. Ai u thotë hapur se Gjon Pagëzori kishte ardhur në udhën e drejtësisë. Ata nuk i kishin besuar Gjonit dhe nuk kishte si t’i besonin Jezuit.
Gjoni dhe Jezui erdhën prej Perëndisë. Gjoni i thirri njerëzit në pendesë. Gjoni i drejtoi njerëzit tek Jezui. Të gjithë ata që i besuan mësimit të tyre, u penduan dhe kështu bënë vullnetin e Perëndisë.
PËRFUNDIMI
Jezu Krishti është Perëndia njeri që i thërret të gjithë të pendohen, të binden dhe të besojnë Ungjillin që të shpëtohen. Ai është Mbreti, Zoti dhe Shpëtimtari i botës.
Lajmi i Mirë, Ungjilli, ka kuptim për ata që e pranojnë se janë fajtorë para Perëndisë së shenjtë e të drejtë. Këta janë njerëzit që përulen me bindje para Perëndisë duke u penduar, duke kërkuar falje dhe duke besuar. Atyre Jezui u jep Mbretërinë.
Nga ana tjetër, Lajmi i Mirë refuzohet nga njerëzit krenarë. Këta mendojnë se janë mjaft të mirë për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë në bazë të meritave të tyre. Këta nuk pendohen sepse nuk pranojnë asnjë faj. Dhe ky është faji i tyre më i madh.
Jezui na paralajmëroi të ruhemi nga hipokrizia e njerëzve fetarë që vetëm me fjalë i kushtohen Perëndisë, por nuk i binden atij me pendim, përulësi dhe besim. Jezui dëshiron që ne të bëjmë vullnetin e Perëndisë. Kush pendohet bën vullnetin e Perëndisë. Kush bën vullnetin e Perëndisë i përket Mbretërisë së Perëndisë.
Nga Zef Nikolla