Refuzimi i Mbretërisë

HYRJE

“Ç’të bëj më për vreshtin tim, që ende s’e paskam bërë? Tek prisja të më bënte rrush, përse dha vetëm larushk?”
‭‭Isaia‬ ‭5:4‬

Historia biblike tregon se Perëndia u kujdes në mënyrë të veçantë për kombin e Izraelit si për vreshtin e tij (cfr. Isaia 5:1-7). Perëndia nuk e zgjodhi Izraelin thjesht për hir të Izraelit, as për merita të veçanta, por e zgjodhi si përçues të shpëtimit të tij për të gjithë popujt dhe kombet (cfr. L. i P. 7:7; Zan. 12:3; 17:4; 22:15-18).

Fatkeqësisht, Izraeli nuk i qëndroi gjithmonë besnik besëlidhjes me Perëndinë për të qenë kombi model dhe për të përçuar shpëtimin në të gjithë botën. Në fakt, kur Perëndia erdhi te kombi i tij i zgjedhur në personin e Jezu Krishtit, ata e refuzuan mbretërimin e tij (Gjo. 1:11).

Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot, Jezui ua thotë troç krerëve të Izraelit se refuzimi i Mbretërisë së tij nga ana e tyre do të bëjë që Mbretëria t’u hiqet atyre dhe t’u jepet të tjerëve që do ta pranojnë dhe do të japin fryt.

TEKSTI BIBLIK

33 «Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: I zoti i një shtëpie mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj.
34 Kur afroi koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrnin pjesën e tij të prodhimit.
35 Por vreshtarët i kapën shërbëtorët dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.
36 U dërgoi edhe shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, por vreshtarët bënë të njëjtën gjë me ta.
37 Pastaj dërgoi të birin duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt.”
38 Po kur panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim e t’i marrim trashëgiminë.”
39 Atëherë e kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë.
40 Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?».
41 Ata i thanë: «Do t’i vrasë pa mëshirë vreshtarët e këqij dhe vreshtin do t’ua japë vreshtarëve të tjerë, që do t’i japin të vjelat në kohën e duhur».
42 Jezui u tha: «A nuk i keni lexuar kurrë Shkrimet e shenjta që thonë: guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes. Kjo është vepra e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë»?
43 Prandaj po ju them: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju hiqet juve dhe do t’i jepet një kombi që do të japë fryte në të.
44 Kushdo që bie mbi këtë gur do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta thërrmojë».
45 Kur kryepriftërinjtë dhe farisenjtë i dëgjuan shëmbëlltyrat e Jezuit, e kuptuan se po fliste për ta
46 dhe donin ta kapnin, por kishin frikë nga turma që e mbante Jezuin për profet (Mateu‬ ‭21:33-46‬).

Konteksti Historik

Pasi ka gjykuar korrupsionin (pastrimi i tempullit) dhe shterpësinë (mallkimi i fikut) e sistemit fetar judaist që ishte larguar nga e vërteta e Shkrimit të Shenjtë, Jezui përballet me krerët e Izraelit duke vërtetuar autoritetin e tij hyjnor. Ai i identifikon ata me djalin që i tha të atit se do të shkonte të punonte në arë, por nuk shkoi.

Në shëmbëlltyrën e vreshtit dhe vreshtarëve, Jezui është edhe më i drejtpërdrejtë me krerët e Izraelit. Jezui i identifikon ata me vreshtarët e këqij që meritojnë dënimin maksimal. Në shpjegimin e shëmbëlltyrës, Jezui e identifikon veten me vreshtarin e refuzuar padrejtësisht që do t’i dënojë vreshtarët e këqij dhe do t’ua japë vreshtin atyre që japin fryt.

Në këtë pasazh Jezui përdor edhe metaforën e gurit të hedhur tej nga ndërtuesit, por që bëhet guri i qoshes mbi të cilin shkatërrohen ata që e refuzojnë dhe ndërtohen ata që e pranojnë. Metafora e gurit të hedhur tej që bëhet guri i qoshes ilustron vdekjen në kryq dhe ngjalljen e Jezuit.

PROPOZIMI QENDROR

KUSH E REFUZON MBRETËRINË E KRISHTIT SHKATËRROHET, POR KUSH E PRANON ATË JEP FRYT.

I. Mbreti Jezu Krisht Me Të Drejtë Do Të Ndëshkojë Armiqtë e Tij.

Kjo është shëmbëlltyra e dytë nga tre të tilla që Jezui u tha krerëve të Izraelit që e kishin ndarë mendjen për ta vrarë. Thelbi i këtyre shëmbëlltyrave nuk është aspak i vështirë për t’u kuptuar. Këto shëmbëlltyra tregojnë se Jezui është Mbreti i veshur me autoritet hyjnor për të ndëshkuar me të drejtë të gjithë ata që e refuzojnë.

Vini re kujdesin e vreshtarit për vreshtin e tij në vargun 33. Ai bën gjithçka si duhet që vreshti i tij të japë fryt. Vini re mundësinë e shkëlqyer që ai u jep vreshtarëve që të nxjerrin jetesën e tyre duke ua besuar gjithë mundin dhe investimin e tij.

Vini re korrektësinë e vreshtarit në vargun 34. Ai dërgon shërbëtorët e vet tek vreshtarët në kohën e duhur. Ai kërkon prej vreshtarëve vetëm pjesën e vet, atë që i takon me të drejtë sipas marrëveshjes me ta.

Vini re durimin e vreshtarit me vreshtarët e këqij në vargjet 35-37. Ai u jep atyre disa mundësi që të tregohen të përgjegjshëm dhe të respektojnë marrëveshjen me vreshtarin.

Vini re ligësinë e këtyre vreshtarëve të këqij. Në vend që të jenë mirënjohës, ata janë mashtrues; në vend që të jenë bashkëpunues, ata janë barbarë; në vend që të jenë të përgjegjshëm, ata janë të paskrupull; në vend që të jenë kujdestarë, ata janë kriminelë.

Në vargun 40 Jezui u drejtohet krerëve të Izraelit që ende nuk e kishin kuptuar se ata vetë ishin vreshtarët e këqij dhe i pyet: “Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?».

Në vargun 41 ata shqiptojnë dënimin e tyre të drejtë: Ata i thanë: «Do t’i vrasë pa mëshirë vreshtarët e këqij dhe vreshtin do t’ua japë vreshtarëve të tjerë, që do t’i japin të vjelat në kohën e duhur».

Atëherë Jezui bëhet edhe më konkret në padinë e tij kundër krerëve të Izraelit, ndërsa vazhdon me shpjegimin e shëmbëlltyrës në vargjet 42-44. Këtë shpjegim Jezui e mbështet edhe me Psalmin 118:22-23 që thotë: «Guri që ndërtuesit e hodhën tej u bë guri i qoshes. Prej Zotit u bë kjo dhe është e mrekullueshme për sytë tanë».

Krerët e Izraelit sipas këtij shpjegimi nuk janë vetëm vreshtarët e këqij të cilëve do t’u hiqet mbretëria dhe do të vriten, por janë edhe ndërtuesit që hodhën tej gurin që do t’i copëtojë. Jezui qartazi identifikohet me birin e vreshtarit që e vrasin, me gurin që e hedhin tej, por që në fakt do të rimerret, do të ringjallet pas vdekjes dhe do të bëhet guri i qoshes.
Ndërkohë ky gur do të bjerë mbi të gjithë ata që e hedhin tej dhe do t’i bëjë copa-copa njësoj si vreshtari do të vrasë të gjithë vreshtarët e këqij.

Mësimi i këtij pasazhi është i qartë: Mbreti Jezu Krishti me të drejtë do të ndëshkojë armiqtë e tij.

II. Mbreti Jezu Krisht Me Dashuri Do Të Ndërtojë Adhuruesit e Tij.

Në vargun 43 Jezui u tha krerëve të Izraelit: Prandaj po ju them: “Mbretëria e Perëndisë do t’ju hiqet juve dhe do t’i jepet një kombi që do të japë fryte në të”. Kjo thënie dhe shprehja “guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes” në vargun 42 ngrenë dy pyetje të fundit: Kujt i jepet Mbretëria? Çfarë ndërtohet mbi gurin e qoshes?

Gjon Pagëzori i kishte paralajmëruar krerët fetarë të Izraelit që mburreshin se ishin bij të Abrahamit, por nuk jepnin fryte të pendimit se ata nuk ishin të pazëvendësueshëm. «Tregojeni me vepra se jeni penduar dhe mos mendoni se do t’i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t’i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë»
‭‭(Mateu‬ ‭3:8-9‬).

Duke iu referuar njerëzve nga kombet e tjera që do të hynin në Mbretërinë e tij vetë Jezui tha: «Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t’i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari» (Gjoni‬ ‭10:16‬).

Apostulli Pal i bën jehonë profetit Hosea që kishte parathënë hyrjen e njerëzve nga kombet në Mbretërinë e Perëndisë: «Sikurse thotë te Hosea: Atë që nuk ishte populli im, do ta quaj populli im; atë që nuk ishte e dashur, do ta quaj të dashur. Dhe në vendin ku u qe thënë: «Ju nuk jeni populli im», atje ata do të quhen bij të Perëndisë së gjallë» (Romakëve‬ ‭9:25-26‬).

Apostulli Pjetër e përforcon këtë ide kur thotë: «Ju që dikur nuk ishit popull, tani jeni populli i Perëndisë. Ju që ishit të përjashtuar nga mëshira, tani u mëshiruat» (1 Pjetrit‬ ‭2:10‬). Ose:
“Atëherë Pjetri filloi t’u fliste: «Me të vërtetë po e kuptoj se Perëndia nuk mban anën e askujt. Kushdo që e druan Perëndinë dhe bën atë që është e drejtë, nga çdo komb qoftë, gjen pëlqim te Perëndia»
‭‭(Veprat‬ ‭10:34-35‬).

Mbreti Jezu Krisht u jep Mbretërinë njerëzve nga çdo gjuhë, fis dhe komb që pendohen për mëkatin dhe besojnë se ai është Zoti që shpëton. Kur u ngjall nga të vdekurit, Jezu Krishti, Mbreti i gjithëpushtetshëm, i urdhëroi ndjekësit e tij të përhapnin Mbretërinë në çdo cep të botës.

Pjetri flet për hyrjen në Mbretëri të çdo personi që i beson Jezuit duke e zgjeruar metaforën e gurit: «Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Unë zgjodha një gur të çmuar dhe e vura në Sion si gurin e qoshes. Kush beson në të nuk do të turpërohet. Për ju që besoni, ky gur është i çmueshëm, ndërsa për ata që nuk besojnë, guri që ndërtuesit e hodhën tej u bë guri i qoshes, guri që i pengon dhe shkëmbi që i rrëzon. Ata që pengohen nuk i binden fjalës dhe për këtë janë caktuar. Ndërsa ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull që Perëndia zgjodhi për të shpallur veprat e tij madhështore. Ai ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme»
‭‭(1 Pjetrit‬ ‭2:6-9‬).

Perëndia adopton si fëmijë të tij të gjithë ata që besojnë Ungjillin e Krishtit. Këta bëhen populli i tij. Pali i përshkruan të gjithë ata që besojnë Krishtin sipas Ungjillit “judenj të vërtetë”. «Sepse jude i vërtetë nuk është ai që duket i tillë së jashtmi dhe rrethprerja nuk është diçka e jashtme apo trupore; por jude i vërtetë është ai që është i tillë së brendshmi. Rrethprerja e vërtetë është ajo e zemrës, që bëhet me Shpirtin e Shenjtë e jo me shkronjën e ligjit të Moisiut. Lavdia e judeut të vërtetë nuk vjen nga njerëzit, por nga Perëndia»
‭‭(Romakëve‬ ‭2:28-29‬).

Ndjekësit e Krishtit nga çdo komb përbëjnë kishën e tij. Ai vetë është guri i qoshes mbi të cilin ndërtohet kisha. «Prandaj ju nuk jeni më të huaj e bujtës, por jeni bashkëqytetarë me të shenjtët dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë. Ju jeni pjesë e ndërtesës që ka si themel apostujt e profetët dhe si gur të qoshes vetë Krishtin Jezu» (Efesianëve‬ ‭2:19-20‬).

Mbreti Jezu Krisht me dashuri ndërton adhuruesit e tij. Ai u jep atyre Mbretërinë pavarësisht se nga vijnë. «Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve, ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh»
‭‭(Mateu‬ ‭8:11-12‬).

PËRFUNDIMI

Mateu 21 mbyllet me vargjet 45 dhe 46 që tregojnë se krerët e Izraelit e kuptuan se shëmbëlltyrat e Jezuit u drejtoheshin atyre dhe donin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat.

Jezui ua përplasi në fytyrë të vërtetën e gjykimit të mosbesimit të tyre. Ai i identifikoi ata me vrasësit e profetëve dhe vrasësit e Birit të Perëndisë. Jezui la të kuptohet se ata do ta vrisnin, por ai do të ngjallej. Në fakt, Jezui i paralajmëroi për ndëshkimin e tmerrshëm që i priste. Jezui tha se ata do të bëheshin copë.

Nga ana tjetër, Jezui tregoi se Mbretëria do t’u jepej njerëzve nga çdo vend i botës që japin fryt. Këta njerëz do të ishin populli i tij. Ata do të jepnin fryt sepse ata do të ndërtoheshin mbi Jezuin si gurin e qoshes. Ata do të jepnin fryt sepse do të qëndronin në të. Ky ishte një nga mësimet e fundit që ai u dha ndjekësve të tij para se të kryqëzohej:

«… Kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë» (Gjoni‬ ‭15:5‬).

 

Nga Zef Nikolla