Mbreti Shfaq Autoritetin Hyjnor

HYRJE

“Të jesh i krishterë nuk është për pulat e lagura. Duhet të jesh vërtet burrë që të jetosh për Perëndinë – shumë më burrë sesa të jetosh për djallin”. – Johnny Cash

Të besosh dhe të shpallësh të vërtetën nuk është aspak e lehtë në një botë ku sundon gënjeshtra dhe mashtrimi. Ndjekësit e Krishtit janë thirrur të kërkojnë, të besojnë, të jetojnë dhe të shpallin të vërtetën. Kjo është një thirrje e lartë që vjen me një kosto të lartë.

Jezu Krishti shpalli se është e vërteta (Gjoni 14:6). Ai tha edhe: “do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gjoni‬ ‭8:32‬). Jezui mishëroi dhe mësoi të vërtetën, por u refuzua dhe u ndëshkua nga kombi i tij.

Izraeli e mohoi Mesinë (Mbretin) e vet për dy arsye kryesore. Së pari, Izraeli nuk e njohu Fjalën e gjallë të mishëruar sepse kishte zëvendësuar Fjalën hyjnore të shkruar me traditat dhe rregullat njerëzore (cfr. Luka 11:52). Së dyti, Izraeli e mohoi të Vërtetën e mishëruar sepse krerët fetarë të kombit ishin thellësisht të korruptuar dhe nuk mund të shihnin përtej interesave të tyre (cfr. Gjoni 11:47-53).

Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot do të shohim guximin e Jezuit në ekspozimin e korrupsionit të njerëzve me pushtet, dhembshurinë e tij për të dobëtit e të sëmurët dhe restaurimin e adhurimit sipas të vërtetës hyjnore.

TEKSTI BIBLIK

12 Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave.
13 Dhe u tha: «Shkrimi i shenjtë thotë: Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje, por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
14 Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbërit e të çalët dhe ai i shëronte.
15 Por kryepriftërinjtë e skribët, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan
16 dhe i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?». Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi?».
17 Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën (Mateu‬ ‭21:12-17‬).

Konteksti Historik

Jezu Krishti kishte hyrë përulësisht në Jerusalem, hipur mbi një gomar, sipas traditës së lashtë të mbretëve të Izraelit. Ndjekësit e tij të shumtë e brohoritën si Mbret, ndonëse krerët fetarë u ankuan për pritjen që iu bë.

Meqenëse ishte java e shenjtë e kremtimit të Pashkës, Jerusalemi ishte plot me pelegrinë. Si shumë prej tyre, Jezui e kalonte ditën në qytet, por në mbrëmje shkonte për të kaluar natën te miqtë e tij në Betani.

Ngjarjet për të cilat lexojmë tek Mateu 21:12-17 ndodhën një ditë pas hyrjes së Jezuit si Mbret në Jerusalem. Ky pasazh zakonisht titullohet “Pastrimi i Tempullit”, por në të vërtetë përmban edhe ngjarje të tjera të rëndësishme.

Këto ngjarje vërtetojnë autoritetin hyjnor të Jezu Krishtit për t’i folur të vërtetën pushtetit të korruptuar njerëzor, për të shpëtuar njerëzit e thjeshtë që vijnë me besim tek ai dhe për të pranuar të adhurohet si Zot sipas Shkrimit të Shenjtë.

Një ndër gjërat e para që Jezui bëri kur filloi shërbesën e tij publike ishte pastrimi i Tempullit (cfr. Gjoni 2:13-25). Pastrimi i Tempullit përsëri është një nga gjërat e fundit që shohim se bën Jezui tani në javën e fundit të shërbesës së tij tokësore. Jo më kot Bibla thotë: “Erdhi koha që të fillojë gjykimi nga shtëpia e Perëndisë. Nëse fillon së pari me ne, si do të jetë fundi i atyre që nuk iu bindën ungjillit të Perëndisë?” (1 Pjetrit‬ ‭4:17‬).

PROPOZIMI QENDROR

MBRETI JEZU KRISHT SHFAQI AUTORITETIN HYJNOR DUKE GJYKUAR KORRUPSIONIN, DUKE SHËRUAR TË SËMURËT DHE DUKE PRANUAR ADHURIMIN E VËRTETË.

I. Mbreti Jezu Krisht Ka Autoritet Hyjnor Për Të Gjykuar Korrupsionin  v. 12-13

Tempulli në Jerusalem ishte ndërtuar për të qenë shtëpia e Perëndisë; një shtëpi lutje e adhurimi; një vend ku të shfaqej lavdia dhe fuqia e Perëndisë për të shëruar, për të shpëtuar dhe për të ndriçuar me të vërtetën hyjnore popullin e Perëndisë e gjithë kombet.

Ja si u lut Solomoni në ditën e inaugurimit të Tempullit: “Sytë e tu qëndrofshin hapur e pafshin nga ky tempull natë e ditë, nga ky vend për të cilin the: ‘Aty do të jetë emri im!’. Dëgjoje lutjen që shërbëtori yt po të drejton prej këtij vendi! Dëgjoje përgjërimin e shërbëtorit tënd e të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të lutet drejt këtij vendi! Dëgjoje prej vendit ku banon në qiej! Dëgjona e përdëllena!” (1 Mbretërve 8:29-30).

Davidi këndoi: “Veç një gjë i kam kërkuar ZOTIT e për këtë i lutem: të banoj në shtëpinë e ZOTIT gjithë ditët e jetës sime, të sodit bukurinë e ZOTIT e tempullin e tij të kundroj” (Psalmi 27:4).

Historia dëshmon se në kohën e Jezuit njerëz të korruptuar, të lidhur me familjen e kryepriftit, e kishin kthyer tempullin në Jerusalem në një “shpellë kusarësh” (cfr. Jeremia 7:11). Tempulli duhej të ishte vendi më i shenjtë në tokë, shtëpia e Zotit, shtëpi lutjeje për të gjithë kombet (cfr. Marku 11:17), por krerët e korruptuar të Izraelit e kishin përdhosur duke e kthyer në një vend tregtie të pandershme (cfr. Gjoni 2:16).

Tregtia, këmbimi i parave dhe hyrjet e daljet e mallrave ndodhnin në oborrin e tempullit që ishte caktuar për johebrenjtë. Me sa duket, kthimin e johebrenjve te Perëndia i Izraelit, krijimin e një mundësie që paganët të dëgjonin të vërtetën e Perëndisë dhe të shpëtoheshin duke e besuar atë, krerët fetarë të kohës së Jezuit nuk e shihnin aspak si të rëndësishme.

Atë pjesë të tempullit që Perëndia e kishte përcaktuar për veprimtari misionare, të pushtetshmit e korruptuar të Izraelit po e përdornin për veprimtari mercenare. Jezui nuk mund ta toleronte korrupsionin në shtëpinë e Atit të tij. Në fakt, Jezui flet për tempullin si për shtëpinë e tij ndërsa citon Isaian 56:7 duke thënë: “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje”.

Tempulli është shtëpia e Atit të tij; tempulli është shtëpia e tij; atë e djeg zelli i për këtë tempull. Prandaj, Jezui Mbret nuk heziton të përdorë autoritetin e tij hyjnor për ndaluar tregtinë dhe veprimtarinë korruptive.

Ai dëboi shitësit dhe blerësit, përmbysi tezgat e këmbyesve të parave e shitësve të pëllumbave dhe ndaloi mbartjen e mallrave nëpër tempull. Dhe askush nuk guxoi ta kundërshtonte në vendosjen e rregullit në shtëpinë e adhurimit.

Jezui u përball me të pushtetshmit e korruptuar duke përdorur autoritetin e Mbretit hyjnor dhe duke u përplasur në fytyrë të vërtetën e Shkrimit të Shenjtë. “ Shkrimi i shenjtë thotë: Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje, por ju e keni bërë shpellë kusarësh”.

Sa e tmerrshme ta mendosh akuzën e Jezuit kundër krerëve fetarë! Sa edhe më e tmerrshme të jesh i korruptuar në shtëpinë e Perëndisë! Gjykimi hyjnor duhet të na bëjë esëll për të kuptuar rëndësinë e shenjtërisë.

II. Mbreti Jezu Krisht Ka Autoritet Hyjnor Për Të Shëruar Sëmundjet v. 14

Jezui Mbret e pastroi tempullin dhe restauroi fuqinë shëruese të Perëndisë në shtëpinë e tij. Luani i fisit të Judës që gjykoi dhe dënoi rreptë të korruptuarit, me të njëjtin autoritet hyjnor shfaqi dhembshuri e dashuri për të gjithë të dobëtit e të sëmurët.

“Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbërit e të çalët dhe ai i shëronte”. Kështu Jezui Mbret demonstroi se ishte Perëndia i gjithëpushtetshëm. Jezui Mbret i pranoi, i shëroi, i shpëtoi dhe i mësoi të gjithë ata që shkuan me besim tek ai. Me Jezuin Mbret të pranishëm, tempulli u kthye në funksionin për të cilin ishte ngritur.

Aty ku vjen Perëndia, ligësia, padrejtësia dhe korrupsioni ia lënë vendin mirësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë. Aty ku vjen Perëndia, vjen shërimi dhe shpëtimi. Aty ku vjen Perëndia, shfaqet fuqia e të vërtetës pastruese dhe transformuese për të cilën ka kaq shumë nevojë kjo botë.

III. Mbreti Jezu Krisht Ka Autoritet Hyjnor Për Të Marrë Adhurimin v. 15-16

Jezui Mbret, jo vetëm pastroi tempullin dhe shëroi të sëmurët, por me autoritetin e tij hyjnor pranoi adhurimin në tempull si Mesia i Izraelit, si Mbreti Shpëtimtar i botës.

Krerët fetarë të Izraelit bënë një përpjekje të fundit të dëshpëruar për të mos lejuar adhurimin e tij prej atyre që e brohoritën: “Hosana Birit të Davidit!” Të zemëruar nga mrekullitë shëruese dhe nga adhurimi si Mesia Perëndi e njeri bashkë, ata e pyetën:
“ A e dëgjon çfarë thonë këta?”

Jezui Mbret, me autoritetin e tij hyjnor, iu përgjigj atyre se jo vetëm e dëgjon dhe e pranon adhurimin në adresë të tij, por adhurimi i tij në tempullin e tij është çfarë duhet të ndodhë në bazë të të vërtetës hyjnore që gjendet në Shkrimin e Shenjtë. Adhurimi i Jezuit në tempull si Zot dhe Shpëtimtar është pjesë e restaurimit të tempullit për të kryer funksionin për të cilin ishte ngritur.

Njerëzit e thjeshtë e adhuruan Jezuin me brohoritje të ngjashme një ditë më parë, kur ai hyri si Mbret në Jerusalem. Njësoj krerët fetarë protestuan, por Jezui u tha: “Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin” (Luka‬ ‭19:40‬).

Këtë herë protestës së tyre Jezui i përgjigjet me Psalmin 8:3 (në përkthimin “Së bashku”) duke thënë: “Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi”. Jezui Mbret vepron me autoritetin e tij hyjnor sipas të vërtetës së Shkrimit të Shenjtë. Kështu ai restauron adhurimin e vërtetë në tempullin e Atit të tij që është edhe shtëpia e tij.

Pasi ka vërtetuar përmes ngjarjeve të kësaj dite se është me të vërtetë Mesia i shumëpritur i Izraelit, Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve, Shpëtimtari i botës largohet nga krerët fetarë të Izraelit duke i lënë ata pa fjalë në hidhërimin dhe mosbesimin e tyre. Këtë përshtypje na jap fundi i këtij pasazhi, vargu 17.

PËRFUNDIMI

Ngjarjet e Mateut 21:12-17 përmbajnë të vërteta jetëndryshuese dhe sfiduese për të gjithë ne. Në një kohë kur jo vetëm pushtetet laike, por edhe kishat janë infiltruar nga njerëz të korruptuar, të vetëcaktuar në poste drejtuese, të merakosur më shumë për promovimin e vetes dhe mbrojtjen e interesave të tyre sesa për përhapjen e të vërtetës së Perëndisë dhe mbrojtjen e grigjës së Perëndisë, në këto kohë të vështira na nevojitet shumë njohja e autoritetit hyjnor të Zotit Jezu Krisht.

Sot Perëndia banon në kishën e tij. Besimtarët e krishterë janë tempulli i Perëndisë. Sa e rëndësishme është që adhurimi ynë të jetë sipas të vërtetës së Shkrimit të Shenjtë! Sa e rëndësishme është që ta ruajmë veten të pastër si tempullin e Zotit! Vetëm kur ne i bindemi autoritetit hyjnor të Jezuit Mbret, ne mund të presim të shohim fuqinë dhe mrekullitë e Perëndisë në jetën tonë dhe në botën tonë.

Duke komentuar pastrimin e tempullit nga Jezui pastor John MacArthur me të drejtë thotë:

“Problemi madhor i shoqërisë nuk është padrejtësia, pabarazia, krimi, madje as imoraliteti – sado të përhapura dhe shkatërrimtare që janë këto ligësi. Ligësia e ligësive të shoqërisë gjithmonë ka qenë braktisja e Perëndisë. Dhe është po aq e vërtetë sot sa ishte e vërtetë në Izraelin e lashtë që njerëzit e Perëndisë duhet të zgjohen e të përtërihen vetë përpara se të mund të jenë instrumentet e Zotit për ndryshimin e pjesës tjetër të botës”.

Të krishterët janë thirrur për të ndjekur dhe imituar Krishtin. Krishti kurrë nuk u korruptua dhe as nuk korruptoi njeri. Krishti e ndryshoi botën me të vërtetën dhe me flijimin e tij në kryq. Ai na la shembullin e guximit, shërbimit, përuljes, dashurisë dhe shenjtërisë.

Përgjigjjen ndaj pyetjes: – Cili është problemi me këtë botë? – të krishterët duhet ta nisin përulësisht me “Ne jemi!” Ky pohim dhe renditja e ligësive të tjera më pas kërkon burrëri. Kërkohet më shumë burrëri të pranosh nevojën tënde për reformim dhe rizgjim sesa të bërtasësh për nevojën që bota duhet të ndryshojë.

Nga Zef Nikolla