Paralajmërimi i Mbretit

HYRJE

“Nuk ka dashuri më të madhe se të japësh jetën për miqtë” ‭‭(Gjoni‬ ‭15:13‬).

Jezu Krishti është Perëndia që erdhi në botë si njeri. Ai erdhi si shprehje e dashurisë së Perëndisë për njerëzit. “Ja si e njohëm dashurinë: Jezu Krishti dha jetën e tij për ne” (‭‭1 Gjonit‬ ‭3:16‬a).

Jezu Krishti e dha jetën e tij në kryq si flijim për shlyerjen e mëkateve tona. Ai iu dorëzua vullnetarisht vuajtjes dhe vdekjes për shpëtimin tonë. Ai tha: “… Biri i njeriut … erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz”‭‭(Marku‬ ‭10:45‬).

Vuajtja dhe vdekja e Jezuit nuk ishin as rastësi, as fundi i tij. Gjithçka ishte pjesë e planit madhështor të Perëndisë Triun për shpëtimin tonë. “Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap dhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im” ‭‭(Gjoni‬ ‭10:17-18‬).

Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot Mbreti Jezu Krisht paralajmëron ndjekësit për vuajtjen, vdekjen dhe ngjalljen e tij.

TEKSTI BIBLIK

17 Kur po shkonte në Jerusalem, Jezui mori mënjanë dymbëdhjetë dishepujt dhe gjatë rrugës u tha:
18 «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje,
19 do t’ua dorëzojnë paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet» (Mateu‬ ‭20:17-19‬).

Konteksti Historik

Jezui dhe ndjekësit e tij janë rrugës për Jerusalem. Jezui është krejt i vetëdijshëm se çfarë e pret atje. Luka 9:51 thotë se “Kur po afroheshin ditët e ngritjes së tij në qiell, Jezui mori vendim të prerë për të shkuar në Jerusalem”.

Kjo do të ishte Pashka e fundit që Jezui do të kremtonte me ndjekësit e tij. Ai e dinte mirë se krerët fetarë të Izraelit do ta dënonin me vdekje dhe do ta dorëzonin në duart e romakëve për ta torturiar dhe për ta kryqëzuar. Ai e dinte mirë edhe se ditën e tretë do të ngjallej përsëri.

Është hera e tretë që Jezui i paralajmëron ndjekësit e tij për vuajtjen, vdekjen dhe ngjalljen.

Herën e parë ndjekësit e tij jo vetëm që nuk e kuptuan, por e kundërshtuan planin e Zotit për t’u flijuar në Jerusalem: “Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë e i tha: «Larg qoftë o Zot! Kjo mos të ndodhtë kurrë»” (Mateu‬ ‭16:22‬).

Herën e dytë ndjekësit e tij nuk e kuptuan atë që Jezui u tha dhe u pikëlluan: “Atëherë dishepujt u pikëlluan shumë” (Mateu‬ ‭17:23‬b).

Fatkeqësisht, çfarë ndodh pas këtij paralajmërimi të tretë tregon se ndjekësit e Jezuit prapë nuk e kanë kuptuar solemnitetin dhe rëndësinë e veprës së shpëtimit me anë të kryqit (cfr. Mateu 20:20 vazhdim).

PROPOZIMI QENDROR

MBRETI JEZU KRISHT ERDHI NË BOTË SI NJERI PËR TË PAGUAR ME VDEKJEN E TIJ PËR MËKATET TONA DHE PËR TË MUNDUR VDEKJEN ME NGJALLJEN E TIJ.

I. Jezui U Kryqëzua Për Të Shlyer Mëkatet Tona – v. 18-19a

Rrugës për në Jerusalem, Jezui i paralajmëroi ndjekësit e tij për gjërat që do të ndodhnin atje (v. 17). Jezui u tregon ndjekësve të tij planet dhe vullnetin e Perëndisë. Jezui i ka miq ata që ai i do dhe i ka zgjedhur. “Nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti. Por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njohur gjithçka që dëgjova prej Atit tim” (Gjoni‬ ‭15:15‬). Në këtë rast, Jezui u bën të njohur miqve të tij të vërtetat për veprën e shpëtimit dhe pajtimit me Perëndinë.

Së pari, Jezui tregon se Biri i njeriut, domethënë Mbreti i Izraelit dhe Shpëtimtari i njerëzimit, do të tradhtohet prej njerëzve (v. 18a).

Ngjarjet e javës së Pashkës në Jerusalem ndodhën pikërisht siç i paralajmëroi Jezui. Në fakt, jo vetëm që Juda e tradhtoi dhe ua dorëzoi Jezuin krerëve fetarë të Izraelit, por edhe Pjetri me të tjerët që ishin përbetuar se nuk do ta braktisnin gjer në vdekje e mohuan dhe u larguan prej Jezuit në kohën e vuajtjes së tij.

Tradhtia, mohimi dhe braktisja e Mbretit Jezu Krisht tregojnë dobësinë njerëzore. Po të mos ishte për dashurinë e Perëndisë ne të gjithë do të ishim të humbur dhe të dënuar me të drejtë. Bibla thotë: “të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë lavdinë e Perëndisë” dhe për më tepër: “paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e hirit të Perëndisë është jeta e amshuar që kemi me Krishtin Jezu, Zotin tonë” (Romakëve‬ ‭3:23‬, 6:23).

Kjo është arsyeja pse Jezui duhej të vuante dhe të vdiste. Ai ishte i vetmi i patëmetë që mund të shlyente gjobën e mëkatit tonë.

Gjëja e dytë për të cilën Jezui i paralajmëroi miqtë e tij ishte se krerët fetarë të Izraelit do ta dënonin me vdekje (v. 18b). Kryeprifti i Izraelit profetizoi kështu për dënimin me vdekje të Jezuit: “A nuk e kuptoni se për ju është më mirë të vdesë një njeri për popullin sesa të shkatërrohet gjithë kombi?” (Gjoni‬ ‭11:50‬).

Së treti, Jezui i paralajmëroi miqtë e tij se krerët e Izraelit do ta dorëzonin tek romakët paganë në mënyrë që ata ta torturonin dhe ta kryqëzonin (v. 19a). Kështu, fajtorë për ekzekutimin e Mbretit Jezu Krisht nuk do të ishin vetëm judenjtë, por edhe kombet. Njësoj si përfitues nga kjo vdekje do të ishin njerëz nga çdo komb, të gjithë do të ishin edhe fajtorë. “E pra, ai u shporua për shkeljet tona, u shtyp për paudhësitë tona. Ndëshkimi që na dha paqen, ra mbi të, prej vurratave të tij ne u shëruam” (Isaia 53:5).

Jezu Krishti erdhi për të vdekur në kryq për mëkatet tona. Ai ishte krejt i vetëdijshëm, i vendosur, i veçuar dhe i vullnetshëm për të dhënë jetën e tij për ty dhe për mua.

II. Jezui U Ngjall Për Të Mundur Vdekjen Për Ne- v. 19b

Së fundi, Jezui i paralajmëroi miqtë e tij se do të ngjallej ditën e tretë (v. 19b). Neve nuk na duhej vetëm një fli e përsosur për mëkatin, por edhe një Shpëtimtar i gjallë që triumfon mbi vdekjen. Dhe kjo është pikërisht çfarë Jezu Krishti bëri.

Apostulli Pal e shpall kështu ngjalljen si pjesë e Lajmit të Mirë të shpëtimit: “Para së gjithash ju kam shpallur të vërtetën që m’u dha edhe mua, se Krishti, sipas Shkrimeve të shenjta, vdiq për mëkatet tona, u varros dhe u ngjall ditën e tretë, po sipas Shkrimeve të shenjta” (1 Korintasve‬ ‭15:3-4‬).

“Pra, nëse jemi bashkuar me të në vdekjen e tij, do të bashkohemi me të edhe në ngjalljen e tij. Ne e dimë se njeriu i vjetër që ishte në ne u kryqëzua me Krishtin që të shkatërrohet natyra jonë mëkatare e të mos jemi më skllevër të mëkatit. Ne e dimë se Krishti u ngjall prej të vdekurve dhe nuk mund të vdesë më, sepse vdekja nuk ka më pushtet mbi të. Kur vdiq, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa i përket mëkatit, por tani që jeton, jeton për Perëndinë” (Rom.‬ ‭6:5-6, 9-10‬).

“Nëse rrëfen me gojë se Jezui është Zot dhe nëse beson me zemër se Perëndia e ngjalli atë prej të vdekurve, ti do të shpëtohesh”
‭‭(Romakëve‬ ‭10:9‬).

Mbreti Jezu Krisht i paralajmëroi ndjekësit e tij se vdekja nuk do ta kishte fjalën e fundit. Ai u tregoi atyre se pas vuajtjes dhe vdekjes do të ngjallej në ditën e tretë.

Ngjallja e Jezuit në ditën e tretë është vërtetimi se vdekja u mund. Varri bosh i Jezuit është shpresa jonë e lavdishme për ngjalljen në ditën e fundit.

Me ngjalljen e tij prej të vdekurve Jezui tregoi se kur tha në kryq “U krye” me të vërtetë u krye. Flijimi i tij në vendin tonë u pranua. Gjoba jonë u shlye plotësisht. Misioni i Mbretit Jezu Krisht u realizua me sukses.

Krishterimi është besimi i ngadhnjimit mbi vdekjen. Jezu Krishti vdiq dhe u ngjall. Ngjallja e Mbretit tonë Jezu Krisht është garancia dhe shpresa jonë e përjetësisë.

Prandaj, kur ne qajmë e vajtojmë, nuk qajmë e vajtojmë si njerëz pa shpesë. Prandaj, kur ne vuajmë e vdesim, ne e dimë se thjesht po kalojmë në lavdi e përjetësi. Besimi ynë është në Zotin e gjallë që e mundi vdekjen për ne dhe na dhuroi jetën e përjetshme.

PËRFUNDIMI

Mbreti Jezu Krisht e ofroi veten si fli për mëkatin tonë. Ngjallja e tij prej të vdekurve vërtetoi përfundimisht se ai ishte Perëndia në trup njeriu. Ngjallja e tij ishte edhe prova më bindëse se ndjekësit e tij kanë marrë faljen e mëkateve dhe jetën e përjetshme.

Në këtë stinë përgatitjeje për të kremtuar Pashkën, medito për dashurinë e Perëndisë që u zbulua në Krishtin. Falëndero Perëndinë që pagoi gjobën për mëkatin duke dhënë Krishtin si fli në vendin tënd. Merr zemër nga fakti i ngjalljes së Krishtit si garanci për dhuratën e jetës së përjetshme. Tregoji botës për shpresën e përjetësisë në ty!

“Perëndia i paqes, ai që ngjalli prej të vdekurve bariun e madh të deleve, Zotin tonë Jezuin, me gjakun e të cilit siguroi besëlidhjen e amshuar, ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë ndër ne çdo gjë që i pëlqen të bëhet, nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia në shekuj të shekujve! Amen!” ‭‭(Hebrenjve‬ ‭13:20-21‬)

Nga Zef Nikolla