“«Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty; largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti»..” Marku 14:36
Të kesh një qëndrim si ai që Krishti kishte do të thotë së pari të duash të bësh vullnetin e Perëndisë në çdo rrethanë! Është shumë e thjeshtë të bësh vullnetin e Perëndisë kur gjërat shkojnë mirë, por ne jemi thirrur të kemi një mendje me krishtin edhe kur gjërat shkojnë keq, duken të pamundura apo situata është e pashpresë! Shembullin më konkret në këtë rast e kemi në momentin më të vështirë të Jezusit në momentet përpara se Ai të merrej dhe të kryqëzohej.
Në kopshtin e Gjetsemanit, Jezusi ishte në agoni (Gjendje e rëndë dhe e pashpresë e diçkaje, që është në mbarim, në shuarje;) të thellë duke ditur se çfarë e priste ditën tjetër- jo vetëm dhimbja fizike por dhimbja shpirtërore dhe emocionale për shkak se do të ndahej nga Ati duke marrë mëkatin e botës. Është një histori e famshme për ne dhe e dhënë e stërthënë prej shumë kohësh.
Edhe në këto momente Jezusi lutet, “Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty; largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti” Edhe pse ishte në momenten agonie Ai prap lutet që të bëhet vullneti i Atit dhe jo vullneti i tij, me pak fjalë ai e lë jetën e tij në dorë të Perëndisë duke ditur se ajo që Perëndia kishte për të ishte më e mirë se ajo që ai vetë kishte për veten e tij.
Kur ne jemi në momente agonie duhet të bëjmë lutjen e Gjetsemanit. Kjo lutje ka tre pjese.
Pjesa e parë është BESIMI. Jezusi besonte që Perëndia kishte fuqinë për të ndryshuar situatën në të cilën Ai ndodhej. Këtë pjesë të lutjes mund ta bëjmë edhe unë dhe ti nëse besojmë me të vërtetë që Perëndia mund të ndryshoj situatat ku ne ndodhemi. “Perëndi unë e di që ti ke fuqi të ndryshosh këtë gjë.”
Pjesa e dytë është KËRKESA PËR NDIHMË. Është e rrugës të thuash ” Perëndi unë po kërkoj ndihmë prej teje, jam në një situat me shumë dhimbje në këtë moment dhe kam nevojë për çlirimin tënd. Po të kërkojh Perëndi që të bësh një mrekulli. Unë e di që ti ke fuqinë për të ndryshuar këtë situatë dhe po të kërkoj që ta bësh.”
Pjesa e Tretë është DORËZIMI dhe është çelësi për të mësuar se si të kesh të njëjtën mendje si e Krishtit. Lutu në të njëjtën mënyrë si Zoti Jezus: ” Zot, edhe pse po të kërkoj që të heqësh tutje dhimbjen time, Unë e dorzoj veten time tek ty. Më shumë se çdo gjë tjetër edhe më shumë se sa dua që të largohet kjo situat nga mua, dua të bëhet vullneti yt dhe jo i imi. ”
A je gati të përballosh situatat më të vështira të jetës tënde me Perëndinë? Si veprojmë në situatat e vështirësisë tregon pjekurinë tonë Frymore dhe besimin tonë se Perëndia kujdeset për çdo aspekt të jetës tonë.