Ralph Waldo Emerson ka thënë:
“Udhëtimi ideal i një anije është një vijë zigzage, me njëqind ndryshime drejtimi. “Shikoje këtë vijë nga një largësi e mjaftueshme dhe do të vësh re se ajo drejtohet, duke zbuluar prirjen e përgjithshme të udhëtimit.” Mbështetja te vetja (1841)
Sa shumë i ngjan kjo jetës sonë! Kam gjatë gjithë këtyre ditëve duke kënduar këngën Even If të grupit MercyMe, e cila fillon me fjalët:
“They say sometimes you win some
Sometimes you lose some”
“Thonë se ndonjëherë fiton,
e ndonjëherë humbet.”
Ne bëjmë plane, kemi ëndrra dhe pritshmëri, por jeta rrallëherë ecën ashtu siç e kemi menduar. Ka kthesa që nuk i parashikojmë, stuhi që na zënë në befasi dhe humbje që na lënë pa fjalë.
Kënga flet për dikë që është lutur dhe ka shpresuar, por tani ndihet i lodhur nga ajo që po kalon. Besoj se të gjithë e kemi kaluar një moment të tillë.
Por çfarë ndodh kur jeta merr një drejtim që nuk e kishim zgjedhur/menduar? Kur lutemi dhe situata nuk ndryshon? Kur e dimë se Perëndia mund të ndërhyjë, por nuk e kuptojmë përse nuk vepron?
Më vijnë ndër mend fjalët e profetit Habakuk.
Te Habakuku 3:17–19, ai përshkruan një kohë kur gjithçka që siguronte jetesën kishte dështuar. Fiku nuk lulëzonte, hardhitë nuk jepnin fryt, arat nuk prodhonin ushqim dhe bagëtitë mungonin. E ardhmja dukej e pasigurt.
E megjithatë, Habakuku thotë:
“Megjithatë unë do të ngazëllohem tek ZOTI dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim.” — Habakuku 3:18
Më intrigon kjo fjala: Megjithatë (edhe sikur)
Habakuku nuk po e mohon realitetin dhe as po e minimizon dhimbjen. Ai e sheh situatën ashtu siç është, por nuk lejon që ajo të ketë fjalën e fundit.
Të njëjtën gjë shohim te tre miqtë e Danielit, përpara furrës së zjarrtë. Ata e dinin se Perëndia kishte fuqi t’i shpëtonte, por thanë:
“Por edhe sikur të mos e bënte…” — Danieli 3:18
Ata nuk e dinin si do të përfundonte historia e tyre. Megjithatë, nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga Perëndia.
Kjo është edhe zemra e këngës Even If.
Perëndia mund të sjellë shërim, të hapë një derë apo të japë përgjigjen që kemi pritur prej kohësh. Dhe ne vazhdojmë t’ia kërkojmë këto gjëra.
Por edhe nëse përgjigjja nuk është ajo që shpresojmë, Perëndia mbetet po Ai.
Kjo nuk e bën dhimbjen më të vogël. Ka përvoja që na tronditin dhe për të cilat nuk gjejmë shpjegim. Ndonjëherë as nuk kemi nevojë për përgjigje të shpejta, por për dikë që të qëndrojë pranë nesh.
Dhe kjo është ajo që shohim te Jezusi. Ai nuk qëndroi larg vuajtjes njerëzore. Ai vetë kaloi përmes saj, deri në kryq. Ringjallja e Tij na jep shpresë, edhe kur nuk e dimë si do të përfundojë historia jonë.
Duke iu kthyer figurës së anijes, nga afër udhëtimi mund të duket si një seri kthesash pa kuptim. Ndoshta vetëm më vonë do të kuptojmë disa prej tyre. Të tjera mund të mbeten pa përgjigje.
Por një rrugë e vështirë nuk do të thotë se Perëndia na ka braktisur.
Ndoshta sot lutja jonë mund të jetë fare e thjeshtë:
Zot, Ti e di sa shumë dëshiroj që kjo situatë të ndryshojë. E di sa jam lutur dhe sa kam shpresuar. Unë e di që Ti mundesh. Por edhe nëse gjërat nuk shkojnë ashtu siç pres, më jep forcë për sot dhe kurajo për të vazhduar.
Sepse shpresa jonë nuk qëndron te siguria se gjithçka do të shkojë sipas planeve tona, por te besnikëria e Atij që na ka dashur deri në fund.
“ZOTI, Zoti është forca ime.” — Habakuku 3:19