Një meditim dhe thirrje për lutje për fëmijët e Kishës Ungjillore Vlorë
Teksti bazë: Psalmi 144:1–15
“Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur, dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat.” — Psalmi 144:12
Kur shohim fëmijët tanë në kishë, çfarë shohim në të vërtetë? Shohim fëmijë që luajnë, që qeshin, që mësojnë, edhe nuk mësojnë në shkollë, që ndonjëherë na dëgjojnë me vëmendje dhe herë të tjera mezi presin të mbarojë takimi, që vijnë në studime , që mungojnë në studime, që kërkojmë të na dëgjojnë e kërkojnë ti dëgjojmë. Të gjitha këto janë të mira, por a shohim tek ata edhe brezin e tashmë dhe jo të ardshmin të kishës? A shohim njerëz që një ditë mund të çojnë ungjillin atje ku ne nuk do të mund të shkojmë sot? Dhe mbi të gjitha, çfarë po i kërkojmë Perëndisë të bëjë në jetën e tyre? Psalmi 144 na fton ta shohim të ardhmen e fëmijëve tanë përmes lutjes.
1. Përpara se të lutemi për fëmijët tanë, duhet të kujtojmë kush është Perëndia ynë
Davidi e fillon psalmin me këto fjalë: “Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime…” (v. 1). Ai e njeh Perëndinë si forcën, strehën, mburojën dhe çliruesin e tij. Davidi e di se siguria e tij nuk qëndron tek aftësitë personale, por tek besnikëria e Zotit. Kjo është pika ku duhet të fillojë edhe lutja jonë për fëmijët. Ne jetojmë në një botë e sidomos në shqipëri ku prindërit shqetësohen për arsimimin, sigurinë, shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve. Në Shqipëri, shumë familje mendojnë se një jetë më e mirë për fëmijët e tyre mund të gjendet vetëm duke u larguar nga vendi. Këto shqetësime janë reale. Si prindër, kemi përgjegjësinë të kujdesemi për nevojat e tyre. Por Psalmi 144 na kujton se siguria përfundimtare e fëmijëve tanë nuk gjendet tek vendi ku do të jetojnë, tek profesioni që do të zgjedhin apo tek mundësitë ekonomike që do të kenë. Shpresa jonë më e madhe është që ata të njohin Perëndinë që Davidi e quan kështjella dhe streha e tij. Prandaj, përpara se të kërkojmë që Perëndia t’u japë fëmijëve tanë një të ardhme të sigurt, le të lutemi që ata ta njohin Atë që mban të ardhmen në duart e Tij.
2. Të lutemi për rrënjë të thella, jo vetëm për rritje të dukshme
“Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur…” (v. 12). Sa e bukur është kjo figurë letrare! Një bimë e re është plot jetë dhe mundësi. Por që të rritet e shëndetshme, ajo ka nevojë për rrënjë të forta. Rrënjët nuk shihen. Askush nuk i admiron si lulet apo frutin e një peme. Megjithatë, pa rrënjë, bima nuk mund t’u qëndrojë stuhive. Kjo më bën të mendoj për fëmijët, të rinjët dhe adoleshentët që Perëndia ka sjellë në Kishën Ungjillore Vlorë. Ne gëzohemi kur shohim fëmijë në takimin e Dritëshpërndarësit, në Tre16, në takimet e Gurëve të Gjallë dhe në kampet tona. Dhe duhet të gëzohemi! Çdo fëmijë që dëgjon ungjillin është një mundësi e çmuar për t’i shërbyer atij me dashurinë e Krishtit. Por duhet t’i bëjmë vetes një pyetje të vështirë: A po rrisim fëmijë/të rinj që dinë të marrin pjesë në aktivitetet e kishës, apo po i ndihmojmë të bëhen dishepuj të Jezusit? Pjesëmarrja në kishë është e rëndësishme, por nuk është e njëjtë me besimin shpëtues. Njohja e historive biblike është e vlefshme, por nuk është e njëjtë me njohjen personale të Krishtit. Pali shkruan tek Kolosianëve 2:6–7 se besimtarët duhet të jenë të rrënjosur dhe të ndërtuar në Krishtin. Kjo duhet të jetë lutja jonë: që fëmijët të mos trashëgojnë thjesht zakonet tona fetare, por të arrijnë ta njohin personalisht Jezus Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre. Dhe të kuptojmë që ne mund ta mbjellim farën. Mund t’i mësojmë, t’i duam, t’i dishepullojmë dhe të lutemi për ta. Por është Perëndia Ai që jep rritjen (1 Korintasve 3:6–7). Por duhet ta bëjmë pjesën tonë.
3. Të lutemi për karakter të formuar, jo vetëm për sukses
“…dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat.” (v. 12). Figura e dytë që përdor Davidi është ajo e shtyllave të gdhendura me kujdes. Ato shtyllat, përfaqësojnë bukuri, qëndrueshmëri dhe formim. Në një shoqëri ku suksesi shpesh matet me para, pamje, pozicion apo ndikim, ne duhet të pyesim: çfarë kuptojmë me një fëmijë të suksesshëm? A do të ishim të kënaqur nëse fëmijët tanë do të kishin një profesion të mirë, një shtëpi të bukur dhe siguri ekonomike, por nuk do ta njihnin Krishtin? Sigurisht që dëshirojmë që ata të kenë mundësi të mira në jetë. Por si të krishterë, dëshira jonë më e thellë duhet të jetë që karakteri i tyre të formohet sipas Krishtit. Të jenë njerëz që thonë të vërtetën edhe kur u kushton. Që zgjedhin pastërtinë kur të tjerët zgjedhin kompromisin. Që tregojnë dashuri kur është më e lehtë të urresh. Që i shërbejnë tjetrit edhe kur askush nuk i sheh. Këtë karakter nuk mund ta prodhojmë vetëm me rregulla dhe edukim moral. Ai është fryt i veprës së Frymës së Shenjtë në jetën e atyre që i përkasin Krishtit. Prandaj, le të mos lutemi vetëm: “Zot, bëji fëmijët tanë të suksesshëm.” Le të lutemi: “Zot, bëji ata të ngjashëm me Jezusin.”
4. Të lutemi për një brez që do ta çojë ungjillin më tej
Në vargjet 13–14, Davidi lutet për frytshmëri, begati dhe paqe në jetën e popullit. Këto vargje shprehin shpresën për mirëqenien e bashkësisë së Izraelit. Nuk janë një garanci se çdo familje besimtare do të ketë pasuri apo një jetë pa vështirësi. Por na kujtojnë se lutja për brezin e ardhshëm përfshin edhe të mirën e bashkësisë ku ai do të jetojë. Kur mendoj për Kishën Ungjillore Vlorë, mendoj për brezat e besimtarëve që na kanë paraprirë. Pas dekadave të komunizmit dhe ndalimit të jetës fetare, ungjilli filloi të shpallej përsëri hapur në Shqipëri. Në fillim të viteve 1990, Perëndia përdori besimtarë dhe misionarë që erdhën, shërbyen, mësuan Fjalën dhe investuan në jetën e njerëzve. Sot ne jemi ndër frytet e asaj pune. Por çfarë do të ndodhë pas njëzet apo tridhjetë vjetësh? Kush do ta predikojë Fjalën? Kush do t’i dishepullojë të rinjtë? Kush do të kujdeset për të dobëtit? Kush do të çojë ungjillin në qytete dhe fshatra ku Krishti ende nuk njihet? Ndoshta disa prej tyre sot janë fëmijët që vrapojnë në korridoret e kishës sonë. Nuk e dimë se çfarë thirrjeje ka Perëndia për secilin prej tyre. Disa mund të bëhen pastorë ose misionarë. Të tjerë mësues, inxhinierë, mjekë, prindër apo punonjës të zakonshëm që e jetojnë besimin me besnikëri. Por dëshira jonë është e njëjtë: që kudo ku Perëndia t’i vendosë, ata ta njohin Krishtin dhe ta bëjnë Atë të njohur. Psalmi 78:4 na kujton përgjegjësinë tonë: “Nuk do t’ua fshehim bijve të tyre, por do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavditë e Zotit…” Ne nuk jemi thirrur vetëm të ruajmë atë që kemi marrë. Jemi thirrur t’ia përcjellim besnikërisht ungjillin brezit që vjen pas nesh.
5. Bekimi më i madh për fëmijët tanë është të kenë Zotin për Perëndinë e tyre
Davidi e përfundon psalmin me këto fjalë: “Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin.” (v. 15). Këtu qëndron zemra e gjithë meditimit. Davidi ka folur për sigurinë, begatinë, paqen dhe të ardhmen e popullit. Por në fund ai na drejton tek burimi më i madh i lumturisë: marrëdhënia e popullit me Zotin. Ky duhet të jetë edhe kulmi i lutjes sonë për fëmijët. Ne duam që ata të jenë të shëndetshëm. Duam të marrin arsim të mirë. Duam të ndërtojnë familje të shëndetshme dhe të kenë një jetë të denjë. Por mbi të gjitha, duam që ata të njohin Krishtin. Sepse çfarë do të fitonin nëse do të kishin gjithë suksesin e kësaj bote, por do të humbnin shpirtin e tyre? (Marku 8:36). Dhe çfarë shprese të madhe kanë ata që i përkasin Krishtit, edhe në mes të vuajtjeve dhe pasigurive të jetës! Kjo nuk do të thotë se çdo fëmijë që rritet në kishë do të bëhet automatikisht besimtar. Shpëtimi është nga hiri i Perëndisë, përmes besimit në Jezus Krishtin. Por kjo na jep një arsye edhe më të fortë për t’u lutur, për ta shpallur ungjillin me besnikëri dhe për të jetuar përpara tyre si dëshmitarë të Krishtit.
Një thirrje për Kishën Ungjillore Vlorë
Sot dua të na ftoj të gjithëve — prindër, gjyshër, drejtues, mësues të shkollës së së dielës dhe çdo anëtar të kishës — të marrim seriozisht përgjegjësinë tonë për brezin e ardhshëm. Fëmijët nuk janë thjesht e ardhmja e kishës. Ata janë njerëz që Perëndia i ka vendosur mes nesh sot, për t’i dashur, për t’u shërbyer dhe për t’u shpallur Krishtin. Le të mos kënaqemi vetëm duke ndërtuar programe të mira për ta. Le të ndërtojmë marrëdhënie. Le të hapim shtëpitë tona. Le të japim shembullin tonë. Le të investojmë kohë. Le t’i mësojmë Shkrimet. Le të lutemi me emër për secilin prej tyre. Dhe le të mos harrojmë se fëmijët tanë kanë nevojë të shohin tek ne jo njerëz të përsosur, por njerëz që e duan Krishtin, që pendohen kur gabojnë dhe që jetojnë duke u mbështetur në hirin e Tij. Ne nuk duam vetëm një kishë plot me fëmijë sot. Ne lutemi për një brez që do ta njohë Krishtin, do ta dojë Fjalën e Tij dhe do ta bëjë Atë të njohur nesër. Sepse misioni ynë nuk përfundon me brezin tonë. Të njohim Krishtin dhe ta bëjmë të njohur Atë — nga një brez tek tjetri.
Lutje për fëmijët tanë
Atë ynë qiellor, ne të falënderojmë për çdo fëmijë që Ti ke sjellë në familjet tona dhe në Kishën Ungjillore Vlorë. Ti i njeh ata me emër. Ti i njeh zemrat, frikërat, ëndrrat dhe të ardhmen e tyre. Sot vijmë përpara Teje duke të kërkuar që të bësh në jetën e tyre atë që ne nuk mund ta bëjmë me forcat tona. Zot, shpëtoji fëmijët tanë. Hapi sytë e tyre për të parë bukurinë e Jezus Krishtit dhe për t’i besuar Atij si Zot dhe Shpëtimtar. Zot, rrënjosi në Fjalën Tënde. Bëji të qëndrueshëm në të vërtetën, edhe kur bota përreth tyre ndryshon. Zot, formo karakterin e tyre. Rriti në dashuri, përulësi, urtësi, pastërti dhe guxim. Zot, mbroji dhe forcoji familjet e tyre. Jepu prindërve urtësi, durim dhe besnikëri në përgjegjësinë që u ke besuar. Zot, ngri një brez të ri dishepujsh dhe shërbëtorësh. Përdori për të shpallur ungjillin në Vlorë, në Shqipëri dhe kudo që Ti do t’i dërgosh. Dhe na ndihmo ne, si kishë, të jemi besnikë ndaj përgjegjësisë që na ke dhënë. Mos lejo që të jemi të kënaqur vetëm me atë që Ti ke bërë në të kaluarën. Na jep besim të lutemi dhe të punojmë për atë që Ti do të bësh në brezat që vijnë. Mbi të gjitha, bëj që fëmijët tanë një ditë të mund të thonë me bindje dhe gëzim: “Lum ai popull që ka për Perëndi Zotin!” Në emrin e Jezus Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. Amen.