E ke menduar ndonjëherë sikur dikush të të thërriste dhe të të prezantonte para të tjerëve si një gomar? Nuk besoj se do të ndiheshe shumë mirë, apo jo?
Sot po shikoja një video të J.J. John, një pastor dhe ungjilltar nga Londra, dhe një ilustrim që ai përdori më bëri të mendohem. Ishte historia e hyrjes së Jezusit në Jeruzalem dhe roli i gomarit në atë ngjarje.
Te Luka 19:35–38 lexojmë se dishepujt sollën kërriçin, hodhën mbi të mantelet e tyre dhe e hipën Jezusin. Ndërsa Jezusi po hynte në Jeruzalem, njerëzit shtronin mantelet në rrugë dhe turma brohoriste me gëzim:
«Bekuar qoftë Mbreti që vjen në emër të Zotit!» (Luka 19:38)
Tani, për një moment, imagjinoje veten në vendin e atij gomari.
Ai po ecte në një rrugë të shtruar me mantelet e njerëzve. Kudo kishte brohoritje, gëzim dhe njerëz që lavdëronin Perëndinë. Ndoshta, po të mund të mendonte si ne, gomari do të ishte ndier shumë i rëndësishëm. Ndoshta do të kishte menduar: Sa shumë më duan këta njerëz! Sa i veçantë duhet të jem që të gjithë po më presin kështu!
Ndoshta për një moment do të kishte harruar se mbi shpinën e tij ishte Jezusi.
Sigurisht, kjo është vetëm një mënyrë imagjinare për ta parë historinë. Bibla nuk na tregon çfarë mendonte gomari. Por ilustrimi më bëri të mendoj për veten dhe për ne si të krishterë.
Sa shpesh sillemi edhe ne si ai gomar?
Perëndia na jep mundësinë t’i shërbejmë. Na përdor në jetën e njerëzve, na jep dhunti, përgjegjësi dhe mundësi për të qenë pjesë e veprës së Tij. Njerëzit na falënderojnë, na vlerësojnë, ndonjëherë edhe na duartrokasin. Dhe pa e kuptuar, fillojmë të gjejmë kënaqësi te vëmendja që marrim.
Fillojmë të mendojmë se ndoshta jemi ne të veçantët. Se është aftësia jonë, përkushtimi ynë apo shërbesa jonë që po bën ndryshimin.
Dhe pikërisht aty qëndron rreziku. Mund të jemi duke mbajtur Krishtin dhe njëkohësisht të kërkojmë lavdinë që i përket vetëm Atij.
Sa e lehtë është të ngatërrojmë atë që Perëndia po bën përmes nesh me atë që ne mendojmë se jemi!
Por e vërteta është shumë e thjeshtë: gomari nuk ishte arsyeja e brohoritjeve. Jezusi ishte.
Pa Jezusin, ai do të kishte qenë thjesht një gomar tjetër që ecte në rrugët e Jeruzalemit.
Kjo më kujton fjalët e Gjon Pagëzorit:
«Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.» (Gjoni 3:30)
Çfarë qëndrimi i jashtëzakonshëm! Gjoni e kuptonte shumë mirë se kush ishte dhe cili ishte roli i tij. Ai nuk ishte Krishti. Ai ishte dërguar për të dëshmuar për Krishtin.
Mendoj se kjo është diçka që duhet t’ia kujtojmë vazhdimisht vetes, sidomos ne që jemi të përfshirë në shërbesë dhe drejtim.
Nuk është gabim të gëzohemi kur Perëndia na përdor. Nuk është gabim të inkurajohemi kur shohim fryt nga puna jonë. Por është e rrezikshme kur fryti i shërbesës fillon të ushqejë krenarinë tonë më shumë sesa mirënjohjen ndaj Perëndisë.
Në fund të fundit, ne nuk jemi Shpëtimtari. Ne jemi vetëm njerëz që kemi privilegjin ta bëjmë Atë të njohur.
Apostulli Pal e thotë shumë bukur:
«Sepse ne nuk predikojmë veten tonë, por Krishtin Jezus, Zotin.» (2 Korintasve 4:5)
Sot ky ilustrim më la me një pyetje personale:
A jam i kënaqur të jem thjesht gomari që mbart Krishtin, edhe nëse askush nuk më vëren mua?
A jam i gatshëm t’i shërbej Atij edhe kur nuk ka duartrokitje, vlerësime apo falënderime? A më mjafton që njerëzit të shohin Jezusin, edhe nëse harrojnë emrin tim?
Sepse në fund, nuk ka rëndësi sa njerëz na duartrokasin, por kë po shohin ata përmes jetës sonë.
Ne jemi thjesht ata që mbartim mesazhin. Krishti është vetë mesazhi.
Dhe lavdia i përket vetëm Atij.