“Zemra e tij nuk pushon as natën. […] Por kam vënë re se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë.”
Predikuesi 2:23–24
Çfarë janë ditët e njeriut? Punë, lodhje, shqetësime… dhe shpesh edhe natën mendja vazhdon aty ku e lamë gjatë ditës. Mbyllim dyqanin, largohemi nga zyra, përfundojmë punën, por brenda nesh ajo vazhdon. Si do t’ia dal nesër? A do të mjaftojnë të ardhurat? Çfarë do të bëhet me familjen?
Predikuesi e thotë fare hapur: “Zemra e tij nuk pushon as natën.” Sa prej nesh e njohin këtë?
Ne ankohemi nga puna, mezi presim të mbarojë dhe ndonjëherë përpiqemi edhe ta shmangim. Por ironia është se një pjesë të madhe të jetës e kalojmë pikërisht duke punuar. Atëherë, përse e trajtojmë punën sikur të mos ishte pjesë e jetës sonë? Përse presim që jeta të fillojë vetëm pasi të kemi mbaruar punën?
Dhe për ne që jemi besimtarë, kam edhe një pyetje tjetër: përse e ndajmë punën nga Perëndia?
A ke menduar ndonjëherë se ku është Zoti në punën tënde? Jo vetëm kur ke një problem dhe i kërkon ndihmë, por edhe kur merr një vendim, kur flet me një klient, kur ke përballë një koleg të vështirë apo kur askush nuk po të kontrollon.
Si pastor, mendoj se duhet t’ia bëj këtë pyetje edhe vetes. Ne kemi takimin të dielën, studimin të enjten dhe shërbesat e tjera. Por njerëzit që kemi përballë kalojnë shumë më tepër kohë në punë sesa në takimet tona. A po i ndihmojmë ta jetojnë besimin edhe atje?
Dr. K. Shelette Stewart e shpreh bukur këtë mendim: “Nuk kemi një jetë personale dhe një jetë profesionale; kemi NJË jetë.” Dhe kjo më bën të mendoj: është e njëjta jetë që ia kemi dorëzuar Krishtit. Edhe të hënën në mëngjes. Edhe kur jemi të lodhur. Edhe kur kemi nevojë për para.
Ajo që Predikuesi kupton në këtë pjesë është se edhe gëzimi në mundin tonë vjen nga dora e Perëndisë. Buka që hamë, puna që bëjmë dhe mundësia për ta shijuar atë që kemi janë dhurata që shpesh i marrim si të mirëqena.
Kjo nuk do të thotë se puna bëhet e lehtë apo se çdo padrejtësi duhet duruar në heshtje. Por do të thotë se Perëndia ka vend edhe aty.
Kur punon me ndershmëri, kur e mban fjalën, kur nuk i bie shkurt në kurriz të tjetrit, kur kujdesesh për njerëzit, besimi yt po bëhet i dukshëm. Dhe kur ndalon për të pushuar, po pranon se nuk varet gjithçka nga ti.
Nesër, përpara se të fillosh punën, provo ta fillosh me këtë lutje:
“Zot, më ndihmo të të kujtoj edhe këtu. Në punën time, në vendimet e mia dhe në mënyrën si i trajtoj njerëzit. Më mëso të punoj me ndershmëri dhe ta shijoj me mirënjohje atë që më jep.”
Sepse edhe kjo pjesë e jetës sonë i përket Atij.
Citimi i Dr. K. Shelette Stewart është përkthyer në shqip nga Connect Your Career with Your Calling.