HYRJE
Nuk Ke Asnjë Blanë?
(nga Amy Carmichael)
Nuk ke asnjë blanë?
Asnjë blanë diku në këmbë, a ijë, a dorë?
E pra, këndojnë për ty përditë, çdo orë,
I dëgjoj tek të admirojnë si një
yll anembanë;
Nuk ke asnjë blanë?
Nuk ke asnjë plagë?
E pra, mua më goditën harkëtarët,
më gjakosën.
Më mbështetën te pema që të vdes,
më vendosën
Mes bishave grabitqare të uritura,
Më lanë vragë:
Nuk ke asnjë plagë?
As plagë? As blanë?
Po, njësoj si i zoti shërbëtori do të
jetë
Ndjekësi im do të vuajë njësoj si unë
vetë
Por ti nuk njeh vuajtje! A mund të jetë vallë me mua në të njëjtën anë
Kush nuk ka as plagë e as blanë?
Jetojmë në kohë “selfie”, kohë që nxit përqendrimin tek vetja, vetëlavdërimin, vetëvlerësimin, vetëpërmbushjen e vetëkënaqësinë. Jetojmë në kohë kur vlerësohet mburrja më shumë se modestia, krenaria më shumë se karakteri, vesi më shumë se virtyti.
Natyra njerëzore, e infektuar nga virusi i mëkatit, nuk e kupton se përqendrimi tek vetja sjell prishjen e marrëdhënieve familjare, miqësore dhe shoqërore. Egoizmi i skajshëm, si frymë e kohës, sjell izolimin dhe dëshpërimin e pashmangshëm të individit.
Individë të izoluar, të dëshpëruar, cinikë dhe narcisistë nuk mund të hyjnë në marrëdhënie të shëndetshme për të krijuar familje të forta, miqësi të ngushta dhe shoqëri të begata.
Rendja e shfrenuar për të kënaqur çdo oreks, për të qenë i madh, i pari, i pasur dhe i pushtetshëm është një garë drobitëse që nuk mbaron kurrë dhe sjell më shumë mjerim se lumturi.
Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot Jezui u mëson ndjekësve të tij një mënyrë ndryshe për t’u bërë i madh dhe për të qenë i pari.
TEKSTI BIBLIK
20 Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka.
21 Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën dhe tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde».
22 Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë?». Ata iu përgjigjën: «Mundemi».
23 Jezui u tha: «Kupën time do ta pini, por që të uleni në të djathtën dhe në të majtën time nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre që ua ka bërë gati Ati im».
24 Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me dy vëllezërit.
25 Por Jezui i thirri pranë vetes dhe u tha: «Ju e dini se krerët e paganëve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta.
26 Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj
27 dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtori juaj,
28 sikurse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz» (Mateu 20:20-28).
Konteksti Historik
Jezui sapo i kishte paralajmëruar ndjekësit e tij se së shpejti do të vuante, do të kryqëzohej dhe do të ngjallej (Mateu 20:17-19). Sa kohë e papërshtashme për të lakmuar kurora, kur Jezui po shkonte drejt kryqit!
Kërkesa që Jakobi dhe Gjoni i bëjnë Jezuit përmes nënës së tyre vjen si jehonë e fjalëve të Pjetrit në kapitullin e mëparshëm: “Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç’do të bëhet?” (Mateu 19:27). Ata dukshëm janë ende tepër të përqendruar tek vetja.
Jezui vazhdon t’i mësojë dishepujt në lidhje me mënyrën e jetesës në Mbretërinë e tij. Ai u tregon atyre se është një mbret ndryshe. Jezui korrigjon konceptet e gabuara të ndjekësve të tij në lidhje me pushtetin, madhështinë, shërbimin dhe të qenit i pari.
PROPOZIMI QENDROR
JEZUI ËSHTË MBRETI SHËRBËTOR QË NA MËSON MADHËSHTINË E SHËRBIMIT.
I. Jezui Mbret Nuk Jep Pushtet Për Të Sunduar – v. 20-25.
“Eprorët na thonë se janë shërbëtorët tanë të përulur, por në fakt na konsiderojnë si skllevër të tyre” – Jonathan Swift.
Jezusi na mahnit pa pushim me mënyrën si e sfidon kulturën tonë. Ai thuajse gjithmonë u kundërvihet normave dhe vlerave shoqërore që merren si të mirëqena prej shumicës së njerëzve.
Njësoj si kërkesa e nënës së Gjonit dhe Jakobit zbulon ambiciet e dishepujve për privilegje e pushtet, përgjigjja e Jezuit zbulon problemin e një ambicie të tillë kur nuk bazohet në përgjegjësi e përulje.
Ndërsa Jezui u kishte folur për vdekjen në kryq, dishepujt i kërkojnë vlerësimin me kurora! Ndërsa Jezui u kishte thënë se po shkonte të flijohej, ata e pyesin kur do t’i fronëzonte! Dishepujt ende nuk kishin kuptuar as misionin e Mbretit dhe as natyrën e Mbretërisë së tij.
Jezui thotë se etja për pushtet dhe madhështi në Mbretërinë e tij tregon mosdije. “Ju nuk e dini se çfarë kërkoni” (v. 22a). Mbretëria e Jezuit është Mbretëri e dashurisë, e paqes, e drejtësisë dhe e shërbimit. Jezui është një Mbret ndryshe që nuk jep pushtet e privilegje për të kënaqur orekse që vijnë nga egoizmi. Në Mbretërinë e Jezuit nuk ka vend për lojëra politike për pushtet, nuk ka vend për anësi as për rivalitet.
Jezui flet edhe për koston e pushtetit dhe madhështisë në Mbretërinë e tij. “A mund ta pini ju kupën që do të pi unë?” (v. 22b). Jezui do të pinte kupën e zemërimit të Perëndisë kundër mëkatit të gjithë njerëzimit për gjithë historinë. Ai ishte i vetmi plotësisht i kualifikuar për ta pirë atë kupë sepse ishte i vetmi pa mëkat.
Sigurisht, më vonë, kur ta kuptonin natyrën shërbëtore të Mbretërisë së tij edhe dishepujt do të pinin nga ajo kupë. Por në këtë kohë, sytë e tyre nuk janë plotësisht të hapur për të parë se rruga drejt madhështisë dhe pushtetit në Mbretërinë e Krishtit është krejt e ndryshme nga ajo e mbretërive të kësaj bote.
Jezui nxjerr zbuluar natyrën e korruptuar të pushtetit në botë. “Ju e dini se krerët e paganëve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta” (v.25b).
Vlerat e Mbretërisë së Jezuit, jo vetëm janë të huaja për botën, por shpesh merren si dobësi. Në botë pushteti është thjesht privilegj, madhështia është të kesh para e shërbëtorë dhe të jesh i pari do të thotë të shkelësh mbi të tjerët. Jezui thotë se në Mbretërinë e tij nuk duhet të jetë kështu.
II. Jezui Mbret Jep Pushtet Për Të Shërbyer – v. 26-28.
Jezui u shpreh qartë në lidhje me pushtetin, madhështinë dhe të qenit i pari në Mbretërinë e tij. Fjala kyç në mësimin e tij është shërbimi.
Çfarë do të thotë të shërbesh? Çfarë është virtyti i shërbimit?
Fjala “shërbëtor” tregon personin që kryen detyra të ndryshme për dikë; personin që i bindet dikujt duke vepruar sipas urdhërave të tij.
“Shërbimi” është virtyti i kryerjes ose bërjes së detyrave të ndryshme për të përmbushur nevojat fizike dhe shpirtërore të të tjerëve.
“Virtytet” janë ato që përbëjnë esencën e karakterit të njeriut. Kur njeriu ushtrohet në praktikimin e virtyteve në jetën e përditshme, mund të thuhet se njeriu jeton me qëllim. Jezui cilëson shërbimin si një prej virtyteve më të larta në Mbretërinë e tij.
Problemi është se të gjithëve na pëlqen të na shërbejnë, por jo të gjithëve na pëlqen të shërbejmë. Ne duam kurorën pa kryqin; ne duam fronin pa flijimin. Na pëlqen të dukemi të mëdhenj, të jemi të parët dhe të komandojmë, por nuk na pëlqen të përulemi, të vendosim të tjerët para vetes dhe t’u shërbejmë.
Prandaj, virtyti i shërbimit duhet mësuar. Pengesat në mësimin e virtytit të shërbimit janë të mëdha. Dy pengesat kryesore janë standardi normal i kulturës së egoizmit dhe individualizmit kudo përreth nesh dhe materializmi ynë – prirja për të kompensuar mungesat shpirtërore me të mirat materiale.
Jezui është Mbreti ndryshe që na mësoi shërbimin dhe u bë mishërim i shërbimit. Ai është shërbëtori i përvuajtur i profetizuar nga Isai 53. Vetë Jezui tha për veten: “Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz” (v. 28).
Ne mund të mësojmë çfarë është madhështia e vërtetë, çfarë na bën vërtet njerëz të mëdhenj apo individë të shquar vetëm duke ndjekur shembullin Mbretit shërbëtor. Madhështia e vërtetë nuk e ul tjetrin në vegël të plotësimit të nevojave të tua, por i vlerëson nevojat e tjetrit si nevojat e veta. Të parët në Mbretërinë e Krishtit nuk ngrihen mbi të tjerët, por i ngrenë të tjerët mbi veten.
Jezui erdhi për të na dhënë pushtet për të shërbyer. Në fakt, Jezui erdhi për të na shërbyer. Ai nuk kurseu as jetën në shërbimin tonë dhe për shpëtimin tonë.
PËRFUNDIMI
Jezusi na mahnit pa pushim me mënyrën se si i trajton të varfërit, të sëmurët, të dobëtit, të përndjekurit, të diskriminuarit, të paragjykuarit dhe të paprivilegjuarit në përgjithësi.
Duke paratreguar lavdinë e tij të ardhshme në fundin e kohës, Jezusi flet edhe për lumturinë e secilit prej nesh që e ndjek atë si Zot e Shpëtimtar tani në këtë jetë. Në ftesën për ndjekësit e tij që të trashëgojnë Mbretërinë e Qiellit, Jezusi ndër të tjera tha:
“… sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë… Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:35-36, 40).
Jezui mësoi dhe nxiti virtytin e shërbimit, jo vetëm sepse gjendet rrallë, por edhe sepse shërbimi ndaj të tjerëve mund të shpëtojë jetë, mund të transformojë komunitete dhe mund të sjellë përparimin e kombeve.
Shërbimi si virtyt konsiston në vullnetin e mirë tu japësh të tjerëve nga energjia, koha dhe të ardhurat e tua. Shërbimi si virtyt konsiston në vullnetin e mirë për të sjellë ndryshim pozitiv në jetën e atyre që vuajnë. Shërbimi si virtyt konsiston në vullnetin e mirë për të konsideruar nevojat e tjetrit si më të rëndësishme se nevojat tuaja.
Ji i dobishëm, ndihmues e mbështetës pa pritur të të pyesin – shërbe pa ta kërkuar – vepro për të ndryshuar botën në pjesën që të takon ty!
Duke shërbyer do të arrish madhështinë e vërtetë dhe do të dëgjosh një ditë Mbretin të të thotë:
“Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik!” (Mateu 25:23a).
Nga Zeef Nikolla