Jezui Njeri

HYRJE

“Strategjia e identifikimit” në fushatat zgjedhore është thjesht iluzion i identifikimit. Kandidati që viziton kantierin mezi pret të heqë helmetën pasi kamerat janë fikur.

Iluzioni i identifikimit nuk është strategjia e Perëndisë kur vizitoi botën në personin e Jezuit.

Pasazhi që do të shqyrtojmë sot flet për një identifikim të plotë. Jezui nuk erdhi në trajtë njerëzore thjesht për të na shpëtuar, por për t’u identifikuar me secilin prej nesh plotësisht.

Një identifikim i tillë ka rëndësi për ne sepse në çastet tona të vetmisë apo izolimit priremi të mendojmë: “Askush nuk e kupton si ndjehem!”

Në fakt, ne mund të lutemi, të qajmë, apo të dëgjojmë dikë që vuan, por thellë brenda vetes e dimë se nuk identifikohemi plotësisht.

Thellë brenda vetes e dimë se të gjithë kemi mall që dikush, diku të na kuptojë përsosmërisht dhe totalisht. Ne të gjithë kemi uri për të pasur një person që e di ekzaktësisht se si ndjehemi dhe që nuk do të na braktisë kurrë në mes të vështirësive.

Lajmi i Mirë është se Jezu Krishti na është zbuluar pikërisht si ky person. Askush nuk të kupton si Jezui!

Sepse Jezui u bë njeri, ai e kupton dhimbjen që po kalon. Sepse Jezui u identifikua me ne, ai e kupton dhimbjen dhe vuajtjen emocionale, fizike, shoqërore dhe shpirtërore.

TEKSTI BIBLIK

5 Kini ndër ju po atë mendje që kishte edhe Krishti Jezu,
6 i cili, megjithëse kishte natyrë hyjnore, të qènit i barabartë me Perëndinë nuk e pa si diçka pas së cilës të mbahej fort,
7 por e zbrazi veten duke marrë natyrë shërbëtori e u bë i ngjashëm me njerëzit. Kur u shfaq si njeri,
8 ai e përuli veten e u bë i bindur deri në vdekje, madje me vdekje në kryq.
9 Prandaj edhe Perëndia e lartësoi mbi gjithçka tjetër e i dha emrin që është mbi çdo emër,
10 që në emrin e Jezuit të bien në gjunjë të gjitha qeniet që janë në qiell, mbi tokë e nëntokë
11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë se Jezu Krishti është Zot, që të përlëvdohet Perëndia Atë.
‭‭Filipianëve‬ ‭2:5-11‬ ‭

PROPOZIMI QENDROR

Sepse Jezui Zot u bë njeri ai kupton çdo gjë që na mundon.

I. Jezui Njeri Kupton Marrëdhëniet.

Jezui pati prindër, vëllezër, motra, fqinj, kushërinj, mësues, shokë e shoqe, miq dhe armiq. Herë tjetër, kur të mendosh se nuk të kupton askush, shto: “përveç Jezuit”.

Te 1 Pjetrit 5:7 thuhet: «Gjithë shqetësimet tuaja lërini në dorë të tij dhe ai do të kujdeset për ju». Dorëzoja Jezuit ankthin dhe problemet e çdo lloj marrëdhënieje. Ai do të kujdeset për ty. Dorëzoja Zotit në lutje çdo shqetësim dhe kërkoju edhe drejtuesve tuaj të luten për ty.

II. Jezui Njeri Kupton Mundimin.

A të mundon studimi, puna, rutina e përditshme? Jezui punoi si zdrukthëtar para se të bëhej mësues, mjek e predikues. Ai e njeh lodhjen, monotoninë, bezdinë që vjen nga puna e mundimshme, prishja e veglave, keqkuptimet me klientët.

Dorëzoja Zotit lodhjen, frustrimin, trysninë që ndjen nga studimet, puna, detyrat, provimet. Ai kupton!

III. Jezui Njeri Kupton Mohimin.

Jezui kupton dhimbjen dhe vuajtjen që shkakton mohimi, refuzimi, fyerja, braktisja, tradhtia, përgojimi, keqkuptimi, keqtrajtimi, fatkeqësia.

Isaia 53:3 e përshkroi atë si “I përçmuar, i përbuzur prej njerëzve, njeri i vuajtur, i mësuar me dhimbjen, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përçmuar e krejt pa vlerë prej nesh”.

U përfol që në lindje, u përndoq që kur ishte foshnje, u përqesh si zdrukthëtar e nazaretas, u mohua prej të tijve, u tradhtua me një puthje, u braktis, u rrah, u kryqëzua!

Jezui i duroi të gjitha këto e shumë më tepër për shkak të dashurisë së tij për ne. Ai vuajti për mëkatin tonë.

Si do të përgjigjesh ti ndaj një dashurie të tillë?

PËRFUNDIMI

Falënderoje nëse tashmë i beson atij dhe je ndjekës i tij.

Kërkoji tani falje nëse ende nuk i ke besuar apo e ke tradhtuar.

Lutju atij për ndihmë që të jetosh jetën që ai të ka thirrur të jetosh.
‭‭