ÇFARË ËSHTË NË FRONIN E ZEMRËS TËNDE? – Juli Muhameti

YouTube video sermon

Teksti: 2 Mbretërve 22–23

ZBULO • PENDOHU • SHKATËRRO • KTHEHU

I.               HYRJE — TË GJITHË ADHUROJMË DIÇKA

Sot dua të filloj me një figurë shumë të thjeshtë:

Imagjinoni zemrën tuaj si një fron.

Bibla nuk e quan fjalë për fjalë zemrën “froni i Perëndisë”, por e përshkruan zemrën si qendrën e dëshirave, besimit, dashurisë, vendimeve dhe adhurimit tonë. Prandaj ajo që sundon zemrën, në një kuptim shumë real, sundon jetën.

Perëndia thotë: “Duaje ZOTIN, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde.” Ligji i Përtërirë 6:5

Perëndia nuk kërkon thjesht një pjesë të jetës sonë. Ai kërkon zemrën.

Por këtu qëndron problemi:

Froni i zemrës nuk qëndron bosh.

Nëse Perëndia nuk është në qendër, diçka tjetër do ta zërë atë vend.

Te Ezekieli 14:3, Perëndia thotë për disa njerëz: “Këta njerëz kanë ngritur idhujt e tyre në zemrat e tyre.”

“Ajo mbi të cilën e vendos zemrën dhe besimin tënd është në të vërtetë perëndia jote.” Martin Luther, Large Catechism

Pra pyetja nuk është vetëm: “A beson në Perëndi?”

Pyetja është: “Ku e ke vendosur besimin e zemrës tënde?”

  • Ku shkon kur ke frikë?
  • Ku kërkon siguri?
  • Çfarë të bën të ndihesh i rëndësishëm?
  • Çfarë të jep identitet?
  • Çfarë mendon se duhet patjetër ta kesh që jeta të ketë kuptim?

Sepse aty mund të gjesh perëndinë funksionale të zemrës tënde.

John Calvin e përshkroi problemin e njeriut me një figurë shumë të fortë:

“Zemra e njeriut është një fabrikë e vazhdueshme idhujsh.”  John Calvin, Institutes I.11.8

Më pëlqen kjo figura e fabrikës. Fabrika nuk prodhon vetëm një herë. Prodhon vazhdimisht.

Hiq një idhull dhe zemra është e aftë të prodhojë një tjetër.

  • Nuk adhuroj më paranë — filloj të adhuroj reputacionin.
  • Nuk adhuroj reputacionin — adhuroj familjen.
  • Nuk adhuroj familjen — adhuroj suksesin.
  • Nuk adhuroj suksesin — mund të filloj të adhuroj edhe shërbesën për Perëndinë.

Prandaj idhujtaria nuk është thjesht problemi i njerëzve paganë mijëra vjet më parë.

Është problemi i zemrës njerëzore.

Timothy Keller, në Counterfeit Gods, e përkufizon idhullin kështu:

“Një idhull është çdo gjë më e rëndësishme për ty se Perëndia, çdo gjë që pushton zemrën dhe imagjinatën tënde më shumë se Perëndia, çdo gjë nga e cila kërkon të marrësh atë që vetëm Perëndia mund të japë.” Timothy Keller, Counterfeit Gods

Keller shkon edhe më thellë. Një perëndi e rreme mund të jetë diçka aq qendrore për jetën tënde saqë, nëse do ta humbisje, jeta do të të dukej sikur nuk ia vlen më të jetohet.

Kjo ndryshon pyetjen. Mos pyet vetëm: “Çfarë dua?”

Pyet: “Çfarë nuk mund të përballoj të humbas?”

Sepse mund të duash diçka dhe ajo të mos jetë idhull.

Por kur zemra thotë:

  • Pa këtë nuk mund të jem i lumtur.
  • Pa këtë nuk jam askush.
  • Pa këtë nuk kam siguri.
  • Pa këtë jeta ime nuk ka kuptim.

atëherë kemi kaluar nga dashuriaadhurim.

Idhujt nuk janë gjithmonë gjëra të këqija

Shpesh gjërat më të mira të jetës bëhen perëndi të rreme.

  • Familja është e mirë.
  • Martesa është e mirë.
  • Fëmijët janë dhuratë.
  • Puna është e mirë.
  • Suksesi mund të jetë i mirë.
  • Paraja është e dobishme.
  • Shërbesa është e mirë.

Problemi fillon kur një gjë e mirë bëhet gjëja përfundimtare.

Kur një dhuratë e Perëndisë merr vendin e Perëndisë.

  • Nuk kemi më thjesht një familje — na duhet familja për të pasur identitet.
  • Nuk kemi thjesht një karrierë — na duhet suksesi për të vërtetuar se vlejmë.
  • Nuk kemi thjesht para — na duhen paratë për t’u ndier të sigurt.
  • Nuk kemi thjesht një shërbesë — na duhet shërbesa që të ndihemi të rëndësishëm.

Dhe idhulli fillon të kërkojë sakrifica: kohën, marrëdhëniet, integritetin dhe paqen tonë.

Augustini e kuptoi këtë shumë kohë më parë: “Ti na ke bërë për Veten Tënde dhe zemra jonë është e shqetësuar derisa të gjejë prehje në Ty.” Shën Augustini, Confessions I.1

Kjo është arsyeja pse idhujt nuk na kënaqin kurrë plotësisht.

Sepse po i kërkojmë krijimit të bëjë punën e Krijuesit.

 

NJË SHEMBULL PERSONAL

Ka pasur periudha në jetën time kur kam kuptuar se edhe shërbesa për Perëndinë mund të bëhet shumë lehtë një idhull.

Mund të fillosh duke i shërbyer Krishtit me gjithë zemër. Punon, ndërton, drejton, sheh njerëz që ndryshojnë, sheh një shërbesë që rritet.

Dhe pa e kuptuar, diçka shumë e mirë fillon të lidhet me identitetin tënd.

Kjo është ajo që bëj. Ky është roli im. Këtu jam i nevojshëm. Kjo është pjesë e asaj që jam.”

Dhe pastaj vjen një moment kur Perëndia lejon që ajo gjë të lëkundet.

Kam kaluar edhe unë nëpër një periudhë ku gjëra që i kisha ndërtuar dhe role që kishin qenë pjesë e jetës sime për vite filluan të ndryshonin. Dhe ndryshimi dhemb.

Por pikërisht aty fillon një pyetje shumë më e thellë:

Pse dhemb kaq shumë?

A dhemb vetëm sepse po humbas diçka të mirë? Apo dhemb sepse një pjesë e identitetit tim ishte lidhur me të?

Ndonjëherë nuk e dimë që diçka është bërë idhull derisa Perëndia lejon që ajo të na merret ose të kërcënohet. Atëherë zbulojmë sa fort e kishim kapur.

Dhe Perëndia duhet të na sjellë përsëri te kjo e vërtetë:

Unë nuk jam ajo që bëj.
Unë nuk jam pozicioni im.
Unë nuk jam suksesi im.
Unë nuk jam shërbesa ime.
Identiteti im duhet të jetë në Krishtin.

 

Dhe këtu vijmë tek teksit ynë për sot që ndodhet tek 2 Mbretërve 22.

 

II.           ZBULO — ÇFARË ËSHTË NË FRON?

2 Mbretërve 22:1–10

Josia ishte vetëm tetë vjeç kur u bë mbret.

Shkrimi thotë: “Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit… duke mos devijuar as më të djathtë as më të majtë.”

Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, Josia fillon restaurimin e Tempullit.

  • Ka para.
  • Ka punëtorë.
  • Ka administratorë.
  • Ka njerëz të ndershëm.
  • Ka aktivitet fetar.

Por ekziston një ironi tragjike: Po rregullonin shtëpinë e Perëndisë, ndërsa kishin humbur Fjalën e Perëndisë brenda saj.

Mund të kesh Tempullin dhe të humbasësh Fjalën.

Mund të kesh aktivitet fetar dhe zemra të jetë larg.

Edhe ne mund të kemi kishë, predikime, adhurim, kampe, grupe, aktivitete dhe shërbesa — dhe përsëri të humbasim qendrën.

Pastaj Hilkiahu thotë: “Gjeta në shtëpinë e Zotit librin e ligjit.” 2 Mbretërve 22:8

Ky është momenti vendimtar.

Josia nuk shpiku një standard të ri. Standardi kishte qenë aty gjatë gjithë kohës.

Kur Fjala hapet, papritur Josia sheh atë që më parë nuk e shihte.

Kjo është ajo që bën Fjala.

Hebrenjve 4:12 thotë se Fjala e Perëndisë është e gjallë, vepruese dhe depërton në thellësitë tona.

Fjala nuk na jep vetëm informacion. Fjala na ekspozon.

Si mund ti gjej idhujt në jetën Time?

  • Përmes Fjalës së Perëndisë — Hebrenjve 4:12.

Lexoje duke pyetur: “Zot, çfarë po më tregon për zemrën time?”

  • Përmes popullit të Perëndisë — Jeremia 26:2–5; Hebrenjve 3:13.

Ndonjëherë të tjerët shohin tek ne atë që ne nuk mund ta shohim.

  • Përmes Frymës së Perëndisë — Jeremia 17:9–10; Psalmi 139:23–24.

“Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time.”

Pyete veten:

  • Çfarë kam më shumë frikë të humbas?
  • Çfarë duhet patjetër të kem që të jem i lumtur?
  • Çfarë më jep ndjesinë se vlej?
  • Ku shkon mendja ime vazhdimisht?
  • Çfarë më zemëron në mënyrë disproporcionale kur kërcënohet?
  • Për çfarë do të isha i gatshëm të mos i bindesha Perëndisë?

Pyetja që secili prej nesh duhet të bëj është: “Zot, çfarë është në fronin e zemrës sime?”

 

III.        PENDOHU — ZBRITE NGA FRONI

2 Mbretërve 22:11–20

“Kur mbreti dëgjoi fjalët e Librit të Ligjit, grisi rrobat e tij.”

Këtu shohim ndryshimin mes Josias dhe shumë prej nesh.

Josia nuk debaton me Fjalën.

Nuk thotë:

  • “Ky ishte mëkati i gjyshit tim.”
  • “Unë nuk i vendosa këta idhuj.”
  • “Të gjithë jetojnë kështu.”
  • “Kjo është kultura jonë.”

Ai thotë: “I madh është zemërimi i Zotit kundër nesh…”

Jo atyre.

Nesh.

Pendimi i vërtetë fillon kur pushojmë së kërkuari idhujt vetëm tek të tjerët.

Dhe Perëndia i thotë Josias: “Sepse zemra jote u zbut dhe u përule para ZOTIT… dhe sepse grise rrobat e tua dhe qave para meje, edhe unë të kam dëgjuar, thotë ZOTI.”  2 Mbretërve 22:19

Vëreni:

  • Perëndia nuk u impresionua thjesht nga rrobat e grisura.
  • Ai pa zemrën e përulur.
  • Pendimi nuk është vetëm të ndihesh fajtor.
  • Pendimi është ndryshim drejtimi.

Pendimi thotë: “Kjo gjë ka marrë një vend që nuk i përket. Duhet të zbresë nga froni.”

Dhe besimi thotë: “Po kthehem te Perëndia.”

 

IV.         SHKATËRRO — MOS NEGOCIO ME IDHUJT

2 Mbretërve 23:4–20

Në kapitullin 22 Josia e zbulon problemin.

Në kapitullin 23 ai vepron ndaj problemit.

Kapitulli 22 na tregon zemrën e thyer të Josias.

Kapitulli 23 na tregon duart dhe këmbët e pendimit të tij.

Shikoni foljet:

“I dogji.” — v.4
“I hoqi.” — v.5
“E bëri pluhur.” — v.6
“Shembi.” — v.7
“Përdhosi.” — v.10
“Hoqi.” — v.11
“Dogji.” — v.11
“I rrëzoi.” — v.12
“I copëtoi.” — v.12
“Copëtoi shtyllat.” — v.14
“Preu Asherimët.” — v.14
“E rrëzoi dhe e dogji.” — v.15

Çfarë vini re? Josia nuk negocion me idhujt.

Nuk i vendos në magazinë.

Nuk thotë: “Do t’i mbaj, por do t’i përdor më pak.”

Nuk lë një Baal të vogël për fundjavë. Ai i shkatërron.

Pendimi biblik nuk është vetëm të ndihesh keq për idhullin.

Pendimi bëhet konkret.

Shën Augustini shkruan: “Pyeta se çfarë është ligësia dhe nuk gjeta një substancë, por një shtrembërim të vullnetit, të kthyer larg nga substanca më e lartë — Ti, o Perëndi — drejt gjërave më të ulëta, duke hedhur poshtë jetën e vet të brendshme dhe duke u fryrë me gjërat e jashtme.” Shën Augustini, Confessions

Problemi nuk është se çdo gjë që dëshirojmë është e keqe.

Problemi është kur zemra kthehet nga Krijuesi drejt krijimit për të marrë prej tij atë që vetëm Krijuesi mund të japë.

Spurgeon e thotë shumë fort:

“Perënditë e rreme e durojnë me durim ekzistencën e perëndive të tjera të rreme. Dagoni mund të qëndrojë me Belin dhe Beli me Ashtarothin; si mund të zemërohen guri, druri dhe argjendi? Por, sepse Perëndia është i vetmi Perëndi i gjallë dhe i vërtetë, Dagoni duhet të bjerë para arkës së tij; Beli duhet të thyhet dhe Ashtarothi duhet të konsumohet nga zjarri.” Charles Spurgeon

Krishti nuk kërkon një vend në fron.

Ai kërkon fronin.

Prandaj pyetja praktike është:

Nëse Perëndia ma ka treguar idhullin, çfarë duhet të ndryshojë konkretisht në jetën time?

Jo nesër.

Jo “një ditë”. Çfarë duhet të shkatërroj sot?

 

V.           KTHEHU — VENDOS PERËNDINË PËRSËRI NË FRON

2 Mbretërve 23:1–3

Këtu është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme.

Nëse predikimi përfundon me: “Gjeje idhullin dhe shkatërroje” nuk kemi shkuar mjaft larg.

Sepse Josia nuk hoqi vetëm diçka. Ai u kthye te Dikush.

“Mbreti qëndroi pranë shtyllës dhe bëri një besëlidhje para ZOTIT: të ecte pas ZOTIT, të zbatonte urdhërimet, dëshmitë dhe statutet e tij me gjithë zemrën dhe gjithë shpirtin e tij…” 2 Mbretërve 23:3

Ky është ndryshimi mes moralizmit dhe ungjillit.

Moralizmi thotë: “Hiqi gjërat e këqija.”

Ungjilli thotë: “Lëri perënditë e rreme dhe kthehu te Perëndia i vërtetë.”

“Nëse e shkul idhullin dhe nuk mbjell dashurinë e Krishtit në vend të tij, idhulli do të rritet përsëri.”Tullian Tchividjian

Dhe John Piper thotë: “Ne bëjmë perëndi nga çfarëdo gjëje në të cilën gjejmë gëzimin më të madh. Prandaj, gjeje gëzimin tënd në Perëndinë dhe mbaro me gjithë idhujtarinë.” John Piper

Por këtu historia e Josias na çon edhe më larg.

Josia ishte një mbret i mirë.

Por nuk ishte Mbreti që na duhej përfundimisht.

Josia mund të pastronte Tempullin.

Josia mund të thyente altarët.

Josia mund ta digjte Asherahun.

Por Josia nuk mund ta ndryshonte zemrën njerëzore.

Dhe as ti nuk mundesh.

Mund ta fshish aplikacionin dhe ende të adhurosh aprovimin.

Mund të japësh para dhe ende të adhurosh paranë.

Mund të ndryshosh sjelljen dhe zemra të prodhojë një idhull tjetër.

Sepse problemi përfundimtar nuk është vetëm idhulli jashtë nesh.

Është zemra brenda nesh.

Prandaj kemi nevojë për një Mbret më të madh se Josia. Kemi nevojë për Jezus Krishtin.

Josia pastroi Tempullin. Jezusi erdhi të pastrojë zemrën.

Josia theu idhujt. Jezusi erdhi të na çlirojë nga sundimi i tyre.

Dhe për personin që është sot këtu dhe nuk e quan veten të krishterë, pyetja nuk është vetëm:

“A beson në Perëndinë?”

Pyetja është: “Çfarë është në fronin e zemrës tënde?”

Sepse të gjithë ndërtojmë jetën rreth diçkaje.

Dhe nëse ajo gjë nuk është Perëndia, herët a vonë ajo do të kërkojë prej teje më shumë sesa mund të japësh dhe do të të japë më pak sesa të ka premtuar.

 

PËRFUNDIM

Katër fjalë dua të mbani mend sot:

1. ZBULO Çfarë është në fron? Lejo Fjalën, Frymën dhe popullin e Perëndisë të ekspozojnë zemrën tënde.

2. PENDOHU Zbrite nga froni. Mos e justifiko. Mos fajëso dikë tjetër. Përulu para Perëndisë.

3. SHKATËRRO Mos negocio me të. Pendimi duhet të bëhet konkret.

4. KTHEHU Kthehu te Perëndia. Mos e lër fronin bosh.

Sepse qëllimi përfundimtar nuk është thjesht një jetë me më pak idhuj. Qëllimi është një Mbret i vetëm në fron. Dhe sot dua që secili prej nesh t’i bëjë Perëndisë një pyetje:

“Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time… shiko nëse ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.” Psalmi 139:23–24

Zot, çfarë është në fronin e zemrës sime?

[Heshtje 30–60 sekonda]

Dhe nëse Perëndia ta tregon:

ZBULOJE.

PENDOHU.

SHKATËRROJE.

KTHEHU TE KRISHTI.

Sepse froni i zemrës nuk është bërë për idhujt. Është bërë për Mbretin.