Po reflektoja në lidhje me disiplinat biblike sot dhe veçanërisht disiplinën e Qetësisë dhe Vetmisë. Pse unë vazhdoj të endem?
“Por secili tundohet kur tërhiqet dhe joshet nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, mbasi ngjizet, lind mëkatin; dhe mëkati, si të kryhet, pjell vdekjen.” Jakobi 1:14–15
Realiteti që duhet të pranoj në jetën time është se unë po disiplinohem çdo ditë. Po ashtu, çdo ditë mua po më “predikohet ungjilli” (po Ungjillzohem), por jo domosdoshmërisht nga Ungjilli me “U” të madhe. Sado i mirë dhe i vërtetë që është ky Ungjill, unë vazhdimisht po evangelizohem nga “ungjij” më të vegjël, të rremë, që nuk janë aspak të mirë, por falsifikime që përpiqen të më bindin se janë e vërteta. Zemra ime më predikon dhe më dënon me vetëurrejtje (Gjoni 3:19–21), kultura më gënjen (2 Pjetrit 2:14), pasionet e mia luftojnë brenda meje (Jakobi 4:1), sytë dhe dëshirat e mia nuk ngopen kurrë (Fjalët e Urta 27:20), dhe politika, rehatia dhe preferencat e mia më bëjnë premtime boshe. Por këto gjithmonë do të më lënë të pakënaqur.
Si po endet zemra ime?
Kërkoj lumturinë, identitetin dhe kënaqësinë time në këto gjëra. Jetoj në turp dhe dënim për mëkatin e kaluar ose të tashëm, në vend që të besoj në pozitën time si bir i birësuar i Perëndisë. Ndjek rehatinë, komoditetin dhe “jetën e mirë” sikur të ishte një e drejtë që më takon, në vend që të pranoj kryqin që jam thirrur të mbaj për hir të Krishtit. E kaloj me nxitim kohën time me Jezusin, i shpërqendruar nga gjërat që duhet të bëj gjatë ditës. Tregoj me gisht drejtësinë time dhe moralin tim të lartë, ndërsa shoh me përçmim ata që nuk arrijnë standardet e mia. Është e lehtë të kemi zili jetën, pasuritë, martesat, familjet, paratë, punët dhe shtëpitë e të tjerëve, duke menduar se po t’i kishim ato do të ishim vërtet të lumtur. Jo vetëm kaq, por bindim veten se i meritojmë këto gjëra, madje më shumë se ata që i kanë.
Por vetëm Ungjilli mund të kënaqë shpirtin (Gjoni 6:35, 47–51), të shuajë etjen time (Gjoni 4:14; Zbulesa 7:16), dhe të japë jetë me bollëk (Gjoni 10:10).
Augustine of Hippo ka thënë:
“Ti na ke krijuar për Veten Tënde, o Zot, dhe zemrat tona janë të shqetësuara derisa të gjejnë prehje në Ty.”