1. Perëndia:
Ne besojmë që ka vetëm një Perëndi, i cili ekziston përjetësisht në tre persona që dallohen nga njëri-tjetri, por që janë të barabartë: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Perëndia është i pandryshueshëm në shenjtërinë, drejtësinë, urtësinë dhe dashurinë e tij. Ai është Krijuesi, Shpëtimtari dhe Gjykatësi i gjithëpushtetshëm që mban dhe qeveris të gjitha gjërat sipas vullnetit të tij sovran për lavdinë e tij.
2. Bibla e Shenjtë:
Ne besojmë që Perëndia ka zbuluar veten e tij në Bibël, e cila përbëhet vetëm nga Dhiata e Vjetër dhe e Re. Çdo fjalë u frymëzua nga Perëndia me anë të autorëve njerëzorë, kështu që Bibla është Fjala e Perëndisë, pa gabime dhe plotësisht e besueshme në fakt dhe doktrinë. Vetëm Bibla flet me një autoritet përfundimtar dhe është gjithmonë e mjaftueshme për të gjitha çështjet e besimit.
3. Njeriu
Ne besojmë që njeriu u krijua në shëmbëlltyrën e Perëndisë, dhe se të gjithë njerëzit (burra dhe gra) kanë vlerë dhe dinjitet të barabartë. Qëllimi më i lartë i njeriut është që të dojë, adhurojë dhe bindet Perëndisë. Si pasojë e rënies në mëkat të Adamit, çdo aspekt i natyrës njerëzore është korruptuar dhe të gjithë njerëzve u mungon jeta shpirtërore, dhe janë mëkatarë fajtorë dhe armiqësorë ndaj Perëndisë. Çdo njeri është si rrjedhojë nën dënimin e drejtë të Perëndisë dhe ka nevojë që të lindë sërish, të falet dhe të pajtohet me Perëndinë me qëllim që ta njohë dhe ta kënaqë Atë.
4. Zoti Jezus Krisht:
Ne besojmë që Jezus Krishti është plotësisht Perëndi dhe plotësisht njeri. U ngjiz nga Fryma e Shenjtë, u lind nga një virgjëreshë, dhe bëri një jetë të pa mëkat në bindje ndaj Perëndisë Atë. Ai mësoi me autoritet dhe të gjitha fjalët e tij janë të vërteta. Në kryq, ai vdiq në vend të mëkatarëve, duke mbajtur ndëshkimin e Perëndisë për mëkatin e tyre, duke i shpenguar ata me anë të gjakut të tij. Ai u ngrit nga të vdekurit dhe shkoi në qiell me trupin e tij të ringjallur ku adhurohet si Zoti i të gjithëve. Jezusi ndërmjetëson për popullin e tij në praninë e Atit.
5. Shpëtimi:
Ne besojmë që shpëtimi është plotësisht një vepër e hirit të Perëndisë dhe nuk mund të fitohet apo meritohet. Ai u krye plotësisht nga Zoti Jezus Krisht dhe u ofrohet të gjithëve në ungjill. Perëndia në dashurinë e tij i fal mëkatarët të cilët i thërret, duke u dhuruar atyre pendim dhe besim. Të gjithë ata që besojnë në Krishtin shpallen të drejtë vetëm me anë të besimit, duke u birësuar në familjen e Perëndisë dhe marrin jetë të përjetshme.
6. Fryma e Shenjtë:
Ne besojmë që Fryma e Shenjtë është dërguar nga qielli për të lartësuar Krishtin dhe për të kryer në ne veprën e tij të shpëtimit. Ai i bind mëkatarët për mëkatin e tyre, jep jetë shpirtërore dhe një të kuptuar të vërtetë të Shkrimeve. Ai banon në të gjithë besimtarët, sjell siguri shpëtimi dhe i transformon ata gjithnjë e më shumë në ngjashmëri me Krishtin. Ai e ndërton kishën dhe i fuqizon pjesëtarët e saj për adhurim, shërbim dhe vepra misioni.
7. Kisha:
Ne besojmë që eksiston një kishë universale që ka për krye Krishtin, e cila përbëhet nga të gjithë ata që janë të shpëtuar. Ajo bëhet e dukshme në kishat lokale, të cilat janë bashkësi besimtarësh që i janë përkushtuar njëri-tjetrit për adhurimin e Perëndisë, predikimin e fjalës, shërbesën e pagëzimit dhe Darkës së Zotit, për kujdesin dhe disiplinën pastorale, dhe për ungjillizimin. Uniteti i trupit të Krishtit shprehet brenda dhe midis bashkësive me anë të dashurisë vëllazërore, kujdesit dhe inkurajimit të ndërsjelltë. Shoqëria e vërtetë midis kishave lokale ekziston vetëm atëherë kur ato i janë besnike ungjillit.
8. Pagëzimi dhe Darka e Zotit:
Ne besojmë që Pagëzimi dhe Darka e Zotit u janë dhënë kishave nga Krishti si shenja të dukshme të ungjillit. Pagëzimi simbolizon bashkimin me Krishtin dhe hyrjen në kishën e tij, por ai nuk jep jetë shpirtërore. Darka e Zotit është përkujtimi i flijimit të Krishtit që u ofrua një herë e përgjithmonë dhe nuk nënkupton asnjë ndryshim në bukën dhe verën. Të gjitha bekimet e tij merren me anë të besimit
9. E Ardhmja:
Ne besojmë që Zoti Jezus Krisht do të kthehet në lavdi. Ai do të ringjallë të vdekurit dhe do ta gjykojë botën me drejtësi. Të këqijtë do të dërgohen në ndëshkim të përjetshëm dhe të drejtët do të mirëpriten në një jetë gëzimi të përjetshëm në bashkësi me Perëndinë. Perëndia do t’i bëjë të gjitha gjërat të reja dhe do të lartësohet përgjithmonë.