Martesa në Mbretërinë e Perëndisë!

HYRJE

“Pra, nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë vërtet e vështirë; do të na duhet të punojmë për të përditë, por dua ta bëj këtë sepse të dua ty. Të dua të tërën, përgjithmonë, përditë. Ti dhe unë… përditë”.
– Nicholas Sparks

Kultura e kohës, e prirur nga rehatia dhe argëtimi, është alergjike ndaj vështirësive dhe punës. Pandemia e divorcit është vetëm një nga frytet e hidhura të kësaj antikulture që nxit shpërbërjen, ripërkufizimin, injorimin apo përçmimin e martesës.

Dilema e shëmtuar – të martuar dhe armiq për vdekje, apo të divorcuar dhe miq të ngushtë – mundon shumë burra e gra që gjenden në këto marrëdhënie të ndërlikuara.

Ky deformim i projektit origjinal të Perëndisë për martesën e bazuar në dashurinë e vërtetë dëmton rëndë zhvillimin e fëmijëve të lindur nga këto marrëdhënie dhe ushqen cinizmin, skepticizmin dhe ftohjen e shumë vetave ndaj martesës.

Martesa e bazuar në dashurinë e vërtetë është e vështirë dhe kërkon shumë punë sepse dashuria e vërtetë dhe vetë jeta nuk ndërtohen pa shumë vështirësi dhe punë.

Martesa në Mbretërinë e Perëndisë presupozohet të jetë e bazuar në dashurinë e vërtetë. Një martesë e tillë është e pazgjidhshme për shkak të natyrës së dashurisë hyjnore që qëndron në themel të saj. “Dashuria përballon gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka dhe duron gjithçka” (1 Korintasve‬ ‭13:7‬).

Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot, Jezui zbulon planin e Perëndisë për martesën, divorcin e beqarinë.

TEKSTI BIBLIK

1 Pasi mbaroi së treguari këto gjëra, Jezui u largua nga Galileja dhe shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit.
2 Atje e ndoqën turma të mëdha dhe ai i shëroi të sëmurët.
3 Disa farisenj shkuan tek ai dhe u munduan ta zinin në kurth duke e pyetur: «A është e lejueshme ta ndash gruan për çfarëdolloj shkaku?».
4 Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër?».
5 Dhe tha: «Për këtë arsye burri do ta lërë babanë dhe nënën e tij, për t’u bashkuar me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm.
6 Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!».
7 Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t’i jepet gruas letra e ndarjes dhe të lihet?».
8 Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.
9 Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore».
10 Dishepujt i thanë: «Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri».
11 Por ai u tha: «Jo të gjithë mund t’i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata të cilëve u ka dhënë aftësinë Perëndia.
12 Ka eunukë që janë të tillë që nga lindja dhe ka eunukë që janë bërë të tillë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, le ta kuptojë»
‭‭(Mateu‬ ‭19:1-12‬).

Konteksti Historik

Fillimi i kapitullit 19 shënon fundin e shërbesës dyvjeçare të Jezuit në Galile. Mateu 19:1 na tregon se Jezui tani po shërben në krahinën jugore të Judesë. Vargu 2 thotë se turmat vazhduan të rendin pas tij dhe ai vazhdoi t’i mësojë (Marku 10:1) dhe të shërojë të sëmurët.

(Oh, sa nevojë kemi sot ta ndjekim Jezuin, të dëgjojmë mësimin e tij dhe të marrim shërim prej tij!)

Mateu 19:3 tregon se kundërshtarët e Jezuit vazhdojnë të përpiqen ta zënë në kurth. Këtë herë ata vijnë me një pyetje në lidhje me divorcin. Qëllimi i tyre nuk është të mësojnë, por duan ta provokojnë që ai të flasë kundër Moisiut.

Jezui i kishte mësuar se fëmijët e Mbretërisë duhet ta falin njëri-tjetrin gjithmonë (Mat. 18:22). Armiqtë e Jezuit janë përgatitur të përdorin një pjesë të Shkrimit të Shenjtë të marrë jashtë kontekstit dhe të keqkuptuar e keqinterpretuar për të hedhur poshtë mësimin e Jezuit.

Si gjithmonë, Jezui jo vetëm nuk bie në grackën e tyre, por shfrytëzon rastin për të sqaruar një herë e mirë projektin origjinal të Perëndisë për martesën. Në këtë pasazh, Jezui sqaron edhe rastin e vetëm të lejimit të divorcit dhe çështjen e beqarisë.

MARTESA E THEMELUAR NË DASHURINË E VËRTETË ËSHTË RREGULL DHE E PAZGJIDHSHME, POR DIVORCI DHE BEQARIA JANË PËRJASHTIME TË RREGULLIT.

I. PERËNDIA KA PËRCAKTUAR SI RREGULL DHE TË PAZGJIDHSHME MARTESËN E THEMELUAR NË DASHURINË E VËRTETË MES NJË BURRI DHE NJË GRUAJE.
(v. 3-6)

Farisenjtë, këta fetarë të zellshëm, hipokritë dhe të pashpirt, nuk e kishin për gjë të dhunonin rregullin e Perëndisë, ndërsa ndiqnin rregullat dhe traditat e tyre njerëzore (Mateu 15:1-9). Mësimi i tyre njerëzor se burri mund ta ndajë gruan “për çfarëdolloj shkaku” binte ndesh me projektin hyjnor për martesën.

Jezui fillimisht demaskon injorancën e tyre: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër?» Me këtë pyetje retorike Jezui rivendos barasvlerën e burrit dhe gruas në krijim. Burri dhe gruaja, të dy, u krijuan nga i njëjti Perëndi. Ata u krijuan për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin.

Rënia në mëkat – mosbindja ndaj Perëndisë, ka prishur balancën e vendosur nga Perëndia në krijim. Shovinizmi mashkullor dhe feminizmi janë pasojat e kësaj prishjeje. “Por në fillim nuk ka qenë kështu!” Jezui na kthen te fillimi i pandotur prej ligësisë së mëkatit.

Si ishte në fillim? Çfarë na mëson Jezui për martesën?

Projekti origjinal i Perëndisë për martesën përfshin një burrë dhe një grua. Pra, që në fillim Perëndia përjashton poligaminë dhe homoseksualizmin në marrëdhënien martesore. Rregulli i martesës i përcaktuar qartë nga Perëndia është një burrë dhe një grua!

Jezui përcakton dashurinë e vërtetë mes një burri dhe një gruaje si themel të martesës. Burri dhe gruaja e dashurojnë aq shumë njëri-tjetrin, sa janë të gatshëm të lënë edhe prindërit e tyre për t’u bashkuar si një njeri i vetëm në martesë. (Lënia e prindërve nuk është braktisje e tyre).

Burri dhe gruaja, “të dy do të bëhen një trup i vetëm” në martesë. Jezui shtoi: “Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!” Pra, martesa sipas projektit origjinal të Perëndisë është e pazgjidhshme.

Mësimi i shëndoshë biblik për martesën vlen për çdo kohë. Sipas këtij mësimi martesa është një besëlidhje e përhershme dashurie mes një burri dhe një gruaje që i ngjan besëlidhjes së dashurisë së Perëndisë për të zgjedhurit e tij. Një besëlidhje themelohet dhe funksionon në bazë të dashurisë, besimit, respektit dhe sakrificës.

Ky mësim kundërshtohet fort në çdo pikë të tij nga kultura e kohës. Kështu, antikultura sot përdor si justifikim “të drejtat e njeriut” të përcaktuara nga njeriu sipas orekseve të tij për të shkatërruar projektin origjinal të Perëndisë për martesën. Sipas projektit njerëzor sot martesa është e dalë jashtë mode dhe duhet ripërkufizuar; marrëdhëniet martesore mund të jenë homoseksuale, poligamike dhe të përkohshme. Martesa sipas këtij projekti njerëzor bazohet në kontrata të leverdisshme, kënaqësi të momentit dhe egoizëm ekstrem.

Megjithëkëtë, projekti origjinal i Perëndisë për martesën vazhdon të qëndrojë për shkak të hirit të Perëndisë dhe zbatimit të mësimit biblik për dashurinë vetëmohuese, përuljen, respektin dhe faljen. Martesa sipas projektit origjinal të Perëndisë është garancia e vetme për një familje dhe shoqëri të fortë.

II. PERËNDIA KA PRANUAR SI PËRJASHTIM TË RREGULLIT ZGJIDHJEN E MARTESËS VETËM NË RASTIN E KURORËSHKELJES.
(v. 7-9)

Farisenjtë vazhdojnë të shpalosin verbërinë e tyre shpirtërore, ndërsa i përgjigjen mësimit biblik të Jezuit për martesën me një pasazh biblik që ata nuk e kuptojnë në kontekstin e dhënë. Ata gabojnë sepse duan të hedhin poshtë rregullin përmes përjashtimit. Kështu zbulohet qëllimi i tyre i mbrapshtë për të vënë Jezuin kundër Moisiut.

Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t’i jepet gruas letra e ndarjes dhe të lihet?» (v. 7). Pasazhi ku ata bazohen, Ligji i Përtërirë 24:1-4, nuk përmban asnjë urdhërim për divorc. Përkundrazi, pasazhi në fjalë përmban një urdhërim kundër rimartesës së një burri me ish-gruan e divorcuar prej tij, pasi ajo është martuar me një tjetër dhe divorcuar sërish. (A nuk tingëllon aktuale: martesë, divorc, rimartesë, divorc… ?)

Bibla askund nuk urdhëron divorcin. Divorci thjesht nënkuptohet si përjashtim i rregullit, i lejuar, por i parekomanduar. Sipas shpjegimit të Jezuit, divorci është i lejuar vetëm “për shkak të ngurtësisë së zemrave” të njerëzve. Projekti origjinal i Perëndisë për martesën nuk e përmban divorcin. Divorci është përjashtim nga rregulli. Divorci është lejuar sepse njeriu nuk ndjek rregullin e Perëndisë.

Jezui e përforcon standardin e lartë të Perëndisë duke shtuar se “kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore” (v. 9). Këtu kemi edhe rastin e vetëm të lejimit të divorcit, që është rasti i tradhtisë bashkëshortore. Sa shumë do të jenë tronditur farisenjtë që praktikonin divorcin për “çfarëdolloj”arsyeje! Ata ranë në kurthin që i kishin ngritur Jezuit: jo vetëm që divorci nuk urdhërohej në Bibël, por edhe rimartesa pas një divorci të palejuar përbënte kurorëshkelje!

Realiteti i hidhur i divorcit zbulon ngurtësinë e zemrës, mosfaljen, imoralitetin, egoizmin dhe rebelimin kundër rregullit të Perëndisë. Bibla mëson se fëmijët e Mbretërisë pritet ta marrin martesën me seriozitetin maksimal, të njëjtë me seriozitetin për marrëdhënien me Perëndinë.

Dashuria që imiton dashurinë për Krishtin dhe dashurinë e Krishtit është antidota për divorcin:

“Por, sikurse kisha i nënshtrohet Krishtit, po ashtu edhe gratë t’u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka. Burrat t’i duan gratë, sikurse edhe Krishti e deshi kishën dhe e dha veten për të”.
‭‭(Efesianëve‬ ‭5:24-25‬)

III. PERËNDIA KA PËRSHKRUAR RRETHANAT E BEQARISË.
(v. 10-12)

Mësimi i Jezuit për martesën dhe divorcin tingëllon shumë i fortë në kohën dhe kulturën tonë. Por i tillë me sa duket ka tingëlluar në çdo kohë dhe kulturë. Këtë zbulon reagimi i ndjekësve të Jezuit në vargun 10: “Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri”.

Ky vëzhgim i dha rast Jezuit të flasë për çështjen e beqarisë. Fillimisht Jezui e pranoi se “Jo të gjithë mund t’i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata të cilëve u ka dhënë aftësinë Perëndia” (v. 11). Kuptimi i martesës, divorcit e beqarisë sipas Perëndisë duket se është një punë e vështirë që kërkon ndihmën e Perëndisë. Dhe Perëndia dëshiron t’i ndihmojë fëmijët e tij që i kërkojnë ndihmë.

Në vargun 12 Jezui foli për tre grupe njerëzish që mund të kenë beqari të suksesshme. Dy grupet e para janë beqarë për shkaqe fizike, ndërsa grupi i tretë e zgjedh vetë beqarinë në bazë të dhuntisë nga Perëndia.

Jezui tha se disa janë beqarë nga lindja duke nënkuptuar një numër të vogël njerëzish që nuk arrijnë të zhvillojnë kapacitet seksual për shkak të defekteve gjenetike. Këta nuk është se zgjedhin të jenë beqarë, por thjesht nuk mund të kenë marrëdhënie martesore.

Grupi i dytë i beqarëve janë njerëzit e tredhur. Praktika e tredhjes në kohët e lashta lidhej me kujdestarët e haremit ose ritin fetar pagan të flijimit të seksualitetit ndaj një hyjnie. Këta eunukë nuk martohen sepse nuk ndiejnë tërheqje seksuale.

Grupi i tretë i beqarëve janë të vetmit që zgjedhin beqarinë si dhuratë nga Perëndia për t’iu përkushtuar plotësisht shërbimit të Perëndisë. Këta janë burra dhe gra që pranojnë beqarinë vullnetarisht për hir të Mbretërisë së Perëndisë.

Jezui e mbyll këtë pjesë të mësimit me shprehjen: “Kush mund të kuptojë, le ta kuptojë”. Jezui është i vetëdijshëm për vështirësitë e një beqarie që i jep lavdi Perëndisë.

Dy fjalë për beqarinë që nuk lidhet me tre grupet e mësipërme; pra, për beqarinë që nuk është e kushtëzuar fizikisht, as nuk është një zgjedhje për t’iu përkushtuar Perëndisë.

Së pari, një person beqar nuk është as më shumë dhe as më pak i vlefshëm se një i martuar. Një proverb spanjoll thotë: “Më mirë vetëm se i keqshoqëruar”. Pritja dhe kërkimi për personin e duhur janë shumë më të lavdërueshme se nxitimi dhe lidhja me personin e gabuar. Beqaria nuk është as meritë, as mëkat.

Së dyti, një person beqar nuk është më pak përgjegjës se një person i martuar për të nderuar Perëndinë me trupin e vet. Bibla thotë se është mirë të rrish beqar, por është më mirë të martohesh nëse digjesh nga dëshira e nuk përmbahesh dot (cfr. 1 Korintasve‬ ‭7:8-9‬). Tundimet dhe sfidat për beqarët e krishterë janë të shumta. Fokusimi tek vlerat e tilla si dashuria vetëmohuese përballë egoizmit, karakteri përballë pamjes së jashtme, besimi dhe shpresa përballë skepticizmit dhe cinizmit, do t’ju ndihmojnë të gjeni personin e duhur dhe për më tepër të jetoni si beqarë të perëndishëm.

PËRFUNDIMI

Perëndia përcaktoi martesën e një burri me një grua si rregull për njerëzit. Martesa sipas projektit origjinal të Perëndisë është një besëlidhje e pazgjidhshme e themeluar në dashurinë e vërtetë.

Martesa sipas projektit të Perëndisë kërkon shumë punë, dashuri, falje, përulësi dhe vetëmohim. Mosbindja ndaj Fjalës së Perëndisë e shprehur në ngurtësinë e zemrës dhe shkeljen e kurorës sjell deformimin dhe dështimin e projektit hyjnor për martesën. Në mungesë të pendimit dhe pajtimit, në rastin e vetëm të kurvërisë, Perëndia ka lejuar divorcin si përjashtim të rregullit.

Beqaria nuk është aspak e lehtë dhe nuk duhet parë si mënyra më e mirë për t’iu shmangur punës dhe përgjegjësive të martesës. Të gjithë beqarët besimtarë kanë të njëjtat përgjegjësi si të martuarit për të nderuar Perëndinë me trupin e tyre.

Disave Perëndia u ka dhënë dhuntinë e beqarisë që t’i jepen tërësisht shërbimit të Perëndisë. Disa janë fizikisht të kushtëzuar për të qenë beqarë dhe kjo nuk i përjashton në asnjë mënyrë nga dashuria e Perëndisë. Disa të tjerë janë beqarë sepse nuk kanë gjetur ende “gjysmën e tyre më të mirë”. Këta duhet të presin në lutje me durim për personin e duhur nëse është vullneti i Perëndisë të martohen dhe të jetojnë jetën e besimit siç u ka hije fëmijëve të Mbretërisë.

Perëndia është i dashur dhe i dhembshur. Ai do të ndihmojë nëse përulësisht i kërkon ndihmë pavarësisht nëse je i martuar, i divorcuar, apo beqar. Gjendja civile nuk përbën asnjë problem që Perëndia të të bekojë dhe të të mbulojë me dashurinë e tij, kur ti ia beson jetën tënde Jezu Krishtit.