Pasuria Në Mbretëri

HYRJE

«Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë». – Jezu Krishti ‭‭(Mateu‬ ‭6:24‬)

Jeta shpirtërore, jeta e Mbretërisë, është ndryshe nga jeta e shfrenuar dhe mondane. Në jetën e Mbretërisë vlerësohet paqja, jo paraja; ofrohet dashuria vetëmohuese, jo dëfrimi vanitoz; kërkohet falja e Perëndisë, jo fama e publikut.

Ndjekësit e Jezuit, si qytetarë të Mbretërisë, synojnë të jetojnë me përulësi, perëndishmëri dhe pendesë. Kështu dallojnë nga njerëzit e kësaj bote që rendin pas pushtetit, pasurisë dhe popullaritetit. Në Mbretërinë e Krishtit i madh është ai shërben, jo ai që shërbehet; “më i lum është ai që jep se ai që merr” (Vep. 20:35b).

Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot Jezui flet për skamjen e pasurisë dhe pasurinë e skamjes. Mësimi i këtij pasazhi të Ungjillit mbështet thirrjen e Jezuit për ndjekësit e tij te Predikimi në Mal: «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin. Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t’i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin. Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote» (Mateu‬ ‭6:19-21‬).

TEKSTI BIBLIK

16 Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç’të mirë duhet të bëj që të fitoj jetën e amshuar?».
17 Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet».
18 Ai i tha: «Cilat?». Jezui iu përgjigj: « Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,
19 ndero babanë e nënën dhe duaje tjetrin si veten! ».
20 Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë. Çfarë më mungon ende?».
21 Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».
22 Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri.
23 Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve.
24 Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë».
25 Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?».
26 Por Jezui i vështroi e u tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, po për Perëndinë gjithçka është e mundur».
27 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç’do të bëhet?».
28 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që keni ardhur pas meje do të uleni në dymbëdhjetë frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
29 Dhe kushdo që ka lënë shtëpi, vëllezër a motra, babë a nënë, fëmijë ose ara për hir të emrit tim, do t’i marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetën e amshuar.
30 Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët»
‭‭(Mateu‬ ‭19:16-30).

Konteksti Historik

Jezu Krishti është Mbreti dhe Zoti i gjithësisë që rreth dy mijë vjet më parë la shkëlqimin e fronit të tij të lavdishëm dhe erdhi në këtë botë si njeri. Bota në të cilën erdhi kishte nevojë të mësonte nga e para të pendohej për veset e të përqafonte virtytet. Ungjilli, Lajmi i Mirë që Jezui Mbret e Zot i shpalli botës, solli një sistem krejt të ri vlerash që njeriu i pandriçuar nuk mund t’i kuptojë.

Kur populli i zgjedhur i Perëndisë ishte ende në fazën e fëmijërisë, Zotit iu desh t’i mësonte besimin e bindjen përmes shpërblimeve dhe ndëshkimeve materiale. Prandaj, mendësia e izraelitëve kur Jezui erdhi si njeri vlerësonte si të bekuar dhe të pranuar nga Perëndia njeriun e pasur materialisht.

Ungjilli i Jezu Krishtit e sfidoi judaizmin edhe në këtë pikë me mesazhin e qartë se njeriu nuk mund të mbajë dy kunguj nën një sqetull. Jezui në këtë pasazh hedh dritë mbi rrezikun e besimit në pasuritë materiale dhe sigurinë e shpërblimit të atyre që kërkojnë së pari Mbretërinë dhe drejtësinë e tij.

PROPOZIMI QENDROR

NDJEKËSIT E JEZUIT NUK RENDIN PAS PASURIVE MATERIALE QË JANË TË PËRKOHSHME, POR SYNOJNË BEKIMET SHPIRTËRORE QË JANË TË PËRJETSHME.

I. Rendja Pas Pasurive Materiale Rrezikon Shpëtimin Për Përjetësinë(v. 16-26)

Për të riun që i afrohet Jezuit në këtë pasazh pasuria dhe paraja ishin bërë perëndia dhe parajsa e tij. Tre ungjijtë e parë na tregojnë se ky dikush që erdhi te Jezui (v. 16) ishte i ri, pasanik dhe një nga krerët e judenjve.

Në pamjen e jashtme duket sikur atij nuk i mungon asgjë. Megjithatë, thellë brenda vetes, ai njeh varfërinë e pasurisë së tij. Ai është tepër i zgjuar për të mos parë se pasuria e tij materiale nuk i siguron jetën e përjetshme.

Në fakt, ai nuk e fsheh etjen e pashuar për përjetësinë. Pyetja e tij zbulon merakun që e bren nga vetëdija se nga jashtë i shërben Perëndisë, por nga përbrenda në të vërtetë i shërben parasë. Pyetja e tij shfaq edhe bindjen e gabuar të njerëzve fetarë se mund ta fitojnë përjetësinë me veprat e tyre të mira.

Gjithsesi, ai ka ardhur tek personi i duhur dhe pyetja e tij është shumë e rëndësishme.

Jezui i përgjigjet pyetjes së tij me një pyetje (v. 17a). Së pari, Jezui e ndihmon djaloshin të kuptojë se vetëm Perëndia është i mirë. Pra, shpresa e tij duhet të bazohet te Perëndia, jo te veprat e tij të mira.

Së dyti, Jezui i tërheq atij vëmendjen drejt ligjit të përsosur të Perëndisë (v. 17b-19). Qëllimisht Jezui i përmend ato pjesë të ligjit që kanë të bëjnë me dukjen e jashtme dhe që njerëzit fetarë i kanë për zemër.

Jezui do të donte që djaloshi të thellohej në urdhëresat që nuk përmenden dhe që kanë të bëjnë me zemrën e njeriut, me jetën e tij të brendshme. A ishte Perëndia dashuria e tij supreme? A kishte dëbuar ai nga zemra e tij çdo lakmi? Ky djalosh pasanik dhe fetar duhej ta dinte se shkelja e ligjit në një pikë të vetme ishte e barasvlefshme me shkeljen e gjithë ligjit.

Së treti, Jezui e sfidon djaloshin të përballet me idhullin e tij që ishte pasuria materiale. Nëse ai me të vërtetë donte jetën e përjetshme, Jezui e urdhëron të heqë dorë nga pasuria materiale dhe të ketë vetëm Perëndinë për thesar (v. 21). Jezui ia bën të qartë se ai nuk mund t’i shërbente edhe Perëndisë edhe parasë; ai nuk mund të rendte edhe pas Perëndisë edhe pas pasurisë.

Ndjekja e Jezuit kishte një kosto të lartë për këtë të ri pasanik që u largua prej Jezuit i trishtuar (v. 22). Largimi i tij pa e marrë sigurinë e jetës së përjetshme zbuloi se ku ishte zemra e tij në të vërtetë. Zemra e tij ishte te pasuria materiale e përkohshme, megjithëse kishte etje për jetën e përjetshme.

Pastaj Jezui iu drejtua ndjekësve të tij me mësimin se pasuria materiale jo vetëm që nuk është shenja e bekimit dhe pranimit nga Perëndia siç ata besonin përgjithësisht, por, në fakt, rendja pas pasurisë materiale rrezikon hyrjen në jetën e amshuar (v. 23-26).

Jezui nuk po përjashton pasanikët nga Mbretëria. As nuk po thotë se pasuria është diçka e keqe në vetvete. Mësimi i Jezuit për ndjekësit e tij është se asgjë nuk duhet të zërë vendin e Perëndisë në jetën e tyre. Perëndia meriton dhe duhet të ketë dashurinë supreme.

II. Rendja Pas Pasurive Shpirtërore Siguron Shpërblimin Me Përjetësinë (v. 27-30)

Jeta e përjetshme nuk fitohet me veprat e mira të njeriut. Jeta e përjetshme është dhurata e Perëndisë që është i vetmi i mirë. Kjo dhuratë u jepet atyre që e bëjnë Perëndinë të parin në jetën e tyre.

Ndjekësit e Jezuit i ishin bindur thirrjes së tij për të lënë gjithçka tjetër dhe për të shkuar pas tij. Në rendjen e tyre pas Krishtit dhe Mbretërisë së Perëndisë ata do të zbulonin pasurinë e skamjes. Për më tepër, ata do të merrnin sigurinë e jetës së përjetshme që vlen më shumë se çdo pasuri tjetër.

Jezui i përgjigjet pyetjes së Pjetrit në v. 27 me mësimin se shpërblimi i Perëndisë tejkalon çdo kosto që përfshin ndjekja e tij. Rendja pas thesareve në qiell është rendja pas pasurive shpirtërore. Shpërblimi i ndjekjes së Jezuit është aq i madh sa as që mund të krahasohet me privimet nga disa të mira materiale të kësaj bote.

Shpërblimi i rendjes pas pasurive shpirtërore është premtimi i Jezuit për të gjithë ndjekësit e tij. Ky premtim përfshin mbretërimin me Jezuin, adoptimin në familjen e Perëndisë dhe jetën e përjetshme.

“Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Mateu‬ ‭6:33‬).

Kështu, në Mbretërinë e Krishtit “shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe shumë nga ata që janë të fundit do të jenë të parët” (v. 30). Prandaj, kujdes çfarë zë vendin e parë në zemrën tënde! Nëse Perëndia është i pari, mund të jesh i sigurt për jetën e përjetshme. Jeta me Perëndinë është pasuria më e madhe.

PËRFUNDIMI

“Syno qiellin dhe do të trashëgosh edhe tokën. Syno tokën dhe nuk do të trashëgosh asgjë” (C. S. Lewis).

“Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave. Duke rendur pas parasë, disa u larguan nga besimi dhe i shkaktuan vetes shumë dhimbje” (1 Timoteut‬ ‭6:10‬).

“Paraja është shërbëtor i mirë, por padron i keq” (Francis Bakon).

Përdore pasurinë tokësore për Mbretërinë e Perëndisë, mos u përdor nga pasuria tokësore për t’u përjashtuar nga Mbretëria e Perëndisë! Pasuria e vetme e sigurt është pasuria në Mbretërinë e Zotit!

Le të mos harrojmë se: “Bota me gjithë kënaqësitë e saj shkojnë, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet në amshim” (1 Gjonit‬ ‭2:17‬).