PRITJA PËR ARDHJEN E MBRETIT

HYRJE

Pritja për ardhjen e Mbretit është pritje aktive që kërkon përgatitje.

Në Mbretërinë e Perëndisë do të hyjnë vetëm ata që e marrin seriozisht përgatitjen për ardhjen e Mbretit.

Jezui vazhdon t’i mësojë ndjekësit e tij me shëmbëlltyra për rëndësinë e këmbënguljes në besim deri në fund.

TEKSTI BIBLIK

1 “Atëherë mbretëria e qiejve do t’u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llambat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.
2 Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka.
3 Budallaçkat, kur morën llambat e tyre, nuk morën me vete vajin;
4 kurse të mençurat, bashkë me llambat, morën edhe vajin në enët e tyre.
5 Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi.
6 Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: “Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!”.
7 Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llambat e tyre.
8 Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: “Na jepni nga vaji juaj, sepse llambat tona po na fiken”.
9 Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: “Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini”.
10 Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.
11 Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: “Zot, zot, hapna”.
12 Por ai, duke u përgjigjur, tha: “Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh”.
13 Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut” (Mateu‬ ‭25:1-13‬).

Konteksti Historik

Te Mateu 25 Jezui tregon dy shëmbëlltyra të tjera që ilustrojnë nevojën e përgatitjes së duhur për pritjen për ardhjen e tij të dytë. Këto dy shëmbëlltyra gjenden vetëm në këtë Ungjill.

Këtë shëmbëlltyrë Jezui e harton në bazë të kulturës së dasmave në kohën e tij. Zakoni ishte që dhëndri paraqitej për të marrë nusen tek shtëpia e prindërve të saj. Pas marrjes së bekimit aty, dhëndri me nusen niseshin për në shtëpinë e dhëndrit të shoqëruar nga shoqet e nuses.

Gjithë ceremonia që niste në muzg përfundonte në mesnatë. Ata që shoqëronin dhëndrin dhe nusen duhej të përgatisnin llampat me vaj për të ndriçuar errësirën e natës. Audienca e Jezuit nuk e kishte aspak të vështirë të kuptonte rëndësinë e përgatitjes së llampave me vaj për ceremoninë.

PROPOZIMI QENDROR

PËRGATITJA E DUHUR ËSHTË E DOMOSDOSHME PËR TË HYRË NË MBRETËRINË E PERËNDISË.

I. Përgatitja e Duhur për të Hyrë në Mbretërinë e Perëndisë Fillon me Besimin në Krishtin.

Pa besim është e pamundur të kënaqësh Perëndinë. Besimi është vepra e Perëndisë që besimtarëve u numërohet për drejtësi.

Përgatitja e duhur për ardhjen e Mbretit nënkupton këmbëngulje në besim deri në fund. Besimi që këmbëngul deri në fund është besimi i vërtetë. Ky është besimi që ilustron toka e mirë ku bima rritet e jep fryt.

Besimi i përkohshëm është thjesht emocional dhe nuk sjell as shpëtim as njohje të Perëndisë. Ky është besimi i përfaqësuar nga toka gurishtë që nuk lejon rritjen e bimës që mbin aty.

II. Përgatitja e Duhur për të Hyrë në Mbretërinë e Perëndisë Kërkon Urtësinë e Shpirtit dhe Fjalës së Perëndisë.

Vaji në Bibël shpesh simbolizon Shpirtin e Perëndisë.
«Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka vajosur për t’u shpallur ungjillin të varfërve . Më ka dërguar për t’u shpallur robërve lirinë dhe për t’u kthyer të verbërve shikimin, për të çliruar të shtypurit dhe për të shpallur vitin e hirit të Zotit» (Luka‬ ‭4:18-19; cfr. Isaia 61:1).

Drita ose llampa shpesh simbolizon Fjalën e Perëndisë.
«Fjala jote është llambë për këmbën time, dritë për shtegun tim.» (Psalmet‬ ‭119:105‬).

Përgatitja e duhur për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë nuk mund të kuptohet pa Shpirtin dhe Fjalën e Perëndisë në zemrën e besimtarit.

PËRFUNDIMI

Jezui do të kthehet përsëri. Kthimi i tij do të jetë i papritur. Të urtët përgatiten për ardhjen e tij duke u mbushur me Shpirtin e Perëndisë.

nga Zef Nikolla