Bibla është libri me ndikimin më të madh në botë. Cilësohet si libri më i përhapur në botë dhe me një nga literaturat më të mira që është shkruar ndonjëherë. Është përkthyer në qindra gjuhë dhe është themeli i ligjeve dhe etikës moderne. Na drejton ne gjatë vështirësive, na jep urtësi dhe ka qenë themeli i besimit për miliona njerëz ndër shekuj. Të krishterët besojnë se Bibla është Fjala e Perëndisë dhe predikon qartë rrugën drejt paqes, shpresës dhe shpëtimit. Na tregon se si filloi bota, se si do të mbaroj bota, dhe se si duhet të jetojmë ne ndërkohë.
Fjala Bibël do të thotë ‘Bibliotekë’, sepse në vetvete është një grumbullim prej 66 librash të cilët janë shkruar nga autor të ndryshëm, në kohë të ndryshme në një hark kohor prej afërsisht 1600 vjetësh dhe ka pas një ndikim të jashtëzakonshëm në historinë njerëzore.
Për shekuj me radhë është konsideruar si themeli i të vërtetës. Por në 100 vitet e fundit, ky qëndrim është lëkundur dhe sulmuar shumë nga kritikët. A është ky libër i besueshëm nga ana historike? A kishin autorët të njëjtin dokument që kemi ne sot? A është korruptuar ky material gjatë shekujve? A mund ti besohet mesazhit dhe deklaratave që ky material përmban?
Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për ti dhënë përgjigje, sepse nëse nuk kemi siguri tek vërtetësia e biblës, atëherë jemi duke besuar më kot në një gënjeshtër të madhe.
Në mënyrë të vazhdueshme, zbulohen libra të antikitetit të cilët janë burimi më i madh i informacionit që ne kemi për kohën që ka kaluar. Historia është e ndërtuar mbi këto informacione të zbuluara. Dhe për këtë studiues dhe ekspert të ndryshëm gjatë kohës, kanë zhvilluar një metodë për të hetuar dhe vlerësuar nëse librat e antikitetit janë të vërtet historikisht dhe a mund ti besohet mesazhit që ata japin.
Lidhur me këtë, çdo dokument antik duhet të kaloj tre teste përpara se të konsiderohet i besueshëm[i]. Dhe në këtë material ne do të vendosim biblën në gjyq. Do të shikojmë nëse tekstet biblike i kalojnë këto teste.
Këto teste janë si më poshtë:
- Testi Bibliografik
Ky test i përgjigjet pyetjeve:
- A u shkrua dokumenti afër ngjarjes?
- Dhe sa kopje kemi për t’i krahasuar?
Në tabelën më poshtë[ii] po ilustroj se si funksionon ky test duke përfshirë në të disa nga materialet antike më të famshme që ne disponojmë sot.
Materiali | Viti kur është shkruar | Datimi i dorëshkrimeve më të hershme | Nurmi i dorëshkrimeve që ekzistojnë nga Orgjinali |
Platoni | 427-347 Para Krishtit | Shekulli X | 0 |
Herodoti | 484 – 425 Para Krishtit | Shekulli X | 8 Kopje |
Jul Cezari | 100 – 44 Para Krishtit | Vitet 900 | 10 Kopje |
Aristoteli | 384 – 322 Para Krishtit | Vitet 1100 | 49 Kopje |
Dhjata e Re | 40 – 90 Pas Krishtit | Shekulli II | 25 Mij Kopje |
Sa më afër ngjarjes të jetë shkruar një dokument, aq më shumë i saktë do të jetë. Dhe kjo është një pikë shumë e fortë e Biblës dhe sidomos Dhjatës së Re. E gjithë Dhjata e Re siç e njohim ne sot, është shkruar brenda shekullit të parë dhe është shkruar nga dëshmitarë okular, të cilët kanë parë vetë me sytë e tyre çdo gjë, ose nga persona shumë të afërt me dëshmitarët okular, të cilët e kanë marr të gjithë informacionin që kanë shkruar prej tyre.
Asnjë dokument tjetër i lashtësisë, nuk është shkruar kaq afër me ngjarjen për të cilën flet dhe përsëri shumë prej këtyre dokumenteve konsiderohen shumë të besueshëm.
Aspekt tjetër shumë i fortë në favor të Biblës, janë dorëshkrimet e zbuluara. Për Dhjatën e Re, janë zbuluar rreth 25 mijë dorëshkrime. Vlera e këtyre dorëshkrimeve është e jashtëzakonshme, sepse të jep mundësinë që duke i krahasuar të shikosh nëse është ruajtur përmbajtja dhe mesazhi apo jo.
Në rastin e Dhajtës së Re, nuk vihet fare në dyshim ruajtja e pacënuar e mesazhit që është shkruar nga dëshmitarët okular të ngjarjeve të shekullit të parë. Nëse krahason dorëshkrimet e gjetura në shekullin II, me ato të shekullit V, të shekullit VII dhe të shekullit X, vërtetohet ruajtja me fanatizëm e përmbajtjes dhe mesazhit që ky libër përcjell.
Të gjitha veprat e mësipërme nga antikiteti edhe shumë të tjera që nuk janë përmendur këtu, konsiderohen të besueshme dhe të vërteta nga studiuesit dhe ekspertët, në një kohë që asnjë prej tyre nuk e konkurron dot Biblën në testin bibliografik.
2. Testi i Provave të Brendshme
Ky test i përgjigjet këtyre pyetjeve:
- A kishin kushtet e duhura autorët që ta merrnin të saktë informacionin për historinë që po shkruajnë?
- A ka kontradikta të patolerueshme në këtë material?
Kur Dhiata e Re mori formën që ka sot në shekullin e III-të, ishin tre rregulla për të vlerësuar librat që do ishin pjesë e këtij materiali, ose siç njihet ndryshe kanuni biblik:
- Duhej të ishte shkruar nga një dëshmitar okular, ose dëshmitar i afërt me një dëshmitar okular.
- Duhet të jetë koherent me pjesën tjetër të doktrinës së Krishterë.
- Duhet të jetë përdorur nga Kisha për studim dhe adhurim.
Të tri këto rregulla sigurojnë se materiali që është shkruar në këtë libër, është material i shkruar ose i marr nga ata persona të cilët kanë qenë dëshmitarë okular dhe prezent gjatë gjithë kohës që janë zhvilluar ngjarjet e përshkruara. Kjo u bë për mos të lejuar korruptimin dhe deformimin e ngjarjes historike dhe mesazhit që komunikon. Nën dritën e kësaj, e gjithë Dhiata e Re e ka burimin e materialit nga njerëz që i kanë parë dhe dëgjuar ngjarjet vetë personalisht.
Gjithashtu, i gjithë shkrimi (Bibla), është në koherencë në të gjithë materialin që përmban, për sa i përket mesazhit.
3. Testi i Provave të Jashtme
Ky test i përgjigjet pyetjes:
- A ka prova jashtë dokumenteve biblike që të mund të vërtetojnë deklaratat historike të Biblës?
Një nga mënyrat më të mira për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, është duke hulumtuar nëse ka shkrime apo burime jashtë biblike që konfirmojnë besueshmërinë e biblës rreth kohës që është shkruar Bibla. Nëse ngjarjet që Bibla përshkruan kanë ndodhur me të vërtet, atëherë ato duhet të kenë bërë shumë bujë dhe të kenë tërhequr vëmendjen e mendimtarëve të kohës.
Dhe kështu është në të vërtet. Disa nga historianët dhe filozofët më të mirë të shekullit të parë dhe të dytë kanë shkruar në lidhje me këto ngjarje.
Një ndër ta ishte Plini i Riu, i cili ishte guvernator për llogari të Romës në Bitini dhe gjithashtu është i famshëm si historian i Shekullit II. Në një nga letrat që ai i dërgon Perandorit Trajan, shkruan këtë gjë në lidhje me të krishterët:
Ata e kanë për zakon të mblidhen së bashku në një ditë të caktuar përpara se të zbardh dhe ti këndojnë këngë adhurimi Krishtit, si Zot. Në këtë kohë ata bëjnë një betim mes tyre – që nuk do bëjnë asnjë krim – ata betohen se nuk do të vjedhin, as të grabisin, as të bëjnë tradhti bashkëshortore, nuk do të tradhtojnë besimin, dhe nuk do kthejnë një depozitë kur iu kërkohet.
Kur ata i kanë bërë të gjitha këto gjëra largohen dhe mblidhen përsëri më vonë për të marr pjesë në një banket të pa rrezikshëm (i cili nuk është karakteristik e një besëtytnie të pavëmendshme)[iii].
Është shumë interesant fakti që në këtë vëzhgim që ka bërë historian, ai i përshkruan të Krishterët si të përkushtuar për t’u mbledh së bashku, të cilët betoheshin se do të jetonin një jetë me moral ndryshe nga shoqëria e kohës dhe se këta të krishterë e adhuronin Krishtin si Zot.
Gjithashtu shkrime të tjera kemi nga Seutonius dhe Taicitus, të cilët ashtu si Plini i Riu, konfirmojnë se gjatë shekullit të dytë ekzistonte një lëvizje që quheshin të krishterë, të cilët mblidheshin nëpër asamble me njëri-tjetrin, ku hanin së bashku dhe këndonin dhe adhuronin Krishtin si Zot.
Ky informacion ka një rëndësi të jashtëzakonshme për besueshmërinë e biblës, sepse këta persona ishin kundërshtarë të krishtërimit dhe kanë shkruar kundër tij, por duke bërë kështu, kanë konfirmuar atë çfarë shkruhet në bibël për themelimin dhe përhapjen e kësaj lëvizje të krishterë, ku themeluesi i saj ishte Krishti.
Arkeologjia dhe Bibla
Një shprehje e kohëve të fundit është se,”Arkeologjia është miku më i mirë që ka pas ndonjëherë Krishtërimi”[iv], sepse arkeologjia në mënyrë të vazhdueshme është duke vërtetuar biblën dhe atë që ajo komunikon.
Është gërmuar vetëm 1% e pikave arkeologjike në Jerusalem[v], dhe nga ajo që është zbuluar po hidhet gjithmonë e më shumë dritë në besueshmërinë dhe saktësinë e teksteve biblike.
Një rast konkret është ai i teksteve Mazoretike. Këto tekste ishin dorëshkrimet më të hershme të Dhiatës së vjetër që bota dispononte, dhe këto dorëshkrime datonin në vitet 1000 Pas Krishtit. Ky fakt përbënte një shqetësim të madh për kritikët, sepse linte shumë dyshime për besueshmërinë e transmetimit të këtyre teksteve në mënyrë korrekte, për shkak të distancës kohore nga ngjarjet reale.
Por në vitin 1947 një djalë i vogël i cili ishte bari, hodhi një gur drejt një kodre të vogël, gjë e cila çoi në atë që konsiderohet zbulimi më i rëndësishëm në lidhje me tekstet biblike që është bërë ndonjëherë.
Nën atë kodër, në një shpellë u gjetën 37 vazo balte, në brendësi të të cilave ishin ruajtur rreth 800 rrotulla të teksteve biblike të Dhiatës së Vjetër. Të gjitha këto dorëshkrime datonin në vitet 100 Para Krishtit. Pasi janë bërë krahasimet me dorëshkrimet e gjetura në vitet 1000 Pas Krishtit, është vërejtur një përputhje e jashtëzakonshme, çka përsëri vërteton se tekstet biblike janë ruajtur dhe transmetuar me një saktësi dhe fanatizëm të madh.
Gjithashtu arkeologu Avraham Biran në vitin 1993 – Zbuloi Tel Dan, shkruar nga Aramians dhe i referohet “Shtëpisë së Davidit” e cila daton 150 vjet pas kohës së mbretit David.
Janë bërë edhe zbulime të tjera arkeologjike që mbështesin saktësinë e teksteve biblike në lidhje me Pontus Pilatin (zbulim i bërë në vitin 1962) apo për kryepriftin Kaiafa në kohën e Jezusit (zbulim i bërë në vitin 1990).
Zbulime të tilla janë duke u bërë kohë pas kohe, dhe provat janë kaq të shumta sa thyejnë çdo dyshim në lidhje me besueshmërinë e teksteve dhe dorëshkrimeve biblike.
Por është një gjë të thuash që teksti është i besueshëm dhe tjetër gjë të thuash që mesazhi i këtij teksti është i vërtet. A është me të vërtet Zoti që po flet nëpërmjet Biblës? Nëse po, çfarë është duke thënë?
Bibla fokusohet rreth një personazhi qendror: që është Jezus Krishti, dhe rreth një ngjarje shumë kyc në jetën e këtij personazhi, që është: vdekja dhe ringjallja e Tij.
Tekstet biblike, nga ana historike dhe transmetimi i tyre deri tek ne sot është shumë i besueshëm, dhe për këtë ka prova pa fund. Besimi në bibël është i themeluar në ngjarje historike dhe vende reale.
Por, për të zbuluar nëse mesazhi që transmeton është i vërtet, unë të ftoj ta lexosh vetë. Qasu ndaj biblës me një mendje të hapur, dhe lejo që nëse provat të bindin, të ndryshosh qëndrimin tënd në lidhje me këtë mesazh.
Nëse Zoti është duke folur nëpërmjet biblës, atëherë ja vlen shumë që secili prej nesh ta dëgjoj se çfarë ka për të thënë. Jezusi vetë ka thënë: “Ju do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”.
[i] The Bible On Trial: Beyond A Reasonable Doubt.
[ii] The Bible On Trial: Beyond A Reasonable Doubt
[iii] Epistles 10.96 and 97, Plini i Riu
[iv] Craig Parton
[v] Dr. Randall Price, Director of Judaic Studies in Liberty University