Synoni trofetë e qiejve

HYRJE

«Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin. Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t’i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin. Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote».
‭‭- Jezu Krishti (Mateu‬ ‭6:19-21‬)

Në botën e sportit ka shumë diskutime se kush është më i madhi i gjithë kohërave. Sportistë të shkëlqyer vendosin rekorde në dukje të paarritshme, por që gjithmonë del dikush dhe i tejkalon. Koha tregon se askush nuk është i pathyeshëm, i paarritshëm, i pazëvendësueshëm.

Bibla na mëson se Jezu Krishti është më i madhi i gjithë kohërave: më i madhi para se koha filloi, më i madhi sot në kohë dhe, më i madhi pasi koha të mbarojë. Ai është i vetmi kampion fitimtar i pathyeshëm, i paarritshëm, i pazëvendësueshëm.

Jezui na fton ne ndjekësit e tij të jemi pjesë e ekipit të tij kampion. Ai na ka thirrur në ekipin e tij dhe kërkon që të mësojmë të luajmë së bashku, sipas rregullave të tij, për trofetë e qiejve.

Ekipi mund të përkufizohet si një grup njerëzish që janë thirrur së bashku për një synim të caktuar.

Jezu Krishti është trajneri që na ka thirrur. Sepse ai është i gjithdijshëm dhe i gjithpushtetshëm, ne nuk mund as nuk duhet të diskutojmë pse ai ka thirrur ata që ka thirrur në ekipin e tij. Duke qenë një ekip, ne thjesht duhet të mësojmë të luajmë bashkë dhe jo kundër njëri-tjetrit.

Kolosianëve 3:1-4 flet për synimin e caktuar që Jezui ka për ekipin e tij. Ky pasazh na mëson për qëndrimet dhe ndjenjat që duhet të kultivojmë për arritjen e synimit të ekipit të Krishtit; mendësinë dhe dëshirat që duhet të kemi si ekipi i yjeve që Jezui ka thirrur.

TEKSTI BIBLIK

1 Përderisa u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni gjërat që janë lart në qiej, atje ku ai rri ulur në të djathtën e Perëndisë.
2 Mendoni për gjërat që janë lart në qiej dhe jo për ato që janë këtu poshtë në tokë.
3 Sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj qëndron e fshehur me Krishtin te Perëndia.
4 Kur të shfaqet Krishti, jeta juaj, atëherë do të shfaqeni edhe ju bashkë me të në lavdi»
‭‭(Kolosianëve‬ ‭3:1-4‬).

Konteksti Historik

Apostulli Pal e shkroi Letrën drejtuar Kolosianëve nga burgu rreth vitit 60 pas Krishtit.

Letra u shkrua me synimin e dyfishtë për të treguar epërsinë, hyjninë dhe mjaftueshmërinë e Krishtit dhe për t’u treguar të krishterëve se si të jetojnë në botë dhe para Perëndisë.

Prandaj, dy kapitujt e parë përqendrohen në doktrinën e kristologjisë – identiteti dhe vepra e Krishtit, ndërsa dy kapitujt e fundit përqendrohen në praktikën e besimit – identiteti dhe vepra e të krishterëve.

PROPOZIMI QENDROR

Ky pasazh na thërret të jemi një ekip ndryshe nga ekipet e tjera. Ndryshimi qëndron në faktin se ne jemi thirrur të garojmë për trofetë e qiejve, jo për trofetë në tokë.

NE MUND TË JEMI EKIPI QË SYNON TROFETË E QIEJVE PËR SHKAK TË TË VËRTETAVE PËR TË SHKUARËN, TË TASHMEN DHE TË ARDHMEN TONË.

Para se të përqendrohemi në të vërtetat e të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes tonë, le të kujtohemi se çfarë janë trofetë e qiejve.

Në këtë pasazh, urdhërohemi jo vetëm një herë, por dy herë që të dëshirojmë dhe të përpiqemi të arrijmë mbi gjithçka: Perëndinë Atë, Perëndinë Bir, Perëndinë Shpirt i Shenjtë dhe të gjitha virtytet që burojnë nga realiteti i Perëndisë – që janë «… dashuria, gëzimi, paqja, durimi, dashamirësia, mirësia, besimi, zemërbutësia dhe vetëpërmbajtja …»
‭‭(Galatasve‬ ‭5:22-23‬).

I. Ne Mund Të Jemi Ekipi Që Synon Trofetë E Qiejve Sepse Kemi Vdekur Me Krishtin Dhe Jemi Ngjallur Me Krishtin (v. 1-3a).

Kjo është e vërteta e të shkuarës tonë që përcakton në një masë të madhe identitetin tonë si ekip. Kur Jezui na thirri në ekipin e tij, ai pagoi çmimin më të lartë të mundshëm në kuptimin e plotë të fjalës – ai na bleu me gjakun e tij që e derdhi në kryq.

Kontrata e re realizoi transfertën tonë nga ekipet e ndryshme të mëparshme, ku ne garonim për trofetë tokësorë të përkohshëm, në një ekip që garon për trofetë qiellorë të përjetshëm. Ajo siguroi edhe fitoren tonë më të madhe – transfertën nga vdekja në jetë.

Më e keqja, vetë vdekja, tani është tejkaluar nga të gjithë ne që jemi thirrur për të qenë një në Krishtin. Më të keqen e kemi lënë pas. Kemi vdekur me Krishtin dhe jemi ngjallur me Krishtin! Të tillë jemi tani – një ekip në Krishtin, fitimtar mbi vdekjen.

Kjo është e vërteta e të shkuarës tonë: vetja jonë e vjetër u kryqëzua me Krishtin dhe vetja jonë e re u ngjall për një jetë të re me Krishtin.

Çfarë lidhje ka kjo me synimin e trofeve qiellorë? Apostulli Pal thotë: «Ata që janë të Krishtit Jezu e kanë kryqëzuar natyrën e tyre mëkatare bashkë me pasionet e dëshirat e veta» (Galatasve‬ ‭5:24‬). Pasionet dhe dëshirat tona të vjetra janë zëvendësuar me të reja.

II. Ne Mund Të Jemi Ekipi Që Synon Trofetë E Qiejve Sepse Jeta Jonë Është E Fshehur Me Krishtin Dhe Krishti Është Jeta Jonë (v. 3b-4a).

Kjo është e vërteta e të tashmes tonë që ushqen providencialisht jetën dhe forcën tonë si një ekip në një botë plot ligësi e ligështi, viruse e vdekje.

Sepse kemi vdekur dhe jemi ngjallur me Krishtin, ne tani mund të themi me Apostullin Pal: «… nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua. Këtë jetë, që tani jetoj në trup njerëzor, e jetoj me besim në Birin e Perëndisë, i cili më deshi e dha veten për mua»
‭‭(Galatasve‬ ‭2:20‬).

Ekip – kjo është e lavdishme; kjo është madhështore; kjo është vërtet e mrekullueshme! Ne tani jemi të pandalshëm, të pathyer, të pavdekshëm!

Ne jemi tani ai ekipi i ëndrrave, i përbërë nga të gjithë yjet, nga të gjitha kombet, që luajmë për Perëndinë, në botën e Perëndisë, përmes fuqisë së Perëndisë, për lavdinë e Perëndisë! Perëndia është sponsori ynë, ne veshim uniformat e tij, ne mbartim emrin dhe imazhin e tij, ne kemi jetën e tij! Ai është jeta jonë!

Statusi ynë i tanishëm “fshehur me Krishtin” na ruan si nga rreziqet e botës edhe nga zemërimi i Perëndisë.

Sepse Krishti është jeta jonë dhe Krishti është Zoti dhe Shpëtimtari ynë suprem, i mjaftueshëm, i gjithfuqishëm, i gjithdijshëm dhe gjithë sa është Perëndia, ne jemi fitimtarë!

Neve nuk na mungon asgjë, ne kemi gjithçka për të arritur synimin që ai na ka caktuar për të bërë dishepuj nga gjithë kombet.

Në mënyrë që ta arrijmë këtë, ne jemi urdhëruar që gjithmonë të dëshirojmë dhe të bëjmë çfarë Krishti dëshiron dhe çfarë është vullneti i tij.

Statusi ynë i tanishëm si ekipi i Krishtit na jep forcën për të qenë të guximshëm ndërsa themi me Palin: «Sa për mua jeta është Krishti dhe vdekja është fitim» (Filipianëve‬ ‭1:21‬).

III. Ne Mund Të Jemi Ekipi Që Synon Trofetë E Qiejve Sepse Krishti Do Të Shfaqet Dhe Ne Do Të Shfaqemi Me Krishtin Në Lavdi (v. 4).

Kjo është e vërteta e të ardhmes tonë që përgjithmonë ushqen shpresën e të qenit ekipi i vetëm që do të mbretërojmë si kampionë në përjetësi. Perëndia na ka zbuluar neve, ekipit të tij, pasuritë e lavdisë së tij. Krishti në ne është vërtet shpresa e lavdisë.

Ne vazhdimisht duhet ta mbajmë fort këtë shpresë të lavdisë duke qenë të sigurt se premtimet e Perëndisë në Krishtin janë Po dhe Amen! Këto premtime përfshijnë ardhjen e dytë të Krishtit në lavdi dhe përjetësinë tonë në lavdi me Krishtin.

Një e ardhme e tillë kaq e lavdishme na frymëzon të rritemi në besim, në veprën e dashurisë dhe në durimin me shpresë.

Më e mira pritet të vijë. Fitorja jonë është arritur, po arrihet dhe do të arrihet plotësisht! Në fund të kohës, kur të bjerë bilbili i fundit, ne do të jemi i vetmi ekip në këmbë.

PËRFUNDIMI

Urdhëresa dyfishe për të qenë ekipi që synon trofetë qiellorë është plotësisht në përputhje me mësimin e Jezuit: «Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t’jua japë edhe ato gjëra» (Mateu‬ ‭6:33‬).

Zoti dhe Shpëtimtari ynë gjithashtu tha: «Kush e gjen jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që e humb jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë»(Mateu‬ ‭10:39‬).

Le të përfillim paralajmërimin në këtë mësim. Nëse duam këtë botë dhe gjërat e kësaj bote, madje edhe nëse duam jetën apo veten tonë më shumë se Perëndinë dhe pasuritë e lavdisë së Perëndisë, do të fundosim besimin, do të prishim dashurinë dhe do të humbasim shpresën.

Ja si e shprehu C.S.Lewis këtë paralajmërim: “Syno qiellin dhe do të fitosh edhe tokën. Syno tokën dhe nuk do të fitosh asgjë”.

Le të jemi ekipi që synon qiellin dhe fiton si qiellin edhe tokën!