Mbreti “Zot e Njeri” Bashkë

HYRJE

“Çështja më e rëndësishme në lidhje me besimin është nëse njeriu si qenie e qytetëruar mund të besojë në hyjninë e Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit, pasi aty gjendet tërësia e besimit tonë” – Fyodor Dostoyevsky

Nëse Perëndia do të vinte në botë në trajtë njeriu, çfarë njeriu do të ishte?

Apologjeti Bernard Ramm, në një nga librat e tij, rendit gjashtë cilësi në përgjigje të kësaj pyetjeje: do të duhej të ishte pa mëkat; do të duhej të ishte i shenjtë; do të duhej të fliste fjalët më madhështore që mund të artikulohen; do të duhej të ushtronte pushtet të jashtëzakonshëm mbi personalitetin njerëzor; do të duhej të kryente vepra të mbinatyrshme; do të duhej të demonstronte dashurinë e Perëndisë.

Nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar deri më sot, vetëm Jezu Krishti i plotëson të gjitha këto kritere.

Prandaj, çështja e identitetit të Jezuit ka rëndësi të jashtëzakonshme. Bibla na mëson, (siç kujtoj përgjigjen që merrja nga im atë kur isha i vogël), se Jezu Krishti është “Zot-e-njeri” bashkë. Ai është kush besoi, tha dhe demonstroi se ishte: Perëndia i mishëruar në trajtë njeriu.

Teologët do ta shprehnin identitetin e Jezuit në termat e personit të dytë të Trinisë, Perëndia Bir, 100% hyjnor dhe 100% njerëzor, i barabartë, i dallueshëm, por i pandashëm me Perëndinë Atë, i barabartë, i dallueshëm, por i pandashëm me Perëndinë Shpirti i Shenjtë.

Fatkeqësisht, shumë njerëz dhe fe të ndryshme, edhe kur pohojnë diçka në lidhje me personin e Jezu Krishtit, nuk pranojnë identitetin e tij të plotë.

Pasazhi që do të shqyrtojmë sot trajton çështjen madhore të identitetit të plotë të Jezu Krishtit.

TEKSTI BIBLIK

41 Ndërsa farisenjtë ishin të mbledhur së bashku, Jezui i pyeti:
42 «Çfarë mendoni për Krishtin? Biri i kujt është?». Ata i thanë: «Biri i Davidit».
43 Jezui u tha: «Si vallë, i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, Davidi e quan atë Zot kur thotë:
44 I tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua?
45 Nëse Davidi e quan Krishtin Zot, si mund të jetë ai Biri i Davidit?”
46 Askush nuk mundi t’i përgjigjej qoftë edhe me një fjalë. Që nga ajo ditë askush nuk guxoi ta pyeste më.
(Mateu‬ ‭22:41-46‬).

Konteksti Historik

Jezui gjendet në Jerusalem për festën e Pashkës së hebrenjve në javën e fundit të shërbesës së tij tokësore. Ai u është përgjigjur në mënyrë të përsosur tre pyetjve hileqare të krerëve të judenjve (Mateu 22:15-41), të cilët janë të vendosur ta vrasin sepse Jezui flet, vepron, kërkon dhe pranon të adhurohet si Zot.

Farisenjtë, grupimi më i madh në numër i krerëve të judenjve, “ishin të mbledhur së bashku” (Mateu 22:41) dhe me siguri po planifikonin se si do ta eleminojnë rabinin që për tre vjet ka mbushur vendin me mësimin e tij.

Jezui i pyet: «Çfarë mendoni për Krishtin? Biri i kujt është?» (v.42). Kur ata pohojnë se Mesia, Krishti, është “Biri i Davidit”, Jezui i sfidon që të kuptojnë se Mesia, Krishti, nuk është vetëm njeri, Biri i Davidit, por është edhe Perëndi, Zoti i Davidit.

PROPOZIMI QENDROR

JEZUI ËSHTË MBRETI ZOT-E-NJERI BASHKË!

I. Jezui Është Mbreti Njeri.

Tani është radha e Jezuit të testojë kuptimin e farisenjve për Mesinë, Mbretin e premtuar të Izraelit. Pyetjes së tij “Çfarë mendoni për Krishtin? Biri i kujt është?”, ata i përgjigjen se Krishti është “Biri i Davidit” (v. 42).

Përgjigjja e farisenjve është e saktë, por e paplotë. Kuptimi i tyre për Mesinë, Mbretin e premtuar, ishte i kufizuar. Ata mendonin se titulli “Biri i Davidit” është nderimi më i lartë për Mesinë e tyre. Për farisenjtë atëherë, si për shumë njerëz sot, Krishti është thjesht njeri dhe jo më shumë.

Gabimi i farisenjve është i madh sepse pranojnë vetëm gjysmën e të vërtetës në lidhje me identitetin e Mesisë; ata pranojnë vetëm natyrën njerëzore të Krishtit. Gabimi i tyre është edhe më i madh se kaq. Ata nuk pranojnë se Jezui është Krishti.

Shkrimi i Shenjtë mëson qartë se Krishti është Biri i Davidit. Ky mësim pohon natyrën njerëzore të Mesisë dhe prejardhjen nga linja mbretërore e Davidit. Profeti Natan i komunikoi fjalën e Zotit Davidit duke i thënë:

“… do të ngre pasardhësin pas teje, i cili rrjedh prej teje dhe do ta bëj të qëndrueshëm mbretërinë e tij. Ai do t’i ndërtojë një shtëpi emrit tim, ndërsa unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithmonë fronin e tij.
Do ta bëj të qëndrueshme përgjithmonë shtëpinë tënde dhe mbretërinë tënde dhe froni yt do të mbetet në amshim”
(2 Samuelit 7:12-13, 16).

Sigurisht premtimi këtu nuk mund të jetë për Solomonin, mbretëria e të cilit u nda pas vdekjes së tij edhe pse ai arriti të ndërtojë tempullin. Premtimi është për një pasardhës të Davidit që do të mbretërojë në amshim.

Dhiata e Re tregon qartë se ky pasardhës i Davidit, froni i të cilit do të mbetet në amshim, është Jezui. Jezui Mbret, Biri i Davidit, është një temë madhore e Ungjillit sipas Mateut.

«Libri i breznive të Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit»
‭‭(Mateu‬ ‭1:1‬).

«Kur Jezui u largua që andej, i shkuan pas dy të verbër, që thërrisnin: “Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!”»
‭‭(Mateu‬ ‭9:27‬).

«Të gjithë njerëzit u mahnitën e thanë: “A mos është ky Biri i Davidit?”»
‭‭(Mateu‬ ‭12:23‬).

«Dhe ja, një grua kananitase nga ajo krahinë shkoi dhe i tha me zë të lartë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli”»
(‭‭Mateu‬ ‭15:22‬).

«Turmat që ecnin përpara Jezuit dhe ato pas tij thërrisnin: “Hosana birit të Davidit, bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit, hosana në lartësitë e qiejve!”
Por kryepriftërinjtë e skribët, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: “Hosana Birit të Davidit!”, u zemëruan»
‭‭(Mateu‬ ‭21:9, 15‬).

Mbajtja e regjistrave që vërtetonin prejardhjen familjare ishte shumë e rëndësishme për hebrenjtë. Në qoftë se Jezui nga prejardha familjare tokësore nuk vinte nga familja e Davidit, krerët e judenjve do ta kishin përdorur këtë si argumentin e parë për ta skualifikuar Jezuin nga pretendimi i tij për të qenë Mesia.

Jezui ishte me të vërtetë pasardhës i Davidit. Ai pranoi ta thërrisnin Biri i Davidit. Ai nuk mohoi se kishte ardhur në botë si njeri. Jezui është Mesia, Mbreti i premtuar, Biri i Davidit. Ai është Mbreti njeri, por kjo nuk është e gjithë e vërteta për identitetin e tij.

II. Jezui Është Mbreti Zot.

Farisenjtë jo vetëm nuk pranojnë se Jezui është Krishti, por ata nuk kuptojnë se Krishti është Zot.

Prandaj Jezui i sfidoi me një pyetje që i la pa fjalë:

«Si vallë, i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, Davidi e quan atë Zot kur thotë: I tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua? Nëse Davidi e quan Krishtin Zot, si mund të jetë ai Biri i Davidit?” – v. 43-45.

Krerët e judenjve nuk kishin lënë gjë pa sajuar për ta zënë në kurth Jezuin dhe nuk ia kishin arritur. Ndërsa Jezui, thjesht citon Psalmin 110:1 dhe ua mbyll gojën me një pyetje të vetme atyre që e mbanin veten për ekspertë të Shkrimit të Shenjtë.

Jezui u vërtetoi farisenjve një të vërtetë të Shkrimit të Shenjtë që ata nuk e kishin kuptuar: Mesia, Mbreti i premtuar, është Perëndia që vjen në trup njeriu si pasardhës i Davidit. Krishti është Biri i Davidit dhe Biri i Perëndisë. Kjo do të thotë se Krishti është Zot-e-njeri bashkë. Mesia ka natyrë hyjnore dhe natyrë njerëzore.

Realiteti i Perëndisë Trini shpjegon zbulesën e Perëndisë si Perëndia Atë, Perëndia Bir dhe Perëndia Shpirt i Shenjtë. Perëndia Shpirti i Shenjtë i dha Davidit zbulesën e premtimit të Perëndisë Atë për t’i vënë armiqtë e Perëndisë Bir nën këmbët e tij. Ulja e Perëndisë Bir në të djathtën e Perëndisë Atë shpreh barazinë ndërmjet personave të Trinisë.

Identiteti i plotë i Jezu Krishtit si një person me dy natyra shpjegon jetën dhe veprën e tij. Natyra njerëzore e Jezuit shpjegon ardhjen e tij në trup, lodhjen, urinë, vuajtjen dhe vdekjen në kryq. Natyra hyjnore e Jezuit shpjegon përballimin e tundimeve pa mëkatuar, shenjat, mrekullitë dhe ngjalljen për përjetësinë.

Jezui është njeri, Krisht dhe Zot. Jezui është Zoti dhe Shpëtimtari i botës. Natyra e tij hyjnore e përjetshme u lidh pazgjidhshmërisht me natyrën njerëzore që mori kur erdhi në botë përmes lindjes nga Virgjëresha Mari.

Titulli Biri i Davidit është një titull shumë i nderuar për Birin e Njeriut, por jo titulli më i lartë për Birin e Perëndisë. Ai që ishte, është dhe do të jetë përjetësisht Perëndi, u bë për të qenë përgjithmonë edhe njeri. Ky është identiteti i plotë i Jezu Krishtit: Mbreti Zot-e-njeri bashkë.

PËRFUNDIMI

Njerëz të ndryshëm dhe fe të ndryshme vazhdojnë në gabimin e farisenjve duke thënë ose duke besuar vetëm gjysmë të vërteta për Perëndinë dhe për Krishtin.

Të krishterët besojnë se Perëndia na është zbuluar në Shkrimin e Shenjtë si një Perëndi në tre persona. Të tre personat e Trinisë janë një Perëndi i përjetshëm pa fillim dhe pa mbarim.

Të krishterët besojnë se Krishti është një person i Trinisë që ka ardhur në botë me trup njeriu për të na treguar në mënyrën më konkrete të mundshme se si është Perëndia, se sa shumë na do dhe se si mund të marrim dhuratën e jetës së përjetshme prej tij. Ky person është Jezu Krishti, Zot-e-njeri bashkë.

Të krishterët besojnë se Jezu Krishti do të vijë përsëri në mbarim të kohës për të mbretëruar në amshim. Deri atëherë të krishterët i dëshmojnë botës Ungjillin e Jezu Krishtit në mënyrë që njerëzit të pendohen për mëkatin dhe të shpëtohen.

«Në fillim ishte Fjala. Fjala ishte me Perëndinë. Fjala ishte Perëndi. Fjala ishte drita e vërtetë, e cila vjen në botë dhe ndriçon çdo njeri. Ai ishte në botë dhe bota u bë nëpërmjet tij, por bota nuk e njohu. Atyre që e pranuan dhe besuan në emrin e tij, u dha të drejtën të bëhen bij të Perëndisë»
‭‭(Gjoni‬ ‭1:1, 9-10, 12‬).

«Këto u shkruan që ju të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetën në emrin e tij»
‭‭(Gjoni‬ ‭20:31‬).