Një Mbreti që Hap Sytë e të Verbërve

“Atëherë të verbërve do t’u çelen sytë, të shurdhërve do t’u hapen veshët” (Isaia 35:5).

Ardhja e Perëndisë në botë në personin e Jezu Krishtit është përshkruar si ardhja e jetës dhe dritës në mes të vdekjes dhe errësirës. “Në të gjendej jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve” (Gjoni‬ ‭1:4‬). “Gjykimi është ky: Drita ka ardhur në botë, por njerëzit kanë dashur errësirën më shumë se dritën, sepse veprat e tyre ishin të liga” (Gjoni‬ ‭3:19‬).

Verbëria shpirtërore bëri që shumë njerëz të mos e pranonin të vërtetën e Krishtit. Njësoj edhe sot, verbëria shpirtërore i pengon shumë njerëz për të besuar se Jezui është Zoti dhe Shpëtimtari i njerëzimit. Verbëria është paaftësia e dikujt për të kuptuar se ç’ndodh përreth a për të parë një të vërtetë që duket qartë. Verbëria shpirtërore nuk është e njëjta gjë me verbërinë fizike. Në fakt, verbëria fizike nuk përbën ndonjë pengesë të veçantë për njerëzit për të parë të vërtetën shpirtërore të Krishtit.

Jezui e bëri të qartë problemin e verbërisë shpirtërore kur tha: «Unë kam ardhur për të bërë gjyq në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin dhe të verbohen ata që shohin». Disa nga farisenjtë që ishin me të, kur dëgjuan këto fjalë, i thanë: «A mos jemi dhe ne të verbër?». Jezui u tha: «Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat, por tani thoni se shihni prandaj mëkati juaj mbetet» (Gjoni‬ ‭9:39-41‬).

Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot Jezui hap sytë e dy personave të cilët verbëria fizike nuk i pengoi për të parë qartë me sytë e shpirtit se Jezui ishte Mbreti i Izraelit, Zoti dhe Shpëtimtari i botës.

TEKSTI BIBLIK

29 Kur po dilnin nga Jerikoja, Jezuin po e ndiqte një turmë e madhe.
30 Dy të verbër që rrinin ulur në anë të rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, bërtitën: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!».
31 Turma i qortoi që të heshtnin, por ata bërtitën edhe më fort: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!».
32 Jezui ndaloi, i thirri e u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?».
33 Ata i thanë: «Zot, duam të na hapen sytë!».
34 Jezui ndjeu dhembshuri për ta e u preku sytë. Atyre iu kthye menjëherë shikimi dhe shkuan pas tij (Mateu‬ ‭20:29-34‬).

Konteksti Historik

Jezui po shkon drejt Jerusalemit për të kremtuar Pashkën e fundit me ndjekësit e tij para se të tradhtohet, të vuajë, të vdesë në kryq, të varroset dhe të ngjallet në të tretën ditë. Në rrethinat e Jerikosë, atë po e ndiqte një numër i madh njerëzish.

Dy të verbër në anë të rrugës i thirrën Jezuit për mëshirë, kur dëgjuan se ai po kalonte pranë tyre. Në thirrjen e tyre ata shprehin bindjen se Jezui është më tepër se një mësues shëtitës i zakonshëm. Ata kërkojnë mëshirë nga ai që e thërrasin Zot dhe Biri i Davidit, domethënë, Perëndia dhe Mbreti i ligjshëm i Izraelit, Mesia që ishte parathënë prej profetëve.

Turmat u përpoqën ta mbysnin me përçmim e qortim britmën e tyre, por Jezui ndaloi dhe u kushtoi kohën, vëmendjen dhe përkujdesjen e duhur. Jezui pati dhembshuri për këta dy lypës të verbër në anë të rrugës, preku sytë e tyre dhe bëri që t’u kthehej shikimi.

PROPOZIMI QENDROR

JEZUI MBRET KA DHEMBSHURI DHE I SHPËTON TË GJITHË ATA QË E NDJEKIN ME BESIM.

Kapitulli 20 i Mateut mbyllet me një histori të bukur dhe të thjeshtë. Jezui në Jeriko ndiqet nga një turmë e madhe. Mësimet dhe mrekullitë e tij kanë tërhequr shumë njerëz. Në anë të rrugës dy lypësa të verbër, kur marrin vesh se aty po kalonte Jezui, i thërrasin me ngulm për ndihmë. Turmat përpiqen t’i largojnë prej Jezuit, por ai ka dhembshuri për ta. Pasi ndaloi, Jezui i thirri pranë vetes dhe i shëroi. Ata iu bashkuan ndjekësve të tij në udhën drejt kryqit.

Bartimeu dhe miku i tij që u shëruan prej Jezuit na mësojnë të vijmë tek Zoti me nevojat dhe shqetësimet tona. Ata në mënyrë specifike iu drejtuan Jezuit për ndihmë. Ata ishin këmbëngulës në kërkesën e tyre. Kur turmat u përpoqën t’i bënin të heshtnin, ata thirrën më fort.

Kërkesat e tyre për Jezuin janë shumë specifike. Ata kërkojnë që Jezui të ketë mëshirë për ta dhe që t’u hapen sytë.

Kërkesa e tyre për mëshirë tregon qartësinë e vizionit të tyre shpirtëror. Verbëria e tyre fizike nuk i ka penguar të shohin me sytë e shpirtit të vërtetën për veten dhe të vërtetën për Jezuin. Në kërkesën për mëshirë ata pranojnë se janë mëkatarë dhe kanë nevojë për faljen e Perëndisë.

Kur i drejtohen Jezuit me titullin mesianik Biri i Davidit, ata tregojnë se shohin më qartë se shumë të tjerë të vërtetën për identitetin e Jezuit. Ata besojnë se Jezui është Mbreti, Zoti dhe Shpëtimtari i botës.

Prandaj, kur Jezui i pyet “Çfarë doni të bëj për ju?”, ata nuk hezitojnë të kërkojnë maksimumin, hapjen e syve të verbër. Ata nuk kërkojnë nga Jezui lëmoshë siç kërkonin nga njerëzit e tjerë. Jezui nuk ishte për ta njësoj si njerëzit e tjerë. Ata besojnë se Jezui është Perëndia, prandaj kërkojnë prej Jezuit atë që vetëm Perëndia mund të bëjë.

Dhe Jezui vërtet është Perëndia. Jezui ka dhembshuri për ta. Jezui bën atë që vetëm Perëndia mund të bëjë. Atyre iu kthye menjëherë shikimi dhe shkuan pas tij. Jezui edhe në këtë rast hapi sytë e verbër dhe shpëtoi ata që shkuan tek ai me besim.

Shërimi dhe shpëtimi i dy të verbërve tregoi edhe një herë madhështinë e Jezu Krishtit. Ai gjen kohë të ndalojë për dy lypës të verbër në anë të rrugës edhe ndërsa vetë po shkon drejt kryqit. Kështu, Jezui jo vetëm u mësoi ndjekësve të tij se çfarë është madhështia e vërtetë, por ai e ilustroi atë me vepra në çdo çast të jetës së tij.

PËRFUNDIMI

Jezu Krishti është Zoti i dhembshur që tregon mëshirë për të gjithë ata që vijnë tek ai me besim. Ai është Mbreti shërbëtor që nuk e kursen shërbimin ndaj askujt.

Mësimi dhe vepra e tij provojnë se ai është drita e botës. Kush vjen tek ai vjen në dritë dhe kush rri larg tij mbetet në errësirë. Duke folur për veten Jezui tha: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës» (Gjoni‬ ‭8:12‬).

Nga Zef Nikolla