Psalmi 133

MIRËSIA DHE KËNAQËSIA E TË BANUARIT NË UNITET

Këngët e Shtegtimeve

Grupi i psalmeve (Ps. 120-134), të gjithë të lidhur nga mbishkrimi “Një këngë ngjitjeje” ka një lidhje të qartë të veçantë me adhurimin e tempullit. Titulli tregon se këta ngjiten në kodër drejt portave të Jeruzalemit dhe tempullit. Psalmet flasin për gëzimin e adhurimit në shtëpinë e Zotit (Ps. 122; 134), për nevojën për pastërtinë e zemrës në adhuruesin e vërtetë (Ps. 125; 128; 131) dhe kërkojnë bekimin e Zotit në ankth (Ps. 120; 129; 130; 132). Të gjitha Këngët e Ngjitjeve shfaqen së bashku, duke sugjeruar që në një kohë ata të formonin një koleksion të pavarur, një libër këngësh në tempull, i cili më vonë u inkorporua si një bllok në Librin e Psalmeve.Disa nga këto psalme mund të jenë mjaft të vjetra. Disa kanë mbishkrimin “Nga Davidi” dhe një “Nga Salomoni” (Psal. 127). Të tjerët, megjithatë, padyshim që u krijuan pas mërgimit Babilonas “: një psalmist lëvdon Perëndinë për çlirimin e tij të fuqishëm të “robërisë së Sionit” (Psal. 126: 1). Një referencë e tillë e qartë historike ka të ngjarë që “Këngët e Shtegtimeve” të jetë bashkuar në këtë koleksion për t’u përdorur në tempullin e dytë. Nëse është kështu, atëherë disa prej këtyre psalmeve mund të jenë kënduar gjatë kushtimit të Jeruzalemit të rindërtuar, në malin Sion “i cili nuk mund të lëvizet, por qëndron përgjithmonë” (Ps. 125: 1).

 

Fjala kyç në këtë psalm është fjala unitet. I gjithë psalmi është i ndërtuar në funksion të vlerës së uniteti të jetuar nga besimtarët, si një dhuratë prej Perëndisë. Kjo merr kuptim të veçantë për ne, ndërsa jetojmë një kohë kaq të komplikuar prej situatës pandemike, ku rrethanat që po kalojmë janë në një opozitë të fortë me të jetuarit në këtë unitet.

Në përgjithësi termi unitet merret si diçka pozitive në shoqëri. Sidomos në fusha të tilla si familja, kombi, politika, personeli punonjës, ushtria etj. uniteti përbën një vlerë të rëndësishme për jetëgjatësinë dhe mbarëvajtjen e gjërave në to.

Edhe në fushën frymërore, uniteti është një vlerë e spikatur. Së pari e shohim në vetë natyrën e Perëndisë: tri Persona në Një të vetëm prej nga rrjedh edhe termi Tri-Unitet apo ai që normalisht e shqiptojmë si Trinitet ose Trini – Mandati i madh në emër (numri njëjës) të “Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë. Kjo na dëshmon se uniteti është një vlerë që buron nga natyra e përsosur Perëndisë.

Ai dëshiron që edhe Kisha, populli i tij i fituar me gjakun e Krishtit, të shërbejë e të adhurojë në unitet. Duke iu referuar përsëri Mandatit të Madh, kisha duhet të bëjë gjithshka në emër të Perëndisë Tri-Unitar, pra sikur Perëndia vetë të veprojë përmes këtij populli të fituar nga çdo gjuhë, fis e komb-hetrogjen-, me unitetin hyjnor. Kështu që uniteti merr një dimension krejt specifik e të pashoq në këndvështrimin hyjnor.

Psalmi 133 është pikërisht një ndër shembujt më të qartë të rëndësisë që uniteti i popullit të Perëndisë ka në sytë e Tij. Vetë roli i Psalmeve është i tillë për t’i kujtuar popullit në tërësi dhe individit në veçanti të vërtetat e zbulimit hyjnor, pikërisht për të motivuar përjetimin e tyre në praktikë. Apostulli Pal lidhur me këtë u shkruan Efesianëve 5:18-21 “mbushuni me Frymë,  duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj,  duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu  Krisht; nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit!”. Mund ta quajmë si një ndër strategjitë e Perëndisë për t’i mbajtur gjithnjë para syve dhe vëmendjes së besimtarëve gjërat që për Atë janë të rëndësishme.

 

  1. Te banuarit në unitet

Psalmi fillon pikërisht me atë që është objekti i vlerësimit të vet: “Ja, se sa e mirë dhe e kënaqëshme është të banuarit në unitet.” Davidi tërheq vëmendjen me këtë pjesës “ja” që ka kuptimin “vështroni, hapni sytë, shikojeni”. Kjo vëmendje nuk është thjesht për të parë bukurinë apo vlerën e unitetit, si një përjetim njerëzor i tij. por shumë më tepër se kaq, është një orientim për ta kuptuar e përjetuar vlerën unike të unitetit mes besimtarëve në sytë e vetë Perëndisë, si vetë autori dhe mbështetësi i tij.

Është e nevojshme që, për të patur të gjithë njësoj një kuptim të thellë të vlerësimit që Perëndia po shfaq në këtë këngë të frymëzuar të Davidit, duhet të kemi të njëjtën mënyrë të kuptuarit të asaj që Davidi vetë, si autor, i shtyrë nga Fryma e Shenjtë kuptonte me të jetuarit në unitet.

  1. Termi unitet sipas fjalorit:
  2. Gjendja e të formuarit një gjë të vetme, një kompleks koherent e solidar sinbashkim: uniteti. kulturor, gjuhësor, politik i një shteti; edhe, harmonia ekzistuese, në nivele të ndryshme, mes pjesëve të një vepre: unitet ekspresiv.
  3. Harmonizim qëllimesh, solidaritet, bashkërendim mes subjektesh të ndryshëm ose në një realitet të përbërë: uniteti i një familjeje

Të gjitha këto elementë të kuptimin të fjalës unitet na japin një ide shteruese të qartë se me unitet nuk kuptohet diçka e jashtme, figurative apo rastësore. Pra për diçka të çastit, thjesht për figurë apo për rrethana të caktuara ceremoniale.

Përkundrasi, termi unitet ka të bëjë me një realitet të thellë, të qenësishëm personash apo elementesh, të ndryshëm mes tyre, por të lidhur në një mënyrë apo tjetër pazgjidhshëm bashkë, duke ekzistuar, funksionuar dhe duke u shfaqur si një e tërë.

 

  1. Termi banoj në hebraisht

Është shumë interesant që ndryshe nga folja që zakonisht ne përdorim në këtë rast, qëndroj (në unitet)/mbajmë/ruajmë (unitetin), Davidi, i shtyrë nga Fryma e Shenjtë, përdor termin banoj.

Termi yâshab – jashab i përdorur këtu ka kuptimin: rroj, jetoj, banoj. Pra nuk është ideja e “të futurit kokën”, të zënit një vend të caktuar, por në një kuptim shumë më të thellë. Po ky term përdoret në Bibël edhe për martesën. Për të gjithë ne të banosh-të rrosh-të jetosh implikon një përkushtim të vazhdueshëm, që nuk është i kufizuar në kohë dhe hapësirë. Një kryefamiljar/bashkëshort/bashkëshorte të jetuarit/të banuarit nënkupton shqetësim i vazhdueshëm për nevojat apo problemet e familjes. Nuk është se ky impenjim fillon në orën 16:00 kur lë punën, ka pauza kur del për kafe apo për ndonjë diçka tjetër, për të rifilluar nga darka e deri nesër në mëngjes kur nisesh sërish për punë. Përkundrasi, në çdo orë të ditës, kudo që të ndodhemi apo çfarëdo që bëjmë apo planifikojmë të bëjmë, mbajmë gjithnjë parasysh apo llograisim impaktin që mund të ketë për familjen tonë, marrëshëniet bashkëshortore, fëmijët etj.

Të mendojmë popullin izrealit që drejtohej për në Jerusalem duke kënduar këngët e shtegtimit. Ata që vinin nga shunë larg, nga vendi i mërgimit dhe ata që vinin krahinat e largëta të Izraelit. Ishte një udhëtim aspak komod, i gjatë e i lodhshëm. Por ajo që kuptoj, është se ata gjatë gjithë vitit jetonin me dëshirën dhe gatishmërinë e të përjetuarit të atyre ditëve që do të ishin së bashku me pjesën tjetër për të adhuruar në Shtëpinë e Zotit. Bukuria e “të jetuarit në unitet”, nuki i referohet thjesht asaj pamjes së Jerusalemit dhe të tempullit me pelegrinët e ardhur për të adhuruar. Por kjo bukuri shfaqej që te dëshira dhe fryma me të cilën çdo isrealit kishte jetuar për njëmbëdhjetë muaj dhe aty në tempull ai derdhte adhurimin e tij, në harmoni me gjithë popullin e Perëndisë.

  1. Koncepti biblik i të banuarit në unitet

Ky është edhe koncepti i të banuarit në unitet. Duke vështruar te 1Kor 12, apostulli Pal thotë: “Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëtit trup, megjithse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti.” – 1Kor 12:12. Organizmi nuk është i tillë veç me raste, sa për figurë. Ai është i tillë çdo ditë, çdo orë, çdo çast. Gjymtyrët e tij funksionojnë si të tillë çdo ditë, çdo orë e çdo çast. Nëse njëri prej tyre pushon së funksionuari, organizmi është i rrezikuar të vdes, sepse privohet nga shërbimi jetik, i mirëharmonuzuar me të gjitha gjymtyrët e tjera. Zoti i ka krijuar gjymtyrët për këtë qëllim.

Kjo është pikërisht ajo që Fryma e Shenjtë, përmes Palit na zbulon se si është bërë kisha vendore, se si dhe përse jemi vënë së bashku përbri njëri-tjetrit. Jemi për të funksionuar së bashku çdo ditë, çdo orë e çdo çast. Të banuarit/jetuarit së bashku në unitet do të thotë që edhe kur ndodhemi larg sallës, në punët dhe hallet tona të përditëshme, të mendojmë e të shqetësohemi për kishën, për marrëdhënien tonë si besimtarë, për unitetin tonë si populli i Perëndisë. Të vlerësojmë ndikimin që kanë në të qëndrimet tona, vendimet dhe zgjedhjet tona. Është shumë kuptimplotë ajo që Pali thotë se: “kështu është edhe Krishti” në vend të “kështu është edhe kisha”. Kjo na zbulon se bëhet fjalë mirëfilli për një model hyjnor uniteti. Secili prej nesh duhet të synojë të arrijë shtatoren e përsosur të Krishtit: “derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” – Efs 4:13.

 

Si e kemi përjetuar apo vazhdojmë ta përjetojmë situatën aktuale, kur nuk kemi patur mundësinë e takimeve normale si kishë? A ka qenë dëshira dhe fryma jonë e kushtëzuar nga kjo? A mos vallë, në një mënyrë apo tjetër jemi ndier si “të liruar nga impenjimi” për shkak të kësaj situate. Si ka qenë reagimi ynë ndaj formave që u përshtatën nga drejtuesit e kishës për takimet dhe poërbashkësinë: online apo në grupe. Në këtë situatë “të jetosh në unitet”, ashtu si pëlqen Perëndisë, do të thotë të jeshë i ndezur çdo moment për të qenë së bashku me vëllezërit, duke shfrytëzuar maksimalisht çdo rast, online apo takim grupi apo takim si ky sot, për të derdhur adhurimin në Shtëpinë e Zotit, që shtë vetë kisha.

  1. Dy reagime që bëjnë ndryshimin
  • PSE!? Pse ndodhi kjo pandemi? Ishim mirë kur ishim bashkë. Kjo është një mënyrë jo e shëndetshme reagimi, që praktikisht të bllokon. Sidomos në këto situata që zgjasin, PSE-të nuk mbarojnë dhe është e sigurtë që i ligu shpejton të na japë përgjigjet që neva na oëlqen t’i dëgjojmë, me gjithë helmin e tyre brenda. Dhe rrjedhoja është ftohja dhe pasiviteti. Sepse mënyra aktuale e veprimit nuk duken në lartësinë e mënyrës që bëhej në kohët normale. Dhe zgjidhja që veprohet është pritja, derisa kjo të kalojë.
  • ÇFARË? Çfarë pret Perëndia prej meje në këtë situatë? Kjo është pyetja e zgjuar që përgjigjen e merr vetëm prej Tij. Dhe, pavarësisht situatës së vështirë e të paqartë se sa do të zgjasë kjo pandemi, ti je duke bërë më të mirën për të jetuar çdo çast e në çdo mënyrë “bashkë në unitet” me vëllezërit, duke përjetuar të gjithë mirësinë dhe kënaqësinë që Perëndia ka prej kësaj.

 

Është pikërisht ky model uniteti që Fryma ka vënë në mendjen e Davidit duke e shtyrë të krijonte këtë këtë Psalm të frymëzuar, për ta ngulitur në mendjen dhe në shpirtin e çdo izrealiti dhe të të gjithë popullit të Perëndisë të çdo kohe.

Më poshtë kemi dy krahasime që vënë në dukje këndvështrimin e duhur ndaj unitetit vëllazëror të besimtarëve.

 

  1. Si shenjtërimi i Aaronit – vg 2

Krahasimi i parë që Davidi na jep është pikërisht me vajin shenjtërues e shugurues që vajosi Aaronin si kryepriftin e parë të Izraelit. Ai është një vaj i veçantë, i prodhuar vetëm nga përbërës të përshkruar nga vetë Perëndia e që përdorej vetëm për vajosje. Ai kishte një aromë shumë të mirë por i jepte edhe një shkëlqim flokëve dhe mjekrës së Aaronit, që ishin si aroma e Perëndisë në mes të tempullit. Kjo përshkruhet në librin e Levitikut 8:1-36. Ishte një vajosje unike për kryepriftin e Perëndisë Përbashkësia vëllazërore është një dhuratë e krahasueshme me vajosjen e kryeoriftërore. Ashtu si Aaroni ishte i veçantë për YAHVE-në sa mund të futej në Vendin Shumë të Shenjtë, po kaq i veçantë është uniteti i popullit të Tij, i Kishës së Tij.

Vetë Zoti Jezus, ndërsa afronte ora e fillimit të kalvarit, iu lut Atit pikërisht oër këtë: “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta. Sikurse ti më ke dërguar mua në botë, po ashtu unë i kam dërguar ata në botë. Dhe unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë. Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre, që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar. Dhe unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një. Unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë të përsosur në unitet dhe që bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua.(Gjn 17:17-23).

Nuk duhet të bazohemi në modele apo parime njerëzore mbi unitetin, por në vetë Krishtin dhe unitetin e tij brenda Trinitetit. Pali do ta porosiste Timoteun pikërisht që besimtarët: “të mos merren me përralla dhe me gjenealogji që s’kanë të sosur, të cilat shkaktojnë përçarje më tepër sesa vepra e Perëndisë, që mbështetet në besim.” Ndërsa Romakëve u shkroi: “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.  … Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion, kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit. Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit; nëse kemi shërbim, le t’i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit; dhe ai që nxit, le t’i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t’i bëjë me gëzim.”- Rom 12:1-8.

Sipas asaj që Fryma e Shenjtë na zbulon këtu, shenjtërimi e ofrimi ndaj Perëndisë dhe transformimi sipas vullnetit të Tij shfaqen në përfshirjen e plotë dhe aktive në përbashkësinë e kishës. Termat “kushtohem”, “thjeshtësi”, “zell” tregojnë një përkushtim të plotë, të vazhdueshëm, pavarësisht situatës.

Një shembull negativ veprimi të besimtarëve nga Bibla në lidhje me unitetin e popullit të Perëndisë dhe shenjtërimin e gjejmë te besimtarët e kishës së Korintit, që lanë pas dore unitetin e Frymës së Shenjtë, kultivuan “unitetin” e njerzve të spikatur në kishë, që kulmoi me përçarjen e kishës në grupe apo parti të Apollit, të Kefës, të Palit e të Krishtit. Pasoja ishte varfëria frymërore, megjithë dhuntitë e shumta që ishin në kishë, shthurrje morale e mbushje me filozofinë e botës, shpërfytyrimi i agapeve të tyre. Zanafilla qëndron të të bërit e gjërave “me kokën e tyre”, duke e quajtur të pamjaftueshme apo jo të arsyeshme Fjalën dhe vullnetin e Perëndisë. Por të banosh në unitet e për pasojë të shenjtërohesh, do të thotë dorëzim i plotë në vullnetin e Perëndisë dhe transformim i vazhdueshëm e pakushtëzuar me anë të ripërtëritjes së mendjes sipas këtij vullneti që Pali e përkufizon “i miri, i përsosuri e i pëlqyeri”

 

  • Si freskia e vesës së Hermonit mbi Sion – vg3

Krahasimi i dytë që jep Davidi është me me vesës që zbret nga mali Hermon mbi Malet e Sionit, që në fakt janë kodra, pra më të ulta. Uji është një element jetik për territorin e Lindjes së Mesme, është jeta. Të gjitha qytetrimet aty gjatë kohrave kanë lindur përgjatë lumenjve apo ku kishte puse uji. Rrugët e tregëtisë orientoheshin përmes vendndodhjes së puseve. Por metafora e vesës që zbret nga malet vë në dukje qartë se ky është një bekim që vjen vetëm prej Zotit. “Por në rast se do t’i bindeni me kujdes urdhërimeve të mia që ju jap sot, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, do të ndodhë që unë do t’i jap vendit tuaj shiun në kohën e duhur, shiun e parë dhe shiun e fundit, që ti të mbledhësh grurin, verën dhe vajin tënd; dhe do të bëj që të rritet edhe bari në fushat e tua për bagëtinë tënde, dhe ti do të hash dhe do të ngopesh. Kini kujdes që zemra juaj të mos mashtrohet dhe të mos largoheni nga rruga e drejtë, duke shërbyer dhe u përulur para perëndive të tjera; sepse në këtë rast do të ndizet zemërimi i Zotit dhe ai do të mbyllë qiejtë dhe nuk do të ketë më shi, toka nuk do të japë prodhimet e saj dhe ju do të vdisni shpejt në vendin e mirë që Zoti po ju jep.” –LiP 11:13-17.

Uniteti sjell paqen në mesin e besimtarëve. Nuk është një paqe kompromisi, por një paqe e vendosur nga vetë ZOTI. Vetë Zoti jezus u tha dishepujve se: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë. Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!(Gjn 14:27; 16:33).

Është në këtë unitet që Perëndia ka rezervuar bekimet e Tij, sipas planit të Tij për Kishën e Tij dhe për secilin nga ne personalisht.

 

KONKLUZIONI

 

Perëndia kërkon në vazhdimësi me anë të këtij Psalmi të na bëjë të reflektojmë mbi rëndësinë që ka sytë e Tij të banuarit në unitet, dhe dobitë që kemi prej saj.

Por kjo sjell domosdoshmërinë tonë për t’u transformuar dhe impenjuar që të banojmë plotësisht e në vazhdimësi në këtë unitet.

Jo një unitet që thjesht të jemi bashkë, por bashkë krahë për krahë në përmbushjen e mandatit: “Shkoni bëni dishepuj…”