Kur krijimi, Fjala dhe zemra i japin lavdi Perëndisë

Psalmi 19:15

“Të pëlqefshin fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, shkëmbi e shpëtimtari im.” v.15

Ky është një varg lutjeje që thotë shumë më tepër sesa mund të mendojmë. Ai është pjesë e Psalmit 19, një psalm i shkurtër i Davidit, i cili fillon me këto fjalë:

“Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, kubeja qiellore kumton veprën e duarve të tij.” v.2

Davidi fillon duke admiruar krijimin e Perëndisë dhe duke gjetur kënaqësi në atë që Perëndia ka bërë. Kur shikojmë qiellin dhe yjet, reagimi ynë duhet të jetë t’i japim lavdi Atij.

Çfarë bëre ti sot në mëngjes kur dole dhe pe qiellin e mrekullueshëm të Vlorës? A i dhe lavdi Perëndisë me fjalët e tua?

Më pas, Davidi vazhdon duke përmendur elementët e natyrës dhe gjërat që shohim çdo ditë si arsye për t’i dhënë lavdi Zotit.

“Por jehona e tyre përhapet në tërë dheun dhe fjalët e tyre deri në skajet e botës. Atje i ka bërë një tendë diellit.” v.5

Vëzhgo edhe ti gjërat që të rrethojnë gjatë ditës së sotme dhe jepi lavdi Perëndisë aty ku je: në vendin e punës, mes kolegëve të tu dhe me njerëzit që të rrethojnë. Le të na kujtojë krijimi që shohim çdo ditë madhështinë e Krijuesit.

Pastaj Davidi e drejton vëmendjen te Fjala e Perëndisë. Ai gjen kënaqësi në porositë e Zotit dhe në atë që Fjala e Tij bën në zemrën dhe jetën e njeriut:

“Porositë e Zotit janë të drejta, zemrën e gëzojnë, urdhërimet e Zotit janë të pastra, syve u japin dritë.” v.9

Ku është Fjala e Perëndisë në jetën tënde sot? A gjete në të kënaqësinë që gjen Davidi? A e lejove Fjalën e Tij të gëzojë zemrën dhe të ndriçojë sytë e tu ndërsa fillon ditën?

Në fund, Davidi kalon nga krijimi, te Fjala e Perëndisë dhe pastaj te zemra e tij. Ai përqendrohet te lutja. Fillimisht lutet për fajet e tij, pastaj i kërkon Zotit ta ruajë nga mëkati dhe nga çdo gjë që mund të marrë kontrollin e jetës së tij.

Dhe në fund e mbyll psalmin me të njëjtin varg me të cilin filluam:

“Të pëlqefshin fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, shkëmbi e shpëtimtari im.” v.15

Kjo mund të jetë edhe lutja jonë për sot:

Ruaje zemrën time dhe gojën time sot, o Zot, që fjalët që do të them dhe mendimet që do të mbaj në zemër të jenë për lavdinë Tënde dhe të jenë të pëlqyeshme para Teje.