GËZIMI I KRISHTLINDJES

Luka 2:9-11

HYRJE

“Gëzimi është rrjetë e dashurisë për të kapur shpirtrat”. Nënë Tereza

Gëzimi është një ndjenjë kënaqësie që kemi kur arrijmë diçka, kur ndodh diçka, apo kur vjen dikush. Gëzimi është ndjenja që zakonisht shoqëron atmosferën e festave.

Po kur festat vijnë në një atmosferë ku mbizotëron sëmundja, vdekja, varfëria dhe pasiguria? A mund të kemi gëzim në rrethanat e vuajtjes dhe dhimbjes? A vlen edhe në këto kushte porosia e Apostullit Pal: “Gëzohuni gjithnjë në Zotin. Përsëri po ju them: gëzohuni!” ‭‭(Filipianëve‬ ‭4:4‬)?

“Ekziston një lloj gëzimi që nuk e njeh fare dhimbjen, ankthin, as tmerrin e zemrës; gëzim që nuk zgjat; gëzim që thjesht e mpin njeriun për një çast. Gëzimi i Perëndisë ka kaluar përmes skamjes së grazhdit dhe agonisë së kryqit; prandaj është i pathyeshëm, i pamohueshëm. Gëzimi i Perëndisë nuk e mohon ankthin, kur ai ekziston, por gjen Perëndinë në mes të tij, në fakt pikërisht aty; nuk e mohon mëkatin e rëndë, por gjen faljen pikërisht kështu; e shikon vdekjen drejt e në sy, por gjen jetën pikërisht përbrenda saj”.
– Dietrich Bonhoeffer

Do të shqyrtojmë sot kuptimin e gëzimit biblik në lidhje me të dielën e katërt të Adventit që lajmëron se, kur Perëndia zbriti në tokë në personin e foshnjes Jezu, gëzimi zbriti mes nesh.

TEKSTI BIBLIK

9 Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë,
10 por engjëlli u tha: “Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin:
11 Sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot” (Luka‬ ‭2:9-11‬).

Konteksti Historik

Luka është i vetmi autor johebre që ka shkruar dy libra të Biblës. Ai e pohon qartë qëllimin e veprës së tij, kur thotë se iu fut punës së shkrimit “me qëllim që të njohësh palëkundshmërinë e mësimeve që ke marrë” (Luka‬ ‭1:4‬) në lidhje me jetën dhe veprën e Jezuit.

Luka, mjek dhe historian, synon të na bindë se “Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur” (Luka‬ ‭19:10‬).

Ungjilli sipas Lukës përmban shumë referenca historike. Autori thekson dhembshurinë e Jezuit për të varfërit, të sëmurët, të përbuzurit dhe njerëzit e thjeshtë në tërësi, ndonëse i kushtohet njëfarë Teofili, që duhet të ketë qenë njeri i rëndësishëm.

PROPOZIMI QENDROR

GËZIMI I VËRTETË I TË GJITHË NJERËZVE GJENDET NË BESIMIN NË ZOTIN JEZU KRISHT.

Gëzimi biblik, njësoj si shpresa dhe paqja biblike, është dhuratë nga Perëndia. “Por fryti i Shpirtit të Shenjtë është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, dashamirësia, mirësia, besimi, zemërbutësia dhe vetëpërmbajtja. Kundër këtyre nuk ka ligj” (Galatasve‬ ‭5:22-23‬). Si fryt i Shpirtit të Shenjtë, gëzimi i vërtetë mund të shijohet vetëm nga besimtarët në Krishtin.

Gëzimi biblik, gëzimi i vërtetë, vjen nga Zoti dhe nuk varet nga rrethanat apo njerëzit. Në fakt, Bibla na mëson se gëzimi i vërtetë është një zgjedhje që ne bëjmë pavarësisht rrethanave:

“Vëllezërit e mi, gëzohuni kur ndeshni tundime të ndryshme, sepse ju e dini se sprova e besimit tuaj sjell durimin. Kini durim deri në fund, që të jeni të përsosur, të plotë dhe pa asnjë të metë” (Jakobi‬ ‭1:2-4‬).

“Gëzohuni për këtë, edhe nëse do të duhet të hidhëroheni për pak kohë nga tundime të ndryshme. Kështu sprova e besimit tuaj, që është më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me zjarr, të jetë për lëvdimin, lavdinë dhe nderin tuaj kur të shfaqet Jezu Krishti” (1 Pjetrit‬ ‭1:6-7‬).

Si fryt i Shpirtit të Shenjtë, si zgjedhje pavarësisht rrethanave, gëzimi biblik ndryshon nga lumturia njerëzore. Ne ndjejmë lumturi në varësi të faktorëve të jashtëm, por kemi gëzim në trajtën e një zgjedhjeje të qëllimshme dhe të informuar nga njohuria se Zoti është gjithmonë i mirë.

Gëzimi biblik është zgjedhja për të reaguar ndaj rrethanave të jashtme me kënaqësi dhe hare të brendshme sepse e dimë se Perëndia do t’i përdorë të gjitha gjërat që përjetojmë për të kryer veprën e tij në jetën tonë dhe përmes nesh.

Në dritën e këtij përkufizimi për gëzimin biblik, le të shohim gëzimin e Krishtlindjes sipas pasazhit tonë sot.

I. Lindja e Krishtit Sjell Gëzim Sepse Është Lajm i Vërtetë – v. 9-10a.

Luka tregon për një grup barinjsh që u lajmëruan të parët për lindjen e Jezuit. Barinjtë nuk ishin njerëzit më të vlerësuar në atë kohë. Përkundrazi, barinjtë ishin nga më të përçmuarit ndër njerëzit e rëndomtë. Po të mos kishte ndodhur me të vërtetë lajmërimi i barinjve për lindjen e Jezuit, historiani Lukë nuk do ta përshkruante këtë ndodhi për “të përndritshmin Teofil”.

Po përmendja e një engjëlli të Zotit si lajmëtar i barinjve? A është kjo mënyra më e mirë për të bindur Teofilin për “palëkundshmërinë” e të vërtetës rreth Jezuit? Sërish, futja e qenieve të mbinatyrshme si sihariqtar për lindjen e Jezuit nuk do të kishte qenë zgjedhja e një historiani dhe mjeku si Luka nëse kjo nuk do të kishte ndodhur në të vërtetë.

Vërtetësia e këtij rrëfimi duket qartë edhe nga reagimi i barinjve ndaj shfaqjes dhe shpalljes së engjëllit. “Ata u trembën shumë”. Si të mos trembeshin? Natën, jashtë, instinkti i frikës do të vihej në lëvizje edhe nga një hije apo zhurmë e vogël, jo më nga shfaqja e një engjëlli dhe e lavdisë së Zotit që “i mbështolli me dritë”. Historiani Lukë e pranon se “ata u trembën shumë” sepse çdo reagim tjetër nuk do të ishte i vërtetë.

Luka është i besueshëm në rrëfimin e tij për lindjen e Krishtit për të gjitha këto si dhe për referencat historike të verifikueshme në sfondin e ngjarjes:

“Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë … “ (Luka‬ ‭1:5‬a).
“Në ato ditë Cezar Augusti nxori një dekret për regjistrimin e tërë popullsisë. Regjistrimi i parë ishte bërë kur Kuirini qeveriste Sirinë” (Luka‬ ‭2:1-2‬).

Perëndia me të vërtetë erdhi në botë në personin e Jezuit rreth dy mijë vjet më parë. Gëzimi vërtetë zbriti!

II. Lindja e Krishtit Sjell Gëzim Sepse Është Lajm i Mirë – v. 10b-11.

Luka regjistron për ne përmbajtjen e shpalljes së engjëllit të Zotit. Ajo është e gëzueshme sepse në thelb është lajm i mirë. Çdo lindje jete është lajm i gëzueshëm i mirë. Aq më tepër është i tillë lajmi për ardhjen në jetë si njeri të atij që është burimi i gëzimit, mirësisë dhe jetës. Foshnja e lindur në Betlehem është Emanuel: Perëndia me ne! Prandaj, mos kini frikë!

Lajmi i mirë që u shpalli engjëlli i Zotit barinjve përbën “një gëzim të madh për të gjithë popullin”. Lindja e Jezuit është Lajmi i Mirë, jo thjesht një lajm i mirë, sepse ardhja e Jezuit në botë është ardhja e një gëzimi të madh. Jezui vetë më vonë do të pohonte: “Këto jua thashë që gëzimi im të jetë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë”(Gjoni‬ ‭15:11‬). Një gëzim i madh ka zbritur në Krishtlindjen e parë.

Ardhja e Jezuit në botë nuk është lajmi i mirë i një gëzimi të madh vetëm për disa: Krishtlindja është lajmi i mirë i një gëzimi të madh për të gjithë popullin. Krishtlindja është ftesë për të gjithë të festojmë sepse Krishti erdhi si dhuratë për të gjithë.

Lajmi i mirë duhet besuar nga të gjithë, që ky gëzim i madh të jetë i të gjithëve: “Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar. Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij. Kush beson në të nuk gjykohet, ndërsa kush nuk beson në të është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë”
‭‭(Gjoni‬ ‭3:16-18‬).

Lajmi i mirë është një gëzim i madh për të gjithë popullin sepse shpall lindjen e një shpëtimtari. Ky nuk është një shpëtimtar dosido, por ky “është Krishti Zot”. Ky është ai që Perëndia premtoi dhe dërgoi. Ky është ai që ishte, është dhe do të jetë. Ky është ai që erdhi dhe do të vijë.

Vetë Zoti pa fillim dhe pa mbarim u mishërua në personin e Jezuit në Krishtlindjen e parë. Vetë Zoti erdhi për të na shpëtuar sepse vetëm Zoti mund të shpëtojë me të vërtetë. Ky po që është Lajmi i Mirë!

PËRFUNDIMI

Në një kohë lajmesh të hidhura të rreme, ndjekësit e Jezuit shpallin lajmin e gëzueshëm të vërtetë se Perëndia ka ardhur në botë si njeri në Krishtlindjen e parë.

Në një kohë lajmesh të hidhura të këqija, ndjekësit e Jezuit shpallin lajmin e gëzueshëm të mirë se Perëndia ka ardhur në botë si shpëtimtar në Krishtlindjen e parë.

Ardhja e Perëndisë në botë si shpëtimtar është lajmi i mirë. Ky lajm i mirë është i vërtetë. Ky lajm i mirë i vërtetë është një gëzim i madh. Ky lajm i mirë i vërtetë është një gëzim i madh për të gjithë. Ky lajm i mirë, i vërtetë, i gëzueshëm duhet besuar.

Gëzimi i Krishtlindjes është ngjitës. Ky gëzim është rrjeta e dashurisë hyjnore që shpëton shpirtrat e njerëzve që kap përmes shpalljes së ungjillit.

Beso në Jezu Krishtin që të kesh shpresën, paqen, gëzimin dhe dashurinë e Perëndisë!

Nga Zef Nikolla @Tiranë2020