Kongresi i Manastirit

Më 14 nëntor të vitit 1908 filloi punimet Kongresi i Manastirit, i njohur ndryshe si Kongresi i Alfabetit. Ky Kongres ishte një nismë e klubit “Bashkimi” dhe i mbylli punimet më 22 nëntor te vitit 1908. Gjergj Qiriazi ishte këshilltari kryesor i klubit “Bashkimi” dhe nismëtari kryesor i Kongresit.
Në Komisionin Përgatitor të Kongresit morën pjesë shqiptarë nga pesë komunitete fetare: tre katolikë (Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda), tre bektashinj (Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Mithat Frashëri), dy ortodoksë (Sotir Peci, Taqi Buda), dy protestantë (Gjergj Qiriazi, Grigor Cilka) dhe një mysliman (Nyzhet bej Vrioni). Pjesëmarrëse në këtë Kongres ishte dhe Parashqevi Qiriazi si përfaqësuese e Shkollës së Vashave.
Në fund të Kongresit, u nderua Shoqëria Biblike. Gjergj Qiriazi raportoi:”Jam shumë i kënaqur të them se pothuaj të gjithë delegatët e pranishëm në Kongres kanë shprehur mirënjohjen e tyre të madhe, duke shtuar se ndihen borxhlinj ndaj Shoqërisë Biblike për gjithçka që ka bërë për kombin…, sepse ajo ka sakrifikuar shumë për të ndriçuar kombin. Shqiptarët mirënjohës nuk do ta harrojnë kurrë veprimtarinë e kësaj shoqërie, sepse në një kohë kur ndalohej çdo libër tjetër në gjuhën shqipe, vetëm Shoqëria Biblike arriti të qarkullonte Biblën në gjuhën tonë amtare”.
©Institute for Albanian & Protestant Studies