Mbreti Bekon Fëmijët

HYRJE

“Historia do të na gjykojë në bazë të ndryshimit që sjellim në jetën e përditshme të fëmijëve”. Nelson Mandela

Bibla na mëson se fëmijët janë dhuratë nga Perëndia. “Ja, bijtë janë trashëgimi prej Zotit, fryti i barkut është shpërblimi i tij” (Psalmi ‭127:3‬).

Prandaj, duhet të ndjekim mësimin e Fjalës së Perëndisë për t’iu gëzuar kësaj dhurate dhe për t’u kujdesur si duhet për rritjen e tyre. Prindërimi është privilegj dhe përgjegjësi, jo barrë dhe bezdi.

Pasazhi që do të shqyrtojmë sot flet për përkujdesjen e veçantë të Zotit Jezu Krisht për fëmijët.

TEKSTI BIBLIK

13 Pastaj i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.
14 Atëherë Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata».
15 Pastaj vuri duart mbi ta dhe u largua që andej (Mateu‬ ‭19:13-15‬).

Konteksti Historik

Ka shumë kuptim që ky pasazh ndjek mësimin e Jezuit për martesën, divorcin, rimartesën dhe beqarinë. Fëmijët janë fryt i dashurisë që sjell bashkimin e burrit dhe gruas në martesë.

Në traditën e hebrenjve, prindërit shpesh i sillnin fëmijët te rabini – mësuesi i tyre – që ai dhe drejtuesit e tjerë të bashkësisë të luteshin për ta dhe t’i bekonin.

Talmudi, ligji civil dhe fetar i hebrenjve, i nxiste prindërit të kërkonin lutje dhe bekim për fëmijët e tyre që ata të rriteshin: të fortë në ligjin e Perëndisë, besnik në martesë dhe të shquar për vepra të mira.

Jezui më parë kishte treguar dashuri dhe kujdes të veçantë për fëmijët duke shëruar mrekullisht disa prej tyre dhe duke i marrë si shembuj të madhështisë së vërtetë për shkak të përuljes dhe çiltërsisë.

Prindërit që i sollën fëmijët e tyre te Jezui në këtë pasazh mund të kishin dëgjuar për dashurinë e veçantë të tij për fëmijët dhe, qartazi, e shihnin Jezuin si një rabin të shquar, në mos si Zot dhe Shpëtimtar.

Jezui i pranoi dhe i bekoi fëmijët që i sollën tek ai pavarësisht se ndjekësit e tij më të afërt ende nuk e kishin kuptuar dashurinë e tij për ta.

MBRETI JEZU KRISHT I MIRËPRET FËMIJËT NË MBRETËRINË E TIJ.

Gjëja e parë që vërejmë në këtë pasazh është dëshira e prindërve për të sjellë fëmijët e tyre te Jezui. Në fakt, Bibla na mëson se prindërit kanë privilegjin dhe përgjegjësinë për t’i sjellë fëmijët te Krishti.

Mënyra më e mirë për t’i sjellë fëmijët tanë te Krishti është duke u mësuar atyre Fjalën e Zotit.

“Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh”
‭‭(Ligji i Përtërirë‬ ‭6:6-7‬).

“Dhe ju, etër, mos i zemëroni fëmijët tuaj, por rritini me disiplinën dhe me këshillat që vijnë nga Zoti”
‭‭(Efesianëve‬ ‭6:4‬).

“Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket”
‭‭(Fjalët e urta‬ ‭22:6‬).

Së dyti, në këtë pasazh vërejmë se ka pengesa që duhen kapërcyer për t’i sjellë fëmijët te Jezui. Ndjekësit më të ngushtë të Jezuit ende nuk e kishin kuptuar dashurinë e veçantë të Mbretit për fëmijët. Në vend që t’i nxisnin këta prindër që donin t’i sillnin fëmijët e tyre te Jezui, ata po i pengonin dhe po i qortonin.

“Kini kujdes se mos përçmoni ndonjërin prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiej shikojnë gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiej”
‭‭(Mateu‬ ‭18:10-11‬).

Me sa duket fëmijët nuk ishin aq të rëndësishëm për këta ndjekës të Jezuit. Nënvlerësimi i fëmijëve është një pengesë serioze në rrugën e tyre për të ardhur te Jezui. Nënvlerësimi i fëmijëve tregon mosnjohjen e dashurisë së Perëndisë për ta.

“Ti e krijove brendinë time, më ende që në bark të nënës. Të lavdëroj se mrekullisht më ke krijuar, të mahnitshme janë veprat e tua, mirë e di shpirti im”
‭‭(Psalmet‬ ‭139:13-14‬).

Së treti, ky pasazh tregon se Jezui dëshiron që fëmijët të vijnë tek ai. Në fakt, Jezui u premton atyre Mbretërinë e tij. Për më tepër, Jezui tashmë kishte paralajmëruar: “Me të vërtetë po ju them se, nëse nuk ktheheni dhe bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve”
‭‭(Mateu‬ ‭18:3‬).

Kështu, Jezui korrigjoi pikëpamjen e ndjekësve të tij për fëmijët. Jezui u tha: “Mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata”. Besimi i tyre, sinqeriteti i tyre, përulësia dhe thjeshtësia e tyre janë ndër vlerat kryesore të Mbretërisë së Perëndisë.

Prandaj, Jezui vuri duart mbi ta dhe i bekoi. Prindërit e këtyre fëmijëve nuk u zhgënjyen. Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve mori në krahë dhe bekoi fëmijët e tyre.

Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë”
(Gjoni‬ ‭6:37‬).

Jezui nuk i refuzon kurrë ata që vijnë tek ai. Në zemrën e tij ka një vend të veçantë për fëmijët.

PËRFUNDIMI

Fëmijët janë shpërblimi i Perëndisë në martesën e burrit dhe gruas. Perëndia i do shumë fëmijët. Prandaj, i urdhëron prindërit të kujdesen për ta dhe në mënyrë të veçantë t’i sjellin te Jezui.

Përkujdesja e prindërve për fëmijët është shumë më tepër se ushqyerja dhe veshmbathja. Prindërimi përfshin lutjen për fëmijët, mësimin e Fjalës së Zotit, nxitjen e besimit dhe veprave të mira në Zotin.

Perëndia vetë erdhi në botë si fëmijë në personin e Jezu Krishtit. Dashuria më e madhe në univers u zbulua në trajtën e një foshnje. Pranimi i Mbretërisë së Perëndisë, pranimi i vetë Perëndisë është pranimi i fëmijëve në emrin e tij.

«Me të vërtetë po ju them se, nëse nuk ktheheni dhe bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Kush përulet si ky fëmijë, ai është më i madhi në mbretërinë e qiejve. Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua»
‭‭(Mateu‬ ‭18:3-5‬).

Nga Zef Nikolla